Libri

LIRIKA METAFORIKE E NJË POEZIE

  Sherafedin Kadriu

(Rreth vëllimit poetik “Pa një vdekje mbes” të shkrimtarit gjilanas, Sabit Rrustemi, botuar më 2016, Shtëpia botuese “Beqir Musliu”,).

Ç’ po ndodh me librat e mirë? Pse nuk po lexohen? Në mos ndërdyja ia ka zënë vendin gjykimit për t’i bërë vend paragjykimit mohues, vetëm për shkak të botimeve të atyre pa dell krijues. E kështu nuk duhet të jetë. Ç’faj do kishte vëllimi poetik Pa një vdekje mbes (2016) i poetit të njohur gjilanas, Sabit Rrustemit, që të mos lexohet e shijohet? Një lirikë e kulluar si gurrat e Karadakut që rrjedhin rrëmbyeshëm nga majë e Çepurit, plot çepa krojesh, që edhe kur zbresin në rrafsh ruajnë ngjyrën e zërit vetjak, pa marrë njëtrajtësi fushash.

Në këtë shkrim interpretues, më parë se gjykues, ka një përmbysje logjike të trajtimit të motiveve tematike që diktohet nga vetë titulli i librit. Pa një vdekje mbes është tamam një titull aproksimativ i qëllimshëm që zgjon kureshtje në trajtë detyrimi për atë këmishë të padukshme që kurrë s’u ndërrua. Është teoria e vdekjes që vazhdon edhe përtej jetës. Vdekja s’është tjetër, vetëm ana tjetër e jetës. Prandaj, si e tillë, vdekja dominohet nga koncepti i natyrshmërisë që vjen kur s’e pret/dhe atë pak frymë/me gërhamën e mbramë/ta thithë. Ajo ka vetëm gjuhën e dhembjes e të mallit. Dy prekje në këtë proces: ikja që flatron qiejve e yjeve dhe kujtimet që s’i bëjnë vend mungesës … , sidomos mungesës së Nanës, se nanë mbetet deri sa të marrësh frymë. Ky motiv ka shoqëruar një varg poezish, të cilat për personazh lirik kanë figura të njohura të historisë, edhe të së djeshmes për ta, por poezitë përkushtuese ndaj të zakonshmëve dallohen për gjuhën e figurshme e plot emocion …

***

Ky vëllim poezish motivesh të ndryshme, të renditura jo njëtrajtshëm, ka shpërfaq në radhë të parë jetën në legjenda, më parë se në libra shkencash, të përplotësuar me antikitetin, në vend se të qëmtojë arkeologjinë e viseve të shpëlara në ujërat e Jonit të qetë, shpeshherë të përcëlluara në kontinent. Është shpirti poetik i lumturuar kur sheh atdheun qi met n’kambë, është shpirti moralist që vetëm di të japë, e të mos marrë nga atdheu, dhe jo vetëm në poezi. Kurrgjë s’po lypi prej teje/ veç n’mujsha me t’dhanë, i drejtohet Kosovës poeti, po ama, ka një këshillë për të, siç këshillojnë të urtit të rinjtë, kur ata nisin udhëtimin e jetës: Çili sytë/mblidhi djemtë/edhe mendtë/ nxine kohën/me hapin tënd. Ka diçka si liri që përcëllon si hajni, ka diçka si ankim amorf, e kokë nuk gjendet dot, ka diçka që ecën kuturu, si fëmijë që ka zënë hapat e parë. Prandaj, poeti ka shpërthyer në trajtë lutjeje: Ankime/lot e fjalë pa kripë/as në muze mos i lë. E sotmja para së nesërmes do duhej të vallëzojë tej fushave të baladës, se ndryshe koha na shkrumbon, se atdheun e do jo vetëm për vete, po për të gjithë. Ai i njeh mirë keqdashjet e nëpërkëmbësve të çoroditur, e di mirë se ç’thotë atdheu në ndeja, po ia ka davanë për një vallëzim lirik të çunave dhe vashave me energji shpërthyese.

Për të rendur krahas cytjeve tematike, të rastit a të akumuluara në kohë, që panë dritën në këtë vëllim poetik kushtëzon data e shkrimit të akëcilës poezi. Ato nisin me zanat e legjendave orë mira, me tokën që nuk ankohet për një mal mëkatesh që ia bëjmë, me qytetin e përplasur në ëndrra tjera, s’e jetën e palos fëshfërimave anekënd Çepurit, ani pse moti s’e ec kush. Vetëm hijet lëvizin nëpër oborrin e kujtimeve se njerëzit kanë ikur! E, aty ku s’ka njerëz, nuk ka as zogj. Vetëm udhët e dikurshme jetojnë përtej kësaj vetmie.

Nuk është vetëm Çepuri dashuria e poetit. Është çdo pjesë e tokës së tij, edhe qetësia e Jonit, edhe gjurmët e epokave të Butrintit që moti kanë ikur gjerë e gjatë Ilirisë së Moçme, është Mitrovica q’e kanë ndarë në mes te Ura Ibrit, është Kopilaqa sall zjarrmi deri në hi… Kush nuk është se?

Lirika e këtyre poezive rrjedh si tekst metaforik me një imagjinatë të stërholluar, me një fantazi shpeshherë vesh me ironinë. Ato dalin medituese për ngjarje kohësh antike në hapësirën e Ilirisë së Moçme, ndërsa analitike për veprime të jetuara, gjithnjë mbushur plot emocion, teksa gërshetojnë frazeologjinë popullore, këqyrjen serioze, konceptet etike dhe estetike, dramën personale hera-herës … Për këtë arsye poezitë e Sabit Rrustemit përshkohen nga një ngrohtësi spontane, nga një disponim rasti, nga një sabër çasti. Si e tillë, poezia komunikon me lexuesin kuptimisht thellësisht, ani pse ndonjëherë ka diçka të urtë që nuk e shpall dot urtësi, ka diçka si mëdyshje që nuk e vesh me ambigy.

Një nga motivet që bën jetë në këtë vëllim poetik është ai i lirisë, jo koncept i marrë nga antikiteti, as nga mesjeta, por i dalë nga kujtesë e dhembjes individuale dhe kolektive. Liria strukturohet në varg morfologjikisht si reflektim i mungesës së saj:

Krejt çka e pate t’ndalueme me ba,

me thanë,

me nie,

me prekë,

me shijue …

***

… liri asht!

Liria për poetin nis përtej pragut të parë të oborrit të Kosovës se një Shqipëri s’e bëmë, se plagët s’u mbyllën, ani pse ranë sytë e atyre që do të jetojnë dhe nesër. As ky nuk është tamam-tamam atdheu i poetit. E si mund të quhet atdhe pa e çliru qysh duhet edhe Shkupin!

Edhe sot është lartësia e Bjeshkëve të Nemuna, ajo që mbyll shikimin përtej, ose vetëm si figurë pengese për një kohë të shkuar, e që të ndërdyn kësaj here. Po të jetë kjo e dyta, i vonshëm del gjakimi, e këtë e thotë viti i shkrimit të poezisë, viti 2011. Atdheu i dalë dore dje, nuk ikë për të bërë vend tjetër, se vetëm këtu ka substratin e sigurt, tjetër kund do të jetë si anije e shkallmuar në detin e dallgëzuar. E tillë del nëna, e shkallmuar nga gajlet për të birin, e një më pak vetëm kur ai fle qetas pranë oxhakut. Është nëna që e vështron nga thellësia e Alpeve, nëna e miliona

zemrave – Shqipëria, ëndrra e tij e djeshme, në të cilin ai nuk pështyn për plagët që nuk ia vjedh kush. Autori ka njëzuar nënën me mëmëdheun, se të dy rrinë zgjuar për bijtë e tyre, edhe në gjumë i shohin, ani pse personazhi lirik kot shqetësohet.

Kurdo të ketë shkruar Sabit Rrustemi (ka me dhjetëra libra), është e pa mundur të mos jetë marrë me motivin e dashurisë. Thua se ka lindur për të shkruar për dashurinë. Dashuria si ndjenjë dhe e bukura si kategori estetike kanë bashkëjetuar në poezinë e tij, kanë udhëtuar së bashku për një gjysmë jete të poetit, herë duke i dhënë, e herë duke i marrë njëra tjetrës, për t’u ngjizur në fund patjetër. Por, poezitë e këtij vëllimi me këtë motiv, në vend të dashurisë mbjellin ofshamë, në vend të bukurisë zverdhin pritjen. Koha e bën të veten, dhe për këtë natyrshmëri poeti është i vetëdijshëm, e di se hiri i djegur më s’bën prush (pop), ani pse ende e shtron vargun në letër si pendla e dallëndyshes, teksa bie lehtë, lehtë…

Vashëz e bukur e Bjeshkës

bri Sharrit t’moçëm

***

Gojëhapur mbeta

Aromën tënde duke thithur

Hapin tim duke nemur

Një gjysmë jete

Larg kësaj mrekullie

Kjo gjuhë e bukur, e thjeshtë dhe e ëmbël, natyrshëm që nuk mund të strukturohej edhe në poezitë me motiv politik, të cilat janë jo të pakta në numër., Nuk po i zëmë ngoje titujt e tyre, jo pse është në natyrën e shkrimeve tona, por pse secili lexues i identifikon lehtë poezitë e tilla. As edhe gjuhës së tyre nuk do t’u shtojmë ndonjë atribut, por do t’ia lëmë kohës t’i interpretojë dhe gjykojë pa hatërmbetje. Mund të mos jemi, as unë e as poeti, se janë bërë do vite jete, ama ky shkrim dhe poezitë me këtë motiv do të trajtohen patjetër. Në njërën anë vetëm vënia në pah e kësaj tematike të ndërlikuar dhe mosguximi im për të gjykuar pozicionin politik të poetit në poezi, në anën tjetër poezia e poetit që do të jetojë në letrën e bardhë të nxirë me shkronja të zeza. Mjaftohemi me një mendim si këshillim: më mirë do të qe që poeti të këmbëngulte për të vërtetën historike dhe kombëtare për ta shtresuar në vargun e tij, ashtu siç di ai, në vend se të fortifikohej në kampin e tij politiko-partiak, për çfarë lexuesi nuk ka interes. Pse ka ndodhur kjo, nuk arrij ta konceptoj; jam shumë i sigurt se poeti e di që poezia e fortifikuar në kampe nuk i qëndron kohës. E, aq më pak i qëndron kohës poezia e poetëve me emër, e Sabit Rrustemi ka bërë emër, emër të mirë bile.

Për dallim, të natyrshme dalin motivet e huazuara nga folklori burimor i Karadakut që janë strukturuar në vargjet poetike të shprehura me gjuhën metaforike, duke rindërtuar e ristrukturuar thëniet popullore. Gegërishtja e tij si rrëfim i shkëputur portretizon fizik e zotësi të personazheve lirike si dhe psikologjinë e rrëfyesve të dromcave etnografike.

Një motiv i shpeshtë që i ngjan një imazhi të kallur me eshkë e uror, mbetet ai i rakisë së shpisë, një traditë e të parëve, për ta shtruar me mikun, ndonjëherë edhe vetëm me vetminë.

Në këtë vazhdë interesimi për vjeljen e folklorit burimor duhet parë toponimia e sjell në këtë përmbledhje poezish. Një toponimi që nuk paraqet thjesht emërvende që do t’i shkonin aspektit gjuhësor. Ndonjë toponim del i korrigjuar dhe në të tilla raste etimologjia provon të shpjegojë të vërtetën për autoktoninë e këtij populli, ashtu siç veprojnë zbulimet arkeologjike me anën e gërmimeve (Lypeteni me të drejtë, për Luboteni).

Çepuri mbetet një nga toponimet që zë vend në shumë poezi të Sabitit. Kështu siç është shkruar, edhe më vështirë të nxirret farë etimologjie. Po qe se për bazë ka fjalën çepka, mund të ketë elemente të ndonjë mali të tharë trungjesh që në fshatra tjera njihen si çepojka, Por Çepuri nuk del ndonjë mal i tharë; po pati për bazë fjalën çep, përsëri, kodra nuk paraqet ndonjë dalje të tipit lëfyt, përkundrazi ajo ka trajtë çuke. Sido qoftë, Çepuri i Sabitit, nga një toponim Karadaku, rilindi në poezitë e tij, për të jetuar bashkë me to si një toponim letrar në radhë të parë.

Në anën tjetër, në aspektin letrar makro dhe mikrotoponimia e Karadakut ka pikturuar itinerare përshkruese me një shije të këndshme rurale. Një ritëm ecjeje përshtatur me ngjitjet e zbritjet kodrave, shpatinave e lugjeve të Çepurit (Rrotull Çepurit përmenden dhjetë mikrotponime), nga përbrenda shoqëruar me një meditim romantik, siç është romantike vetë natyra e kësaj ane:

Atë tambël zogu

për pikë e pimë

e nisemi Hijes së Madhe përpjetë

Te Laku i Tumës

si n’qafë t’kanjushes

frymë marrim.

Gjuha poetike është standardja, ndonjëherë stolisur me gegërishten që është thurje e qëllimshme, të cilës i beson poeti sepse qilimi i tij do të dalë i dekoruar, veç si endja në avlëmend e me dekor nyjesh tradite. Endja me penj-nyje të gegërishtes në avlëmendin e tij, i ka dhënë shije qilimit me dekor ndryshe, ku mund të ulet kushdo, po secili në vendin e vet. Ndonjëra prej poezive e ndërtuar krejtësisht me material gegë (Një rrëfim i nisur për Lilë Malokin), nuk kish sesi sillej ndryshe, sepse vjen nga rrëfime folësish kur shqipja nuk qe standardizuar. Ndërsa, shprehjet e fushave tjera, sportive a teknologjike, të tipit tajm-aut, çkodim, ndonjëherë gratis etj. në endjet e vekxhiut janë copëza arnash që mbulojnë pjesë petku të shqyer, të qepur jo mirë.

Një herrje e vogël, për sa i përket një tip standardizimi të shprehjeve të poetit edhe brenda një poezie, duket se mungon, sikundër ndonjë trajtë drejtshkrimi e paraqitur gabimisht. Prandaj, nëse ndonjë ditë, autori vendos ta ribotojë këtë libër, do duhej t’i kushtojë kujdes trajtave gramatikore dhe shprehjeve që duhet hiqen me patjetër, si dhe ndonjë vargu të rrallë që është ndërkallur pa dashje.

You Might Also Like