OPINION

Me rastin e 77- vjetorit të ekzekutimi i Aqif Blytës dhe Ahmet Dacit

“Unë do të kthehem në Pazarin e Ri, le të bëhet si të bëhet!” “Mos Aqif, do të vrasin komunistët!” – i kishte thënë Biko; “Nëse jam fajtor, le të më vrasin, unë nuk ndihem fajtor, as para Zotit, as para popullit!”

Ismet Azizi

Pas ndërprerjes së sulmeve çetnike ndaj Pazarit të Ri, në fund të vitit 1941, u rrit aktiviteti i komunistëve në Sanxhak. Ndërkohë ishte formuar Milicia Vullnetare Popullore Myslimane. Formimi i “Milicisë myslimane” filloi në gjysmën e dytë të vitit 1941, si kundërpërgjigje ndaj masakrave çetnike të popullsisë jo serbe, në fund të 1941, e në fillim të 1942, dhe kishin për qëllim mbrojtjen e fshatrave të banuar me shqiptarë dhe boshnjakë nga njësitë çetnike, por edhe nga ato partizane. Harun Crnovrshanin thekson: “Mund të thuhet me siguri të madhe se ata ishin garantues i mbijetesës së popullsisë myslimane (shqiptare e boshnjake).Më vonë, përveç formimit të Milicisë Myslimane, e cila përbëhej nga vullnetarët, shqiptarë e boshnjakë, në vitin 1943, gjermanët formuan të ashtuquajturën shuq-policinë, të cilën e komandonte Biko Dresheviq“. Ajo ishte shumë mobile dhe, përveç që mbrojti Pazarin e Ri nga sulmet çetnike, arriti të ruajë edhe popullatën e Peshterit nga tendencat e çetnikëve për t’i shfarosur”.

Por, në kohën kur po afrohej përfundimi i Luftës së Dytë Botërore dhe ushtria gjermane po pësonte humbje në të gjitha frontet, “Milicia Myslimane” në Sanxhak, përjetoi fundin e saj. Megjithatë, ajo vazhdoi të rezistojë. Kah fundi i viti 1944, janë zhvilluar luftime të ashpra me partizanët, të cilët ishin nisur për ta mposhtur “Milicinë Myslimane”. Divizionet partizane kah fundi i viti 1944, u futen thellë në Sanxhak dhe i shkaktuan humbje pjesëtarëve të Milicisë Myslimane në të gjitha qytetet kryesore. Në ditët e para të gushtit të viti 1944, partizanët e Peko Dapçeviqit, hynë në Sanxhak, nga Mali i Zi, dhe në malet e Rogoznës dhe në Llukarë në afërsi të Pazarit të Ri, arritën t’i vrasin 200 ushtarë shqiptarë (xhandarë). Për shkak të koncentrimit të madh të gjermanëve në Pazar të Ri, forcat aleate bombarduan qytetin tre herë, ku u vranë 600 gjermanë dhe mbi 2000 myslimanë (shqiptare e boshnjak). Në të njëjtën kohë partizanëve iu bashkuan çetnikët e rrethinës të cilët kishin rrethuar qytetin, ndërsa gjermanët dhe Milicia Myslimane u tërhoqën në drejtim të Senicës, ndërsa një grup i luftëtarëve, në mesin e tyre edhe Aqif Blyta, Hasan Zvizdiqi, vëllezërit Dreshaj, u larguan në drejtim të Kosovës, Greqisë dhe Shqipërisë. Pas konsolidimit të pushtetit komunist, partizanët ekzekutuan elitën e Pazarit dhe viseve tjera të Sanxhakut. “Trupat e varur dhe të ekzekutuar partizanët i kanë hedhur në gropat të krijuara nga bombardimet e forcave aleate. Të nesërmen në qytet publikonin listat e të zhdukurve të cilët pushteti i cilësonte si “armiq të popullit”. Për t’i humbë gjurmët këtë lagje e shndërruan në lagje banimi. “Prej tetorit te vitit 1944 komunistet mbajtën një regjistër të atyre që morën dënime të rënda, përfshirë edhe dënimin me vdekje. Emrat e martirëve të vrarë mund të gjenden në listat e regjistruara në të ashtuquajturat gjyqet e popullit. Dënimet e tilla me vdekje në fakt diktoheshin nga Partia Komuniste, teksti i kalohet UDB dhe lexohej ne gjykatë vetëm për të krijuar përshtypjen e një gjykimi të drejtë demokratik”.

Funksionari i regjimit komunist, në atë kohë SKOJ-ist (LRKJ-së, anëtar i Lidhjes së Rinisë Komuniste të Jugosllavisë), Ramiz Crnishanin, në veprën e tij „Priče iz Tijesne čaršije” (“Tregime nga çarshia e ngushtë”), në të cilën arsyeton shumë veprime të këqija të regjimit komunist, lidhur me krimet në Haxhet, lagje e Pazarit të Ri, sot e banuare, ndër të tjera, thotë: “Përderi sa isha i shtrirë në shtrat nga sëmundja, gjatë natës kam dëgjuar krisma, të cilat vinin nga Haxheti. Ishin krisma nga ekzekutimi i armiqve të popullit… vendimet për jetë dhe vdekje i ndërmerrnin individët. Posaçërisht në zë të keq ishte Gjorgje Ostojiq (Peruninçiq), major i OZN-ës…, por si duket nuk e kishte ndërgjegjeje e pastër as Voja Lekoviq, sepse disa herë më ka pyetur se mos ata atëherë e kanë tepruar me ato ekzekutime?!“

Gjatë netëve të errëta e të ftohta të viteve 1944 –1946, të dënuarit me vdekje nxirreshin nga qelitë, ngarkoheshin në kamion dhe dërgoheshin në vendet e braktisura. Gjatë luftës antifashiste në këtë krahinë ishte zhvilluar një luftë e drejtë antifashiste, ku dalloheshin shqiptarët dhe boshnjakët, por, me të mbaruar lufta, politikanët e Serbisë dhe Malit të Zi do të bëjnë pazare dhe do ta ndajnë këtë trevë ashtu si provuan ta ndajnë edhe Kosovën. Ndarja ngjau me fajin e faktorit të brendshëm, por edhe në saje të raportit të forcave politike dhe ushtarake.

Edhe pse pritej që trupat partizane të futen në Pazarin e Ri, Aqif Blyta, megjithatë, siç tregojnë dokumentet e kohës, nuk hoqi dorë nga rezistenca e armatosur kundër partizano-çetnikëve serbë. Sipas Emin Fazlisë, Blyta merr pjesë aktive në Mbledhjen e Komitetit Qendror të LNDSH, të mbajtur në ilegalitet të thellë në Prizren, më 28 nëntor të vitit 1944, pikërisht në ditën kur trupat partizane e çetnike futen në Pazarin e Ri. Ky tubim i KQ të LNDSH-së, mori këto vendime programore instruktive, politike dhe ushtarake. ”Tani ngadalë, por sigurt, Drenica po bëhej qendër e luftës për liri. Mandej, Lëvizja NDSH do te shtrihet edhe ne rajonin e Maqedonisë, ku shqiptarët janë ne trojet e veta, dhe do të drejtohet nga Komiteti i Shkupit. Që të dy Komitetet edhe ai i Kosovës me qendër në Prizren, do të bëjnë betimin dhe do të pajtojnë programin politiko-ushtarak”.

Ne realizimin e Programit të luftës për Shqipërinë Etnike, ne Shalë të Bajgorës kishte filluar te rekrutoheshin anëtarët e rinj të LNDSH-së, sikurse edhe ne territorin e Zveçanit. Ne Shalë të Bajgorës vepronte një Nënkomitet i LNDSH-së, i cili drejtohej nga Bislim Bajgora dhe Haradin Fazliu – Vidishiqi. Në krye të Komitetit për rrethin e Mitrovicës ishte ende Ibrahim Lutfiu, mik i ngushtë i Aqif Blytës

Për bëmat e partizanëve pas marrjes së pushtetit në Sanxhak shkruan H Çengiq: “Kur çetnikët ndërprenë therjen e popullit, filluan partizanët të qërojnë hesapet me popullin mysliman të Sanxhakut. Ata vranë të arsimuarit, elitën kombëtare, ata të cilët nuk pajtoheshin me ideologjinë komuniste,…i merrnin zakonisht gjatë natës, i “gjykonin”, i dënonin dhe ekzekutonin,… u dënuan vetëm s kishin luftuar kundër hordhive çetnike,…. Çetnikëve iu falën të gjitha mëkatet, sepse në vitin 1944 i amnistuan por jo edhe të tjerët.

Në këtë kohë, krahas arrestimeve, burgosjeve dhe vrasjeve, komunistët jugosllavë po zhvillonin edhe një luftë të ashpër kundër gjuhës shqipe, sipas raportit të CIA-s. “Pushtuesit e rinj pretendonin se gjuhës shqipe i mungonin termat adekuate dhe, si rrjedhojë është e pamundur që të përdoret në rrethana të reja”. Si rezultat serbët u përpoqën t’i bindin shqiptarët se ekzistenca e shqipes në vendet ku përdorej serbishtja, ishte e pa vlerë, pasi që shqiptarët kuptonin serbisht. Pse mos të konkludojmë se sukses më të madh, apo edhe të plotë pati tek popullata shqiptare e Sanxhakut, sidomos ajo e Peshterit dhe krahinës së Rozhajës”.

Sipas Hatixhe (Çarovac) Nikshiq“Gjatë rrugës, duke u larguar nëpër Kosovë, Aqif Blyta, në momentet e fundit, ndërron mendjen dhe vendos të kthehet në Pazar. Ai u drejtohet Dreshajve, “Unë do të kthehem në Pazarin e Ri, le të bëhet si të bëhet!” “Mos Aqif, do të vrasin komunistët!” – i kishte thënë Biko; “Nëse jam fajtor, le të më vrasin, unë nuk ndihem fajtor, as para Zotit, as para popullit!” Ishin fjalët e fundit që i kishin shkëmbyer Aqif Blyta dhe Bik Dreshaj me rastin e ndarjes nga bashkëluftëtarët. Ata ishin larguar në drejtim të Greqisë. Para se të kapet nga komunistët, Aqifi u strehua tek të afërmit e bashkëshortes së tij, në familjen e Kumani, ku, pasi ishte zbuluar, kishte ardhur personalisht Ali Shukriu për ta arrestuar. Ishte i armatosur. Në dorë mbante granatën, por, për shkak se në shtëpinë ku ndodhej, ishin edhe motra e tij, Azizja, me pesë djemtë e saj dhe të bijën, Veziren, nuk ndërmori asgjë, pra nuk rezistoi. Në shenjë keqardhjeje, Ali Shukriu i drejtohet Aqifit me këto fjalë: “Po edhe ty duhet të të dorëzoj”? Aqifi nuk ndihej fajtor, “Nuk do të më harrojnë fëmijët e Pazarit” ishin ndër fjalët e tij fundit!“Pasi ishte mbajtur në arrest 21 ditë bashkë me Ahmet Dacin, Peruniçiq merr vendim për ta ekzekutuar. Ky kriminel më vonë është dënuar si informbyroist dhe në rrugë për në Goli Otok ka bërë vetëvrasje duke kërcyer nga treni. Gjatë qëndrimit në burg, kriminelët komunistë i kanë munduar shumë Aqif Blytën e Ahmet Dacin. Jo vetëm që i kanë rrahur, por edhe ua kanë shkulur thonjtë e gishtave të duarve e këmbëve. Kur nëna ime ia ka ndërruar teshat dhe çarçafët, asnjëherë nuk ka mundurt’i pastrojë si duhet, prandaj nuk ua ka dërguar më. Gjithherë është dashur çarçafë të tjerë, pra të reja. Në burg me ta kanë qenë edhe Nazim Kovraiq, i cili ka shpëtua, Huzeir Ljaiq, gjithashtu, mandej Sulejman Beg Rasovac, të gjithë kanë qenë njerëz me nam. Para se ta ekzekutojnë, Aqifit i kanë dhënë injeksion, prandaj nuk ka mundur ta thotë asnjë fjalë. Kur djaloshi, i cili ka shërbyer te ne, i ka sjellë çarçafët dhe batanijet nga burgu, me at rast nëna ime kur ka vërejturnjollat e gjakut dhe të plagëve, ka tentuar të bëjë vetëvrasje, por të afërmit e kanë evituar. Të nesërmen, Haitxhja, motra e Aqifit mbledh fuqinë dhe, me hafiz Muharrem Kaçaporin, kanë shkuar në Haxhet për ta vizituar vendin ku i kishin hedhur kufomat në gropë. E gjetën kufomën e Aqifit, pothuajse krejtësisht të zhveshur, sepse paraprakisht, para se ta ekzekutonin, nuk i kishin lënë pothuajse asgjë në trup. Ia kishin plaçkitur orën e dorës, rrobat madje edhe këpucët ia kishin zbathur. E mbuluan kufomën, e kryen ritualin e varrosjes sipas rregullave fetare, ndërsa me të shpejt u detyruan të largohen, për shkak se pushtetarët, për të penguar ritualin fetar, i kishin provokuar duke i gjuajtur me armë nga ndërtesa e burgut. Pushteti komunist, jo vetëm që e vrau Aqif Blytën, por edhe ia konfiskoi tërë pasurinë,e keqtrajtoi fizikisht e psikikisht bashkëshorten e tij, e cila dikur ishte zonja e parë e qytetit. Ajo përfundoi si rast social dhe vdiq në vitin 1982!” – thotë, ndër të tjera Hatixhe -Hatka (Çarovac) Nikshiq.

Pas depërtimit të forcave partizane jugosllave në ato treva, Aqif Blyta iu dorëzua organeve të pushtetit partizan në Gjakovë, të cilët e çuan në Pazarin e Ri. Mbas torturave mizore, që i bën OZN-a jugosllave bashkë me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë, Ahmet Dacin, publikisht para masës popullore të sjellë gjithashtu me dhunë, i ekzekutojnë në Haxhet (lagje e sotme e Pazarit të Ri) me 21 janar 1945. Aqif Blyta, ndër të tjera, sipas vendimit të Komisionit shtetëror për përcaktimin e krimeve të okupatorit dhe ndihmësve të tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, është akuzuar për bashkëpunim me pushtuesit gjermanë, për lidhje me Komitetin Kombëtar Shqiptar nga Kosova dhe Dukagjini, me ndihmën e të cilit veproi në drejtim të bashkimit të qarkut të Dezhevës (Pazar të Ri), Shtavicës (Tutin) dhe atë të Senicës me Shqipërinë, mandej për vrasje masive, dëbimin dhe plaçkitje të popullsisë ortodokse, për pjesëmarrje dhe organizim të policisë myslimane dhe në trupat SS në trevën e Pazarit të Ri, si dhe për ri-futjen e (nametit) feudale për serbët. Në aktakuzë gjithashtu shkruan sa Blyta udhëhoqi me një trupë të caktuar, e cila quhej Shtab për shpërnguljen e Serbëve.

Me aktvendimin e gjykatës së divizionit ushtarak të krahinës së Sanxhak, nr. 6 e 19 janar 1945, Blyta u dënua me vdekje. Autoritetet ushtarake fillimisht kërkuan varje publike, por ai vendimi ishte revokuar dhe Blyta ekzekutohet. Insistohej që ekzekutimi të jetë publik dhe ai është kryer më 21 janar 1945, në ora 11,00, në Pazar të Ri.

Shumica e njerëzve në Sanxhak e dinë se Acif Effendiu u pushkatua nga partizanët në kodrën e Haxhit në Novi Pazar më 21 janar 1945, së bashku me 1500 boshnjakë të tjerë. Trupat e tyre u hodhën në gropat e mëdha të krijuara nga bombat e avionëve aleatë gjatë bombardimeve të Novi Pazarit në nëntor 1944. Për të fshehur krimin e tyre, komunistët pas luftës ndërtuan një vendbanim mbi këto gropa! Nga të gjithë, vetëm Aqif Effendiu dhe Ahmet Daca u qëlluan publikisht për të frikësuar popullatën e tregut. Për këtë krim nuk lejohej të flitej e aq më pak të shkruhej. Ekzekutuesit komunistë i vendosën eshtrat e Acif Effendiut dhe të viktimave të tjera thellë nën themelet e ndërtesës së kuqe “Musala” dhe shtëpive private që ndodheshin përballë spitalit të qytetit.

Populli i Sanxhakut, mblodhi fuqinë dhe rehabilitoi Aqif Blytën, i cili përfaqëson njërin ndër personalitet më të ndritura të Sanxhakut. Populli e bëri këtë hap nëpërmjet përfaqësuesve të vet në Këshillit Kombëtar Mysliman të Sanxhakut, më 11 maj të viti 1991. Por, pushteti aktual ende, edhe pse i rehabilitoi të gjithë ata që ishin përfshirë në Luftën e Dytë Botërore, tashmë edhe D Mihailoviqin, lënda e Aqif Blytës ende ndodhet e pazgjidhur nga organet gjyqësore. Prokurori i lartë publik në Novi Pazar qysh në fillim të viti 2015, ka sugjeruar që procesi rehabilitimit të Aqif Blytës, paraprakisht ligjërisht duhet të konstatohet vdekja. Këshilli Kombëtar Boshnjak ka kundërshtuar këtë propozim, sepse, siç thonë, vdekja e Aqif-efendi Blytës është një fakt i mirënjohur. Këshilli Kombëtar Boshnjak, në vitin 2012, ngriti pllakën përkujtimore për ta nderuar Aqif Blytën në një hapësirë ku mendohet se ishte shtëpia e tij, që sado pak t’i dalë hakut këtij vigani popullor.

/Fusnotat mund t’i merrni te autori/

You Might Also Like