Libri

ME NGJYRAT E JETËS…

Ibush VISHI
ME NGJYRAT E JETËS…
(Sherafedin Kadriu, KUR VDESIN NGJYRAT, vëllim me poezi, sh.b. “Beqir Musliu, 2025 )
Autori Sherafedin Kadriu njihet për kontribute të shumta si në krijimtarinë letrare ashtu edhe në studimet kulturore dhe kritike. Fjala e tij paraqitet si fjalë e zgjedhur, e mprehtë, e thellë dhe e urtë madje në krejt mënyrat e komunikimit. Tani, ky krijues po na vjen me librin e radhës – përmbledhjen poetike “Kur vdesin ngjyrat”, me motive e tema të ndryshme, shprehur nëpërmjet një emëruesi të përbashkët, kryesisht në dritën e kryefjalës – me emrin: ngjyrë. Ngjyrë e ngjyrime ndërtuar në dymbëdhjetë cikle: Ngjyrë legjende, Kundër ngjyrave, Lakmi ngjyrash, Ngjyra fëmijërie, Kur u grisën ngjyrat, Ngjyrat e vdekjes, Ngjyrat e lirisë, Kur preken ngjyrat, Ngjyrat e atdheut, Kur fshihen ngjyrat, Ngjyrat e ngushëllimit, Për ngjyrën e zezë!
Si e tillë, mendojmë se vepra ka një ton dhe vizion të thellë ekzistencialist. Status që e pranon edhe poeti, si te poezia “Në fund të vetmisë”, sado në parantezë: “(Unë ekzistencialisti)”, ku, si i zoti i vetëdijshëm i kuptimit të jetës së vet, pohon me habi:
“Kush është ai trim / Që të ofron përvojën e vdekjes”?!
Libri fillon me një “Si kallëzim jashtëletrar për këtë vëllim poetik”, – siç parathotë poeti, – në të cilin, me një densitet kulmor, ekstraktohet thelbi i veprës si thelbi i vetë jetës: për dhembjen, për realitetin, për nacionalitetin, për gjakimin…,sikundër edhe me urimin (lexuesit): Lexim të këndshëm!
Urim, por që në përkim me fatin e autorit të sëmurë rëndë dhe me përmbajtjen poetike, sado së lexuari “këndshëm”, sakaq gjendemi para një shqetësimi të dyfishtë, shpirtëror dhe estetik: përballë autorit plot sprovë jetësore dhe përballë veprës së shkëlqyer poetike plot ndjenjë të ngjizur në art të vërtetë. Ku, në binomin sinergjik lexues – fjalë e bukur mikun më të mirë e më të qëndrueshëm e kemi vetë vargun e poetit, i cili në këtë vepër na përqendron fuqishëm: njerëzisht, poetikisht e intelektualisht; me gjuhën, figurën, ritmin, me stilin dhe shprehjen e thjeshtë në dukje, por të thellë në përmbajtje, që është sa emocionuese aq edhe artistikisht tërheqëse dhe përmbushëse. Pa çka se, duke e personifikuar si një “udhëtar”, poeti e qorton vargun: “… u dogje / E kurrë s’u poqe”; që nuk është veçse edhe si një pasqyrim i modestisë së theksuar dhe metaforës vetvete, sepse vargu i tij është edhe vetë “hiri” i tij që i fal kohës edhe për kurdoherë…
Kështu, vëllimi poetik “Kur vdesin Ngjyrat” shquhet për ndërtimin e një universi, ku ngjyra, si një kod leximi i botës dhe shpirtit, shndërrohet në metaforë për jetën dhe stinët e saj, për dhembjen dhe ekzistencën. Me dymbëdhjetë ciklet poetike, ku në secilin prej tyre eksplorohet një aspekt i ndryshëm i ngjyrave si simbolikë e përvojës njerëzore, lexuesi mund të parashikojë e të përjetojë një udhëtim poetik nga legjenda e deri te realiteti. Madje, përfundimisht, edhe me ngjyrën e paprovuar, por të pranuar si një realitet të pritshëm me vetëdije racionale, si të vetmen përvojë të paprovuar, por edhe “si të pakapërcyeshme“.
Në këtë mënyrë, tërë trajektoren e veprës e përshkon ngjyra, si një figurë polisemike, ose edhe nuancat e ndërkohshme të saj në përkim metaforik me fazat jetësore. Trajektoren e veprës, që në këtë rast e konsiderojmë edhe si sinonim të trajektores jetësore të autorit, por jo vetëm të tij… Pra, edhe të kolektivitetit, – të bashkësisë unike së cilës i takon, – që është Atdheu. Fatin e të cilit mund ta ilustrojmë me poezinë “Hije pa diell”, me po ashtu nëntitull në parantezë vargun e Migjenit: “(Dielli do ndrrojë udhën: ka për t’u lindë nga Përendimi…)”, ku poeti Sherafedin Kadriu thotë:
Se
Pa shikimin kah lind perëndimi
Dymijë vjet kemi parë hije pa diell.
Vizion lirie e përparimi dhe vargje që të përkujtojnë edhe vargun e Naim Frashërit: “Jak’ o dit’ e uruar! / Që lind nga perëndon…” Si një vizion dhe përpjekje e epokës së Rilindjes Kombëtare në gjirin e qytetërimit perëndimor që ende nuk u përmbush plotësisht…
Ndërsa, me shkas dashurinë ndaj jetës, le të përmend KUR VDESIN NGJYRAT edhe poezinë “Poezia e jetës sime“, ku poeti, me gjithë sfidat dhe represionin e përjetuar, përfundimisht me optimizëm të natyrshëm, thotë: “Po bëhem me Jetën! / Para se t’më marrë Vdekja!” Poezi që zbërthen raportin e individit me kohën dhe ngjarjet, përmes një përmase edhe tejpersonale. Me jetën, që urojmë ta gëzojë!
(Kaçanik, maj 2025)

You Might Also Like