Gjilan

LDK: Ja përse nuk e votuam Rregulloren për Sistematizimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil

Komunikatë e degës së LDK-së në Gjilan
Në lidhje me deklaratën e Kryetarit të Komunës për Rregulloren për Sistematizimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil
Të nderuar qytetarë,
Pas publikimit të deklaratës nga Kryetari i Komunës, ndjejmë obligim të sqarojmë publikun për të vërtetën lidhur me mosvotimin e Rregullores për Sistematizimin e Vendeve të Punës në seancën e fundit të Kuvendit Komunal.
Ne si grup i asamblistëve të LDK-së nuk e kemi votuar këtë rregullore për një arsye të qartë dhe të arsyeshme:
– Dokumenti prej mbi 50 faqesh na është dorëzuar vetëm 20 minuta para fillimit të seancës, pa kohë të mjaftueshme për lexim, analizë dhe shqyrtim të hollësishëm.
Ne jemi të përkushtuar për një administratë komunale funksionale, transparente dhe të drejtë, por jo për të marrë vendime të ngutshme që mund të kenë pasoja afatgjata mbi të drejtat e shërbyesve civil dhe funksionimin e institucioneve.
Për këtë arsye, LDK dhe opozita e Gjilanit kanë marrë iniciativën dhe kanë thirrur një seancë të jashtëzakonshme për datën 4 qershor, me qëllim që kjo rregullore të shqyrtohet seriozisht dhe të votohet në mënyrë të përgjegjshme, me kohë të mjaftueshme për të kuptuar secilin nen të saj.
Ndryshe nga sa u paraqit nga i pari i ekzekutivit, ne nuk kemi bllokuar asnjë proces, por kemi refuzuar të jemi pjesë e një vendimi të paarsyetuar dhe të papërgatitur.
Ne i ftojmë të gjithë qytetarët e Gjilanit ta lexojnë të vërtetën dhe të mos bien pre e tentativave për të manipuluar opinionin publik me akuza të pabaza politike.
LDK do të vazhdojë të veprojë me maturi, profesionalizëm dhe në interes të shërbyesve civil dhe qytetarëve të Komunës së Gjilanit.
Grupi i Asamblistëve të LDK-së
Kuvendi Komunal i Gjilanit

You Might Also Like