Gjilan

VV: A po e rrëzojmë Qeverinë, a po e ndëshkojmë Lutfi Hazirin më 19 nëntor, se autostradë nuk ka!

Një tender milionësh që u shfrytëzua vetëm për fushata, e që po vazhdon të shfrytëzohet edhe sot, nga ata që janë mësuar ta marrin pushtetin vetëm me gënjeshtra dhe mashtrime. Ky është projekti për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan, që u shndërrua në njërin prej premtimeve më të mëdha të Lutfi Hazirit, në fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Ky projekt milionësh, që nisi më 12 qershor, një ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe u procedua gjatë muajve të verës, atëherë kur e gjithë vëmendja ishte tek krijimi i qeverisë dhe u përfol vetëm për numra, nuk u përfol për shifra milionëshe që pritet ti kushtojnë shumë vendit tonë.

Nuk u përfol për shumën prej 99milionë e 651 mijë euro, sa ishte vlera totale e tenderit për ndërtimin e kësaj autostrade, por nuk u përfol as për shumën prej 66 milionë e 48 mijë euro, sa do të kushtonte tenderi nëse do të merreshin për bazë ofertuesit më të lirë.

Procedurat për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan, u nisën nga ish-ministri i LDK-së për Infrastrukturë Lutfi Zharku, në kohën kur vendi ishte në zgjedhje dhe pushtetet po ndërroheshin. Ndërsa, drita e gjelbër tenderit iu dha 24 orë para ndërrimit të qeverisë. Pikërisht ky tender u shfytëzua me të madhe gjatë fushatës elektorale të 22 tetorit nga Lutfi Haziri, e që në fakt i bie të jetë vetëm një gënjeshtër e kulluar.

“Ose ka me u nisë Autostrada, përndryshe do ta rrëzojmë qeverinë më 23 tetor. Alternativë tjetër nuk ka. I siguroj gjilanasit e mi për këtë”, kështu thoshte Lutfi Haziri.

Ndërsa, ish ministri në detyrë i Infrastrukturës Hanefi Muharremi, ka thënë se nuk e ka nënshkruar tenderin për autostradën Prishtinë-Gjilan, pasi komisioni vlerësues ia kishte

dorëzuar dosjen pikërisht në ditën kur ai ia kishte dorëzuar detyrën ministrit aktual Pal Lekaj. E ky i fundit, ka thënë se projektin e ka gjetur të nënshkruar nga Komisioni Vlerësues, një ditë para se ai të merrte detyrën, përderisa tenderi 100 milionësh për ndërtimin e autostradës është kthyer në rivlerësim pas vendimit të marrë nga Organi Shqyrtues Prokurimit Publik, si pasojë e shkeljeve ligjore të gjetura të evidentuara.

Ndërkaq, në seancën e Kuvendit të Kosovës të datës 25 tetor, ku në rend dite ishte Shqyrtimi i Parë i Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës, u pa se nuk ishte futur fare në buxhetim autostrada Prishtinë-Gjilan.

E nëse e deshifrojmë gjithë këtë, i bie që ose duhet “rrëzuar” Qeveria, sic u deklarua Lutfi Haziri gjatë fushatës, ose duhet rrëzuar vet Lutfi Haziri, nga qytetarët e Gjilanit, të cilët po vazhdojnë të shfrytëzohen si lodër e shpifjeve dhe manipulimeve të këtij të fundit.

Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra – Gjilan Zyra për media.

You Might Also Like