Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me ekpin e shtabit emergjent, kanë pritur në takim informimi kryesuesen e Kuvendit Komunal, Shpresa Kurteshi Emini dhe shefat e grupeve politike, Avdyl Aliu (LDK), Nevzad Isufi (LVV), Riza Abdyli (PDK) Xhevat Demiri (AAK), Mimoza Kadriu (NISMA) dhe Ibish Ibishi (i pavarur).
Pas takimit, kryesuesja e Kuvendit Komunale, në emër të shefave të grupeve, ka falënderuar ekipin emergjent për angazhimin dhe mobilizimin e madh kundër përhapjes së Covid-19.
“Nga ky takim, kemi marrë përgjigje për të gjitha interesimet tona lidhur me menxahimin e pandemisë Covid-19. Ne u jemi mirënjohës dhe falënderues krejt këtij angazhimi e mobilizimi që po e tregojnë insitucionet komunale bashkë me ato regjionale, për ta parandaluar përhapjen e këtij virusi”, tha Kurteshi Emini.
Ajo konfirmoi se Kuvendi Komunal është në gatishmëri të plotë që t’i dalë në ndihmë qytetarëve saherë u kërkohet, sic ka qenë edhe rasti i fundit i seancës së jashtëzakonshme për ndarjen e mjeteve financiare.
Përmes kësaj konference, në emër të të gjitha grupeve politike, Kurteshi Emini u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë t’i respektojnë të gjitha masat për parandalimin e coronavirusit.