Libri

LIRIKAT E FJALËVE QË NUK HARROHEN

Vështrim letrar
Shefqet DIBRANI
LIRIKAT E FJALËVE QË NUK HARROHEN
()Naxhije Gashani, ”NËN DRITËN E SHPIRTIT TIM”, poezi, botoi Shtëpia Botuese ”BEQIR MUSLIU”, Gjilan 2015, faqe 80. ISBN 978-9951-594-71-4)
HYRJE
Vëllimi me poezi, ”NËN DRITËN E SHPIRTIT TIM”, i Naxhije Gashanit ndjehet si lirikë e thjeshtësisë dhe modestisë. Kjo vlerë bënë për ta përjetuar poezinë si fjalë që flet, si ndjenjë e pathënë për të përjetuarën, që nëpër kujtesë i përfytyrohet vazhdimisht. Në këtë vëllim poetik, Naxhije Gashani, hapësirën e saj të brendshme, e ka shndërruar në udhë: Udhë e dhimbjes, e mungesës, e dashurisë ose e shpresës! Poezia lë gjurmë që nuk fshihen, zë që s’harrohet, dritë që s’humbet, dhe në terrin e kohës ajo do ta gjejë, “mbi sofrën e yjeve/ e shkrin atë ngricë akulli prej dielli/ ku pjekur na janë stinët/ nga lindja”, (faqe 48). Poezia si e tillë është udhëtim shpirtëror i qenies shqiptare, plagë e një populli që ka përjetuar robërinë, por nuk është mposhtur kurrë. Në poezinë “Lërmë”, (faqe 22), poetesha kërkon qiellin blu për të larë sytë, “deri në përmasën e asgjësë”, (faqe 32), e pastaj, sikur nëpër pemë varët degëve të jetës, për ta ruajtur shtegun e dritës.
LERMË
Lërmë atë blu qielli t’i laj sytë pas shiut
timin vend nën diell t’i rris ëndrrat
E verbër s’do ngelet udha ime
Lërmë atë blu qielli t’i laj sytë pas shiut
kur ethe stuhish zë e marrin n’shenjë Diellin
E etur s’do ngelet vjeshta ime
Faqe 22.
Ndërsa në poezinë“Zë shpirti”, dashuria ka një përzierje me dhimbje të dukshme, por si e tillë ka krijuar një motiv të ngrohtë dhe përjetues. “Etja ime je/ erë e zjarrtë fytyrës në mua/ zë shpirti për sytë mbytur ujërave// Grusht kullës/ me rima ngujimi”, e cila herë i bëhet gjak, e herë dashuri që shprehet si “Mall imi je/ arenë e një drojë e dashuri/ zë shpirti për dejtë e ngufatur të gjakut”, dhe padyshim bëhet “Trok rime e çalë/ e herë e dalë pranvere”, që pas të gjithave i bëhet, “Këngë…/ që shqyen zërat thellësive, të shpirtit për këngët e fjetura”, kuptohet netëve me hënë stinëve të fjetura, (poezia ZË SHPIRTI, faqe 50).
NJË DITAR POETIK KU SPECIFIKOHET JETA SI EKZISTENCË
Vëllimi ”Nën dritën e shpirtit tim”, është një ditar poetik ku artikulohet jeta si ekzistencë e femrës, ku nënat, gratë, motrat, vajzat janë shtyllë e familjes dhe shoqërisë. Në poezinë “Përballë dashurisë”, nëna bëhet metaforë e mbijetesës së dashurisë në përditshmëri, në poezinë “Liria” ajo flet për plagën si përkufizim i lirisë, ndërsa në poezinë “Të jesh…”, jeta është frymëmarrje, është dhembje, është një lutje për dashuri, si dhe një kërkim falje dhe premtim që duhet përmbushur. Gjuha poetike shpreh butësi, por ka kuptim të thellë, përplot metafora që prishin qetësinë. Poezitë: “Gjuhë udhësh”, “Baladë jete”, “Emra çastesh”, “Gjurmëve të d(r)itës”, janë vetëm disa tituj, që duken sikur janë vegëza të një rrëfimi që ka mbetur kacavjerrë në kujtesën e poeteshës, por tani po ndërtohet ngadalë, dhe me ndjeshmëri po artikulohet si vepër edhe poezia e saj.
Vërtetë, Naxhije Gashani, jo vetëm se ka shpalosur një univers të brendshëm, ku fjalët i janë bërë më shumë se sa shenja gjuhësore, poezitë janë si frymëmarrje shpirtërore, janë kujtesë kolektive, dhe për më shumë, janë amanet ekzistencial. Poezia si e tillë lëvizë me ndjeshmërinë e dhembjes, ka shprehje të matur; ajo e njeh ëndrrën, prandaj nuk e ngatërron me iluzionin. Libri ”Nën dritën e shpirtit tim”, është një rrëfim lirik, i strukturuar mirë, ku ndjesitë personale artikulohen si përjetime universale. Vëllimi poetik i Naxhije Gashanit, është mozaik lirik me vlerë dhe me nisje të mbarë, poezia besinkërisht përcjellë ndjenjat dhe mesazhin e vet poeteshës.
Kërkimet e saj janë premtuese, udha që po ndjek është si gurrë lumi që gjithnjë gurgullon. E tillë është poetesha, ëndrrat s’kan se si shihen ndryshe, ato janë mishërim i idealeve të saj edhe në fushën e poezisë, të cilën e krijon si art e jo si domosdoshmëri. Prandaj vargut i jep shprehje poetike, për të rrëfyer me çiltërsi ndjenjën dhe preokupimin jetësor. Duke qenë libri i parë, poetesha është në kërkim të metaodave për t’i dhënë kuptimësinë e sakt mendimit lirik.
PANORAMË MUZGU
Muzgu ra
blu e qiellit mori ngiyrë nate
na e kujtoi borxhin ndaj d(r)itës
Muzgu ra
pelegrinëve drejt sheshit të dashurisë
fanar u bëri hënën
terri mori udhë
s’u pa
Faqe 5.
Ky vëllim karakterizohet edhe me mënyrën e meditimit: “Të fluturoj nuk mundem/ kam frikë lartësitë që kafshojnë krahët/ e tuba resh më shtrydhin sytë/ si shiun”, jo vetëm se është varg meditativ por modestia në raport me “lartësitë” është vlerë, sidomos kur sukseset i kanë edhe rreziqet.“Kur të zbres nën diellin tonë/ nga ai qiell ku ëndërrojmë të ngjitemi/ që kur përkundemi ëndrrash”, dhe nëse e sheh vetën në ngjitje të atyre latësive përseri lind dyshimi se “Ç’do të bëj me vetën pastaj…”, (poezia, LARTËSITË, faqe 9). Një medim kaq i sinqert, një modesti me po aq thjeshtësi njerëzore shpreh vetëdije për sfidat në rrugën e artit dhe të poezisë.
Poezia është strukturë tematike në kërkim të ekuilibrit artistik, të gjetjeve metaforike, të simbolikës dhe mesazhit, vlera këto që të gjitha janë me fillime të mbara. Poetesha Naxhije Gashani është në kërkim të vetes brenda së bukurës dhe artistikës lirike! Ajo i këndon tokës, por edhe qiellit, i këndon dashurisë por në të njëjten kohë edhe lirisë, e vetëdijshme se poezia në vetën e saj ka porosi poezitive, ka ndjenjë dhe sinqeritet të mbështjellë me thjeshtësi dhe modesti siç është natyra e saj njerëzore. Po ashtu e vetëdijshme se “dashuria kurrë nuk terrohet”?!
DASHURIA
Dashurinë s’e zë terri
Emrin marrë ka shesheve të dritës
Qielli i dashurisë
kurrë s’terroset
Faqe 59
Ndërtimi i vargjeve në tërësinë e vëllimit ka nëntekstin meditativ, fjala nuk bënë punë nëse vargu nuk përjetohet nga lexuesi, prandaj, “As fjala ime s’më duhet/ kur s’bën udhë n’gurgullimë damarësh/ kur ngjyrën e shpirtit s’ka/ as peshën e gurit t’i vë prita heshtjes”, (poezia MASË FJALE, faqe 69). Kjo poezi, edhe pse mjaftë e shkurtër, në vetvete ka një lloj brishtësie, i ka vlerat artistike, sepse vargu i kursyer ka artikuluar mendimin e kristalizuar. Subjekti krijues ka simbolikën e vet, i mbështetur në disa karaktere të cilat vijnë e ripërseriten aty këtu nëpër vargje, duke marrë kuptim të ri dhe duke përçuar një mesazh tjetër. Në përgjithësi Naxhije Gashani është vetvetja, sepse me këtë nismë kaq të sigurt, edhe unë mendoj se sukseset nuk do t’i mungojnë dhe se ajo është e vetëdijshme se duhet angazhim dhe përkushtim, i cili asaj nuk do t’i mungojë.
KUJTESA SI DETYRË MORALE DHE SHPIRTËRORE
Zëri i nënës, buka, drita, gjurma, guri, uji, nata, ndërtojnë “simbolin në poezi”, i cili është njëkohësisht rrëfim intim dhe dëshmi kolektive. Fjalët e saj nuk thërrasin vëmendje, por kërkojnë qetësi të thellë, edhe kur nuk shpërthejnë, përseri qëndrojnë si gurë në zemër dhe shpirt. Poezitë, nuk shprehin vetëm meditim poetik, por rrëfejnë një akt qëndrese dhe përkujtimi, ku çdo poezi është një element kujtimi, i mbrujtur me dashuri, për njeriun dhe për lirinë e tij. Po ashtu poezia është një zë artistik, i cili sikur refuzon të harrojë dhe të bëhet vet e heshtur. Ky motiv, është i artikuluar sidomos në vargjet e poezisë “Mos më zgjo”, jo nga dëshira për të ikur nga realiteti, por nga nevoja për ta mbajtur gjallë ëndrrën, si një akt rezistence ndaj harrimit. Kurse në poezinë “S’harrova”, që i kushtohet Valit, (nipi i poeteshës, dy vjeç, vrarë më 1998), dhimbja shndërrohet në dëshmi që do të mbetet përjetësisht e pranishme në kujtesën kolektive dhe personale për plagët e luftës, për heshtjen e ftohtë e cila shpërthen nga “ofshama e fundit e motrës”.
S’HARROVA
As këngët e trishta të zogjve shtegtarë
Malit të thatë pa pranverë
As lojën e këputur gjysmash të ndarë
Udhën e xhaxhait të ndërprerë
S’harrova
As qelqet e thyera netëve pahënë
Pëshpëritje lutjesh kruspull mbledhë
As ofshamën e fundit të motrës “oh nënë”
Ikjen e Valit* tej krahësh t’motrës hedh
S’harrova
As strehën e dergjur në zjarr e hi
Shkallët e mbyllura me therrë
As kokat e ngrira karvaneve nën shi
Mallin që shuhet n’portrete muresh vjerrë
S’harrova….
Faqe 66
Vërtetë, poezia “S’harrova”, e shkruar nga poetesha drenicase Naxhije Gashani është një elegji e fuqishme dhe thellësisht emocionale, e që do të ruan kujtesën e traumës kolektive dhe dhimbjes personale nga Lufta e Kosovës. Mesazhi qendror i poezisë është përkushtimi ndaj kujtesës, si një akt i qëndresës dhe i drejtësisë morale ndaj të kaluarës së përgjakshme dhe të padrejtë. Kujtesa është detyrë morale, e kundërta do të ishte tradhti ndaj viktimave, sidomos ndaj fëmijëve. Në përgjithësi, poezitë e Naxhije Gashanit, ndërtojnë një univers të pasur me emocione, simbole dhe meditime të thella mbi jetën, kujtesën, dhimbjen, ëndrrën, dashurinë dhe lirinë që përçojnë mesazhin se njeriu nuk është vetëm një trup që lëviz në kohë, por një ndërgjegje e thellë që lundron në kujtime, ëndrra, dhimbje dhe shpresë. Këtë mision poetesh e realizon përmes simbolikës si: Drita, nata, qielli, hëna, dielli, zëri, uji, rruga etj., të cilat si shprehje janë më të pranishme, duke formuar një simbolikë letrare, dhe bashkë me metaforat:“Trok rime e çalë / e herë e dalë pranvere”, i bëhet“zë shpirti për sytë mbytur ujërave”, dhe padyshim edhe “suvenir kriposur në detin e dhimbjes”, që lexohen si një përjetim emocional i thellë dhe i paharruar.
PËRFUNDIM
Vëllimi me poezi ”NËN DRITËN E SHPIRTIT TIM”, i Naxhije Gashanit është kërkim për dritë, por pa e mohuar terrin. Është lutje për pranverë, por e vetëdijshme për dimrin. Është shpresë e ngjizur në realitetin e ashpër, që vetëm në poezi mund të ruhet. Vëllimi poetik është arenë ku fjala bëhet mburojë e shpirtit dhe urë përtej kohës dhe harresës kolektive.
St. Gallen, Verë 2020-2025.

You Might Also Like