Gjilan, 26 mars 2026 – Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën udhëheqjen e Krenare Latifi-Kqikut, në seancën e sotme të rregullt, ka miratuar vendimin për miratimin e planit të punës së Kuvendit për vitin 2026, vendimin për miratimin e orarit të mbledhjeve të Kuvendit dhe komiteteve obligative, ndërkaq ka diskutuar edhe për raportin financiar janar-dhjetor 2025, të cilin e ka prezantuar Avdyl Kastrati, drejtor për Buxhet dhe Financa.
Kastrati, gjatë adresimit para anëtarëve të Kuvendit, ka thënë se nga ky buxhet janë realizuar shpenzimet në shumën prej mbi 39 milionë euro, që përfaqëson një nivel të realizimit prej 95 për qind të buxhetit të planifikuar, duke shtuar se kjo reflekton një menaxhim të qëndrueshëm dhe të disiplinuar financiar.
Ndërkaq, përfaqësues të grupeve të partive opozitare, LDK, PDK AAK, kanë kritikuar për keqmenaxhim financiar e mos përfundim të projekteve kapitale, derisa drejtori për Buxhet, Avdyl Kastrati, tha të gjitha konstatimeve dhe pretendimeve të tyre do t’u përgjigjet me shkrim.
Kuvendi, po ashtu, ka miratuar edhe propozim-vendimin për lejimin e këmbëmit të pronave të paluajtshme të komunës me pronën e Kadrush Sylës (Dheu i Bardhë), propozim-vendimin për lejimin e këmbëmit të pronës së paluajtshme të komunës me pronën Hisnije Halimi (Zhegër) dhe propozim-vendimin për lejimin e këmbimit të pronës së paluajtshme të komunës me pronën e Nexhmedin Ibrahimit (Përlepnicë), të cilat i ka arsyetuar drejtoresha për Kadastër, Eljesa Rashiti, sikurse edhe propozim-vendimin për caktimin e lartësisë së kompensimit për anëtarët e komisionit të aksionarëve për ndërmarrjet publike, të cilin e ka inicuar Shpend Nuhiu (LVV).
Ndërkohë, kuvendarët e Gjilanit kanë shtyrë për një seancë tjetër raportin e punës së kryetarit për vitin 2025, propozim-vendimin për subvencionimin e punësimit për personat me aftësi të kufizuara në komunën e Gjilanit dhe propozim-vendimin për subvencionimin e dy familjeve strehuese alternative (Hakile Lutfiu nga Gjilani dhe Aziz Hamdiu nga Zhegra).
Në këtë seancë kanë kontribuar me diskutime e rekomandime edhe asambleistët Gentrit Murseli, Shpend Nuhiu, Artan Cani, Malikie Hoxha, Kushtrim Kadriu, Sami Ahmeti, Bujar Nevzati, Fitim Guda, Muhadin Haziri, Besnik Shala, Fadil Ademi, Riad Rashiti e Nazim Gagica, të cilëve u janë përgjigjur drejtorët komunalë, Kushtrim Ibrahimi, Mimoza Kadriu Qerimi, Isa Agushi, Bajram Isufi e Avdyl Kastrati.
Ndryshe, në seancën e sotme kanë dhënë betimin edhe dy anëtarët e rinj të Kuvendit, Ilirjana Uruqi (LVV) e Blerim Haziri (LVV), të cilët i zëvendësojnë Leonora Bunjaku Morinën e Arbër Musliun.



