Kryetari Hyseni: Nuk jemi marrë me të kaluarën por as nuk e kemi harruar atë, ju paraqes tri raste të keqpërdorimit dhe keqmenaxhimit të pasurisë publike
Gjilan, 21 mars 2023 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka mbajtur sot një konferencë të jashtëzakonshme për media, nëpërmjet të cilës ka paraqitur tri raste të keqpërdorimit dhe keqmenaxhimit të pasurisë publike.
Kryetari Hyseni tha se ‘nuk jemi marrë me të kaluarën por as nuk e kemi harruar atë’.
Për rastin e parë, kryetari Hyseni tha se ka të bëjë me diferencën mes faturave të paraqitura dhe gjendjes faktike të inventarit në QKMF, ndërkaq për dy rastet tjera theksoi se kanë të bëjnë me shpronësimet.
“Tashmë janë bërë më shumë së 1 vit qeverisje, ndërkaq nuk jemi marrë me të kaluarën por as nuk e kemi harruar atë. Nuk do të lejojmë që e kaluara të ikë pa përgjegjësi, kur kemi persona e njerëz të cilët janë edhe të përgjegjshëm edhe fajtor”, ka thënë, ndër të tjera, kryetari Hyseni.
Deklarata e plotë e kryetarit, Alban Hyseni, në konferencën për media:
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Faleminderit për përgjigjen në ftesën tonë, me rastin e kësaj konference të jashtëzakonshme, lidhur me denoncimin e disa prej shkeljeve te evidentuara nga qeverisja jonë, deri më tani.
Sigurisht, që këto denoncime nuk janë të fundit, por vetëm nisma e paraqitjes së shkeljeve ligjore nga e kaluara.
Tashmë janë bërë më shumë së 1 vit qeverisje, ndërkaq nuk jemi marrë me të kaluarën por as nuk e kemi harruar atë. Nuk do të lejojmë që e kaluara të ikë pa përgjegjësi, kur kemi persona e njerëz të cilët janë edhe të përgjegjshëm edhe fajtor.
Andaj, më lejoni që në vazhdim të paraqes 3 raste të keqpërdorimit dhe keqmenaxhimit të pasurisë publike me ç’rast të njëjtat do të adresohen në organet përgjegjëse.
Rasti i parë ka të bëjë me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF). Ndërtimi i objektit të ri të QKMF-së është edhe nisma e keqpërdorimeve brenda këtij institucioni. Përveç fazës së ndërtimit, lidhjes së kontratave edhe kundërligjshëm edhe me përmbajtje që dëmtojnë buxhetin e komunës edhe ashtu të varfër, keqpërdorime janë bërë edhe në fazën e blerjes së inventarit dhe furnizimit të objektit të ri.
Sipas një Raporti të Auditimit të Brendshëm, ku është bërë regjistrimi i inventarit, kemi një diferencë mes faturave të paraqitura dhe gjendjes faktike. Më pas, për të verifikuar një konstatim të tillë, kam formuar një komision të tretë, i cili ka bërë regjistrimin dhe evidentimin e inventarit, për të nxjerrë një rezultat të tretë, të pavarur dhe përfundimtar, me qëllim që të krijohet një pasqyrë e qartë. Kjo për shkak se, Raporti i Auditimit të Brendshëm dhe ai i komisionit për regjistrimin e inventarit nga QKMF nuk janë përputhur. Ndërkohë që, Raporti i Auditimit të Brendshëm dhe i komisionit të tretë të formuar nga unë si Kryetar i Komunës, janë pothuajse 100% në përputhje, ashtu që është konstatuar një diferencë e madhe në mes të inventarit të faturuar dhe gjendjes faktike në QKMF sipas verifikimit të inventarit të komisionit të tretë.
Po ashtu, ka edhe fatura fiktive në vlerë prej dhjetëra mijëra eurove, pagesën e të cilave e kemi ndaluar. E njëjta, figuron ende si obligim nga institucioni shëndetësor QKMF dhe duhet verifikim i saj.
Rasti i dytë: Është shkelje e keqpërdorim në vlera milionëshe. Kemi të bëjmë me shpronësimin e tokave nga komuna e Gjilanit dhe organi shpronësues, që në këtë rast është Kryetari i Komunës. Nga 26 milionë euro që është vlera totale e borxheve të trashëguara, vetëm në shpronësim, i kemi gjithsej 11 milionë euro. Ndërkohë që kjo vlerë, çdo ditë është në rritje sepse kemi raste që po paraqiten tek ne edhe tani.
Në rastin e parë të shpronësimit, kemi të bëjmë me shpronësimin e gjithsej 27 ari e 66 metrash.
Sipas vlerësimit në ueb faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, vlera e tokës në po këtë zonë është 120 euro për metër katrorë. Ndërkohë që, shpronësimi i këtyre tokave, nga komuna e Gjilanit është realizuar në vlerën prej 330 dhe 325 euro (bëhet fjalë për dy parcela të ndara që janë në kufinjë kadastral me njëra tjetrën).
Kontratat e shitblerjes së tokave, në po këtë zonë, me të njëjtin koeficient të ndërtimit, në po të njëjtat vite, janë nga 120 deri në 190 euro për metër katror.
Vlera totale e shpronësimit, për 27 ari e 66 metër, komunës se Gjilanit i kanë kushtuar plot 902,910 euro.
Kjo është një nga shumë lëndët e shpronësimit, por që për fat të mirë, ende nuk ka kaluar afati ligjor për pagesë, ndërsa jemi në fazën finale, kur lënda mund të dërgohet dhe të ekzekutohet edhe përmes përmbaruesit privat.
Në rastin e dytë të shpronësimit, kemi të bëjmë me shpronësimin e gjithsej 30 ari e 57 metër.
Sipas vlerësimit në ueb faqen zyrtare te Ministrisë së Financave, vlera e tokës në po këtë zonë është 200 euro për metër katror. Ndërkohë që, shpronësimi i këtyre tokave, nga komuna e Gjilanit është realizuar në vlerën prej 520 euro për metër katror
Vlera totale e shpronësimit, për 30 ari e 57 metër, komunës së Gjilanit i kanë kushtuar plot 1,589,640 euro.
Këtë shumë, ne si komunë dhe qeverisje e re, jemi detyruar qe ta paguajmë si rezultat i ndjekjes së procedurave ligjore nga përmbaruesi privat. Vlera që jemi detyruar ta paguajmë për shpenzimet përmbarimore është 22,709.90 euro.
Edhe pse në vite e periudha të ndryshme, në dy rastet e lartpërmendura të shpronësimit, ekspertët për vlerësim të tokave për shpronësim ishin të njëjtit. Kjo mund të verifikohet lehtë përmes numrit identifikues të licencave të ekspertëve të shpronësimeve, në Raportet Përfundimtare të vlerësimit të tokave.
Në 11 muajt e parë të qeverisjes, pra në vitin 2022, ne si udhëheqje e re e komunës së Gjilanit, kemi paguar obligime të trashëguara nga ish qeverisja, në vlerë prej 6,676,566.19 euro. Nga e gjithë kjo shumë e paguar për borxhet, në vlerë prej afro 1 milionë euro kemi paguar vetëm shpenzimet përcjellëse për borxhet e trashëguara.
Më lejoni që tani, të paraqes edhe shkeljen e fundit, dhe më të rënden për nga vlera.
Në vitet 2017, 2019, 2020 dhe 2021 vlera totale e vendimeve për shpronësim është 11,838,296.50 euro, ndërsa planifikimi nga qeverisja e asaj kohe, për shpronësim, ka qenë vetëm 3,998,673.57 euro. Pra, diferenca mes vendimeve për shpronësim dhe planifikimit buxhetor për shpronësim është 7,238,472.08 euro.
Vitet Planifikimi Shpronësimi Ndryshimi
2017 500,000.00 € 6,062,151.00 € 5,562,151.00 €
2019 900,000.00 € 2,968,977.00 € 2,068,977.00 €
2020 1,177,250.42 € 784,594.50 € 392,655.92 €
2021 1,421,423.15 € 2,022,574.00 € 601,150.85 €
Totali 3,998,673.57 € 11,838,296.50 € 7,238,472.0 €
Kodi penal i Republikës së Kosovës, në nenin 414 parasheh veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar. Ndërsa, ligji për shpronësim të pronës së paluajtshme, një nga kriteret për shpronësim e parasheh edhe planifikimin për shpronësimin ose zotimin se do të planifikohen mjetet në të ardhmen. Në këtë rast, asnjë nga këto dy kritere mes kritereve të tjera nuk janë evidente.
Pra, konstatojmë se në ketë rast, kemi të bëjmë me keqpërdorim të detyrës zyrtare nga autoriteti iniciues i shpronësimit. Autoritet për inicim të shpronësimit në nivel lokal është Kryetari i Komunës. I njëjti, me paramendim, ka dëmtuar buxhetin e komunës se Gjilanit në vlera milionëshe dhe ka shkaktuar edhe shpenzime të tjera shtesë po ashtu në vlera milionëshe. Ndërsa, edhe pas 1 viti qeverisje të ndershme e të përgjegjshme, me gjithë borxhet e paguara, jemi larg qe të dalim nga kriza buxhetore e shkaktuar nga qeverisja e kaluar, e papërgjegjshme, e padrejtë, e padenjë dhe pa planifikim të mirëfilltë.