Në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme për rritjen e sigurisë në shkolla, Njësia Sektoriale dhe Njësia e Policisë në Komunitet të Stacionit Policor në Gjilan, kanë zhvilluar ligjëratë ndërgjegjësuese me nxënës të klasave të IV-ta dhe X-ta, të shkollave ‘’Zenel Hajdini’’ dhe ‘’Thimi Mitko’’ në qytetin e Gjilanit. Temat që janë ligjëruar në këtë rast kanë qenë: “Parandalimi i dukurive negative në shkolla”, “Delikuenca e të miturve”, “Pasojat dhe rreziku nga mbajtja e armëve të ftohta”, si dhe “Krimet kibernetike”.
Gjatë bashkëbisedimit me nxënësit u theksua rëndësia e rolit që luajnë mësimdhënësit, stafi arsimor dhe nxënësit në identifikimin, parandalimin dhe raportimin e dukurive negative që mund të paraqiten në mjediset shkollor.
Ky aktivitet është pjesë e iniciativave të vazhdueshme të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, që në bashkëpunim me institucionet arsimore, të krijoj një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë nxënësit.





