Përkundër përpjekjeve që po bëjnë si institucionet lokale ashtu edhe ato qendrore të Kosovës për të zbutur sadopak gjedje e familjeve që janë në asistecë sociale, numri i familjeve me gjendje të rëndë ekonomike që marrin asistencë sociale në komunën e Vitisë, pothuajse nuk ka ndryshuar në vitet e fundit. Sipas të dhënave zyrtare të Qendrës për Punë Sociale, janë rreth 600 familje të kësaj kategorie që vijnë nga lokalitetet e ndryshme të kësaj komune.
Mirëpo, në kuadër të aktiviteteve të shumta humanitare, Kryqi i Kuq në Viti, gjatë ditës së djeshme ka realizuar aksionin e shpërndarjes së ndihmave për 30 familje të varfra të komunës së Vitisë, të cilat kanë qenë të evidentuara e që më së shumti kishin nevojë, me ç’rast ato janë ndihmuar me artikuj ushqimore dhe artikuj për higjienë.
E duke joftuar lidhur me këtë aksion, Shtatore Hajrizi, sekretare e Kryqit të Kuq, tha për Plus Tv, se këto familje skamnore të cilat kanë edhe fëmijë kërkojnë ndihmë për gjërat elementare, veçmas tash ku dimri po vije dhe shtohen edhe më shumë nevojat familjare dhe higjienike.
Ajo tha se atyre u kemi shpërdarë ndihma në ushqime, pastaj preparate higjienike, por ndodhë shpesh që tu jepen edhe ndihma në veshmbathje dhe gjësende të tjera të nevojshme për jetesë më të mirë.
Sipas saj, këto ndihma sigurohen nga njerëz të vullnetit të mirë, të cilët ofrojnë mbështetje të ndryshme, nga ajo financiare e deri te veshmbathja. Kjo e fundit bëri thirrje që të gjithë ata që dëshirojnë të mbështesin këtë shoqatë, atëherë t’u drejtohen në zyrat që i ka në Viti.
“Mjetet janë grumbulluar gjatë muajit tetor, i cili është “Muaji i Solidaritetit”, bizneset e Vitisë janë donatorët që na kanë mbështetur. Përzgjedhja është bërë përmes listës që e ka Kryqi i kuq të familjeve, edhe prej aktivistëve që i kemi nëpër fshatra informohemi gjithmonë për gjendjen dhe nevojat e familjeve skamnor”, tha Shtatore Hajrizi, sekretare e Kryqit të kuq, dega në Viti.
Sipas saj, tani kërkohet një kontribut i përbashkët i gjithë atyre që kanë mundësi të ndërmarrin veprime dhe iniciativa me qëllim të përmirësimit të gjendjes së atyre që kanë nevojë për mbështetjen e shoqërisë dhe të institucioneve të saj në mënyrë ngritjen e cilësisë së
jetesës në përgjithësi. Hajrizi i ka falënderuar të gjithë pronarët e bizneseve të Vitisë dhe donatorët që i kanë mbështet këtë aksion me donacionet e tyre./ Aziz Zuka