ARSIMI

LIDHJA E MËSIMIT TEORIK DHE PRAKTIK, GARANCË PËR ARRITSHMËRI TË LARTË TË NXËNËSVE

FESTIM SHKODRA, profesor i matematikës

LIDHJA E MËSIMIT TEORIK DHE PRAKTIK, GARANCË PËR ARRITSHMËRI TË LARTË TË NXËNËSVE

Në situatën e vështirë, pas shtrirjes së pandemisë së virusit korona edhe në Kosovë, Komuna e Gjilanit shpejtë e filloi riorganizimin e punës në këto kushte të rënduara. Kështu edhe DKA e Gjilanit, e para në Kosovë e përgatiti platformën lokale të mësimit online “mesojmengashtepia” për arsimin parauniversitar. Kjo platformë pastaj u kombinua nga mësimdhënësit gjilanas me nisiativa tjera të tyre edhe me platforma tjera interaktive të punës me nxënës. Poashtu ishin tejet të dobishme edhe platformat e ministrive të arsimit në Kosovë dhe Shqipëri që filluan më vonë.

Në këtë kuadër edhe në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, shkollë kjo elite në nivel të shtetit u organizua me sukses mësimi online në këtë platformë të DKA-së së Gjilanit, i shoqëruar edhe me shumë forma tjera pune origjinale të mësimdhënësve të tij. Kështu edhe në këtë kohë pandemie nuk mungoi angazhimi i mësimdhënësve dhe nxënësve. Kështu, pos formave tjera të punës, duke ditë rëndësinë e madhe të lidhjes së mësimit teorik dhe praktik, organizuam dy projekte praktike nga lënda e matematikës së klasës së dhjetë. Këto projekte u organizuan në kuadër të kapitullit mësimor nga gjeometria “Matja e sipërfaqeve të rrafshëta”. Këto projekte sigurojnë arritjen e lartë të rezultateve të kurrikulës dhe dhe bëjnë edhe një lidhje tejet të mirë ndërkurrikulare të fushës së matematikës me fushat tjera të Kurrikulës së Arsimit Parauniversitar në Kosovë.

Projekti i parë ishte: “Vizatimi teknik i planit të një kati të shtëpisë – banesës së banimit dhe llogaritja e kostos së lyerjes së atij kati me ngjyrë.“ Kërkesë e parë këtu ishte që nxënësi të masë vetë një kat të shtëpisë – banesës, pastaj të vizatoj këtë plan duke respektuar një shkallë të përshtatshme të zvogëlimit si dhe të llogarisë pastaj syprinën e sipërfaqes së tij. Kërkesa e dytë në këtë projekt ishte të përgatitet nga nxënësi një plan i lyerjes me ngjyrë, të një kati të shtëpisë – banesës dhe të bëhet llogaritja e kostos së kësaj pune nëse e punon vetë.

               Projekti i dytë ishte: “Matje në terren”. Kërkohej nga nxënësi të masë një sipërfaqe shumëkëndëshe konvekse të parregullt në terren, të marrë sipas dëshirës, si dhe të bëhet vizatimi teknik i saj duke respektuar një shkallë të përshtatshme të zvogëlimit.

Këto dy projekte përmes kontakteve online dhe udhëzimeve të dhëna u realizuan me sukses dhe vullnet të madh, nga nxënësit tanë të klasës së dhjetë në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan. Kjo ndërlidhje e mësimit teorik dhe praktik është garancë për arritshmëri të lartë të nxënësve në çdo fushë të Kurrikulës së Arsimit në Kosovë e posaçërisht edhe në matematikë. Kështu ua mundësuam nxënësve që të gjejnë vetë një pjesë të përgjegjes në pyetjen më të shpeshtë që kanë: “Pse na duhet matematika”. Me lidhjen e mirë të mësimit teorik dhe praktik në matematikë nxitet dhe mbahet interesimi i nxënësve për të mësuar këtë shkencë të mrekullueshme.

 

You Might Also Like