Gjilan, 5 janar 2021 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se numri i infeksionit me COVID-19 në Gjilan ka rënë në 97 raste aktive.
“Sipas vlerësimeve tona kemi 97 raste aktive me COVID-19 në Gjilan. Është rënie e pritur fal menaxhimit të institucioneve tona. U shprehim ngushëllime familjeve që kanë humbur më të dashurit. Edhe më tutje po luftohet me të panjohurën. Ulja e numrit të infeksionit nuk është numër që lejon komoditet. Festat familjare mund të kenë rritje të infeksionit që është vlerësimi i shtabit emergjent”, ka thënë Haziri në konferencën për media pas mbledhjes së Komitetit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Haziri ka apeluar qytetarët që t’i bartin maskat dhe ta mbajnë distancën.
“Mos pranoni shërbime dhe mos jepni shërbime pa masa mbrojtëse. Apeli im i dytë është që të gjitha lokalet e gastronomisë t’i shtojnë masat, t’i shtrëngojnë masat, që të mos pëlcasin burime të reja të infeksionit. Bashkë me Policinë dhe inspektoratin do të reagojmë në përputhje me ligjet në fuqi”, ka thënë Haziri.
Ai ka kërkuar që rastet e dyshimta me simptoma për virusin të lajmërohen te mjeku, në mënyrë që të parandalohet infeksionit në masë.
Kreu i Gjilanit, po ashtu, tha se nëse e përballojmë janarin me numër të vogël dhe pa raste të vdekjeve, atëherë po hyjmë në muajin e shpresës.
“Meqë e kemi në ardhje vaksinën, të luftojmë bashkë për t’i mbrojtur njerëzit tanë”, shtoi Haziri.
Në konferencën për media, kanë dhënë mesazhet e tyre edhe drejtoresha e Qendrës Rajonle të Shëndetit Publik, Dr. Ajhane Sefiu dhe drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Dr. Arbenita Hajdari.
Gjendja e përgjithshme në Gjilan që prej fillimit të pandemisë është kjo: nga 8002 mostra, 3097 kanë rezultuar pozitivë, 2907 janë shëruar, 96 e kanë humbur betejën, raste aktive janë 97, të hospitalizuar janë 26 pacientë dhe 70 mostra në pritje për rezultat.