Gjilan

Lutfi Haziri: Në Gjilan po udhëhiqet me hapa mbrapa

Kreu i Lidhjes Demokratike në Gjilan, Lutfi Haziri, ka derdhur kritika në adresë të qeverisjes komunale, për siç ka thënë ai, shumë ngecje që po ndodhin në Gjilan. Ai ka folur për Planin Zhvillimor Komunal, të miratuar në shtator 2021, por që ky plan nuk po zbatohet nga qeverisja aktuale. Qeverisja komunale ka tendencë që të anulojë këtë plan, por që kjo është shkelje dhe shumë investitorë nuk erdhën dhe nuk do të vijnë në kësi lloj ambienti. Ata po frikësohen, por ata fituan të drejtën e tyre nga ministria në linjë. Haziri, ka thënë se mashtrimi i madh është lexuar drejt nga qytetarët dhe tash qytetarët po kalojnë në dëshpërimin e madh. “Javët dhe muajt e ardhshëm do të jenë muajt e dëshpërimit të madh, ngase qeverisja e Gjilanit nuk e ka sjell asnjë grant të vetëm nga ndonjë partner i brendshëm apo i jashtëm, ka 17 muaj që nuk ka asnjë investim të ri kapital dhe të gjitha projektet e mëhershme të sjella në Gjilan po trajtohen si të huaja”, ka thënë Haziri, që ka shtuar se ka vonesa në ndërtimin e magjistraleve, po shkaktohen kokëçarje, bizneset po humbin dhe krejt kjo po bëhet ngase projektet e dikurshme po trajtohen si të huajat.

Lutfi Haziri, ka thënë se edhe tregimi i autostradës ka nisur të bëhet si tregimi i Mirushës dhe i Urës së Shenjtë, ngase pas dy vite e gjysmë ajo do të ritenderohet dhe pritet t’i rritet vlera dhe nuk ka dritë në fund të tunelit.

“Gjilani po trajtohet si qytet i huaj e komunitet i përjashtuar, si regjion që nuk është prioritet i kësaj qeverie”, ka thënë kryetari i degës së LDK-së, i cili ka parafrazuar një qytetar që ka thënë se “Qeveria e jonë po jeton në qiell, e qytetari në bugjillë”. Sipas Hazirit, Gjilani është kryeqendër arsimore, administrative, politike, ekonomike, e sigurisë, por që tani është në pritje. “Po shkohet në hapa mbrapa, po degradohen projektet, projekti Mirusha po degradohet, impianti është bllokuar, nuk ka buxhetim për stadiumin e shumë mangësi të tjera”, ka thënë Haziri, që shtoi se qeverisja e tashme po bënë me gisht nga e kaluara, por që në fakt nuk po di dhe po mundohet që mospunën e vet po mundohet t’a mbulojë duke bërë me gisht nga e kaluara.

“Ka ardhur kohe që të bëhemi gardianë të projekteve tona, t’i ruajmë e mos të lejojmë të shkojmë mbrapa dhe ta ruajmë vlerën që e kemi në Gjilan”, ka thënë Lutfi Haziri, kryetar i degës së LDK-së në Gjilan./kryelajmi.com/.

You Might Also Like