Gjilan

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Gjilan përkujton 36 vjetorin e vrasjes nga UDBv – ja serbe të Kadri Zekës dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallës në Heilbronin të Gjermanisë

Sot më 17 janar 2018, u bënë 36 vjet nga vrasja e Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla nga një atentat nga UDB – ja serbe në Gjermani. Kadri Zeka ishte njëri nga veprimtarët më të dalluar të Lëvizjes Ilegale të Kosovës. Kadri Zeka ishte njëri nga anëtarët e organizatës “Grupi Revolucionar”. Pasi u hetua veprimtaria tij nga UDB – ja serbe u largua në mërgim. Ai vazhdoi veprimtarinë e tij në diasporë pos të tjerëve edhe me Jusuf e Bardhosh Gërvallën. Kështu ndaj Kadri Zekës dhe vëllezërit Gërvalla u bë një atentat i organizuar nga UDB-ja, më 17 janar të vitit 1982, duke lënë të vdekur Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën, kurse Jusuf Gërvalla u plagos rënd, i cili vdiq në orët e hershme të mëngjesit në spitalin e Heilbronnit të Gjermanisë.

Më poshtë keni edhe një biografi të shkurtër të Kadri Zekës: Kadri Zeka lindi më 25 prill të vitit 1953 në fshatin Poliçkë, Komuna e Dardanës. Shkollën fillore e mbaroi në Desivojcë. Meqë më 1968 familja e tij u shpërngul në Gjilan. Shkollën e mesme e mbaroi në Gjilan. Më 1972 regjistrohet në Fakultetin Juridik, në Prishtinë, dega e gazetarisë. Më 1973 Kadri Zeka ishte pjesë e organizatës “Grupi revolucionar”. Ishte në një celulë me Rexhep Malën, Ilmi Ramadanin dhe Hydajet Hysenin, që ishin shokët e tij të pandashëm. Fillimisht Kadri Zeka ka qenë anëtar i celulës, kurse pas arrestimeve të vitit 1974 dhe 1975 të anëtarëve të Grupit Revolucionar, Kadri Zekës kalon në Komitetin Drejtues (që ishte organi më i lartë i Organizatës), në këtë cilësi ka qenë deri në fund të jetës së tij. Ndërkohë punoi si gazetar në Radio Prishtina. Kadri Zeka ka qenë i suksesshëm në zgjerimin e radhëve dhe për këtë qëllim ka shkuar të punojë e të jetojë për një kohë në Malësinë e Gollakut, (Punoi si mësues në Gmicë të Dardanës). Ka mbajtur lidhje të fshehta me Rexhep Malën e shokë të tjerë, edhe gjatë qëndrimit të tyre në burg. Pas gjurmimeve sistematike të UDB-së aty kah marsi i vitit 1978 hetohet veprimtaria e tij. Fillimisht Kadri Zeka shkon për disa javë në Turqi, por meqë nuk kishte ndonjë risi kthehet prapë në Kosovë. Pastaj Kadri Zeka shkon në Zvicër, në qytetin St. Gallen, ku ndihmohet nga anëtarët e Organizatës si Hasan Mala, Kadri Abdullahu, etj. Përmes veprimtarisë së tij patriotike dhe të bashkëveprimtarëve në mërgim, me angazhimet e tij u mundua gjatë gjithë kohës ti bashkonte, në kërkim të të drejtave kombëtare dhe lirisë së trojeve shqiptare nën pushtim. Gjatë dekadave të kaluara, qysh nga vitet e rinisë së hershme si në Kosovë, ashtu edhe në ekzil në Gjermani, edhe pse e dinte se 24 orë ishte nën vëzhgimin e UDB-së, ai nuk u thye kurrë dhe nuk hoqi dorë asnjëherë nga ideali i tij patriotik. Për veprimtarinë atdhetare në

diasporë, më të njohurit ishin Kadri Zeka dhe Vëllezërit Gërvalla. Ata për asnjë moment nuk hoqën dorë nga idealet e tyre atdhetare deri në fund të jetës së tyre, e cila përfundoi nga një atentat i organizuar nga UDB-ja më 17 janar të vitit 1982, duke lënë të vdekur Bardhoshin dhe Kadri Zekën, kurse Jusufin të plagosur rënd, i cili vdiq në orët e hershme të mëngjesit në spitalin e Heilbronnit të Gjermanisë. Kurse eshtrat e Kadri Zekës u kthyen në atdhe në vitin 2002 dhe pushojnë në varrezat e dëshmorëve në Gjilan.

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” – dega në Gjilan

You Might Also Like