LAJME

Mesazh nga e bija Alida, për babain e saj, gazetarin Hasan Bunjaku

Mesazh nga e bija, Alida:
Babi, ike nga kjo botë nga e cila do ikim të gjithë, po më le kujtime aq të bukura që do të më përcjellin deri në fund të jetës sime. Kujtime jo thjesht vetëm të një babai, po njëkohësisht edhe të një shoku të pazëvendësueshëm jete. Me ty bisedat ishin aq të këndshme e të lakmuara nga çdo vajzë me pasë këso komunikimi babë e vajzë si unë me ty babi, e besa të paparamenduara nga shumë vajza me baballarët e tyre. Të gjithë jemi krenarë me bagazhin e bujshëm jetësor që le pas e që kjo tregon se ti je i gjallë edhe pse nuk je më në këtë botë. Dilnim shpesh së bashku në vende të ndryshme po vendi yt i preferuar ku gjeje qetësi shpirtërore ishte Kristali, se aty takoje shokë e dashamirë të cilët na bashkangjitheshin e të jepnin kënaqësi kujtimesh me ta e qebesa edhe unë kënaqesha e njëherit krenohesha shumë me ty. Edhe pas vdekjes sate në të pame gjatë bisedës ngushëlluese nga shoku yt Nexhmendin Ymeri mora vesh që isha vajzë përkëledhëse e jotja e kjo më bëri të ndjehem edhe më mirë. Përmes këtij shkrimi të falënderoj shumë për çdo gjë me shpresë se shpirti yt do ta lexojë këtë shkrim emocionues e njëherit lutem që ti Babi e krejt të dashurit tanë që keni ndërru jetë qofshi banorë Xhenneti e edhe ne kur të vijmë poashtu xhenetlinj e u takofshim mes vete.
Krejt në fund i falënderoj të gjithë familjarët që na u gjendën për çdo nevojë para dhe gjatë ceremonisë mortore e edhe në tri ditët e të pameve, si dhe falënderim i posaçëm shkon për krejt njerëzit që e kujtuan nëpër portale e rrjete sociale e që ishin të shumtë, si dhe të gjithë që erdhën me na ngushëllu e qebesa nga fjalët e përshkrimet e tyre me takimet me ty babi na kanë bo aq shumë krenarë sa mërzinë e mbyste krenaria.
Të don e të kujton deri ne pafundësi vajza jote e vetmja Alida me lutjen të qoftë i lehtë dheu!

You Might Also Like