Klubi i Volejbollit Drita nga Gjilani, në konkurrencën e femrave ka fituar ndeshjen e parë të play-offit në volejboll ndaj ekipit ferizajas Fer Volley me rezultat të pastër 3:0 në sete.
Vashat gjilanase të njëjtin ekip e kishin mundur edhe në finale të Kupës së Kosovës, por në atë ndeshje hasën në rezistencë më të madhe, ngase ndeshja ishte zhvilluar në pesë sete.
Në setin e parë, ferizajaset janë kufizuar në 20 pikë e vashat nga Gjilani kishin përkrahjen e madhe edhe të “Intelektualëve”, që kishin ardhur në Palestrën e Sporteve “Bashkim Selisha – Petriti” në Gjilan. Në këtë set janë dalluar amerikania Harvey dhe Avdyli, të cilave u ndihmuan shumë edhe Hoxha, Prenga, Shabani, pranuesja Kruti dhe pa dyshim pasuesja turke Ipek.
Edhe në setin e dytë, kryetrajneri nuk e ndërroi ekipin dhe ferizajeset arritën vetëm një pikë më shumë 21.
Ngjashëm ishte edhe në setin e tretë, kësaj radhe lojtaret e Dritës fare nuk e vunë në pikëpyetje këtë ndeshje.
Drita – Fer Volley 3:0 (25:20, 25:21, 25:21)
Ndeshja e radhës do të zhvillohet në Ferizaj këtë të enjte në Palestrën “Bill Clinton”, kurse kampion do të shpallet ekipi që arrin tri fitore./kryelajmi.com/.