Futboll

Mesud Zymberi, talenti i madh i futbollit të Kosovës që premton një të ardhme të ndritur

Shkolla e Futbollit “Arbëria” në Gjilan, nën drejtimin e trajnerit të mirënjohur Ismet Ramushi, po vazhdon të jetë një “fabrikë” e vërtetë e talenteve. Së fundmi, vëmendjen e opinionit sportiv e ka rrëmbyer sulmuesi i krahut të majtë dhe kapiteni i kësaj skuadre, 15-vjeçari Mesud Zymberi.

Viti 2025 ka qenë kulmi i sukseseve për talentin gjilanas. Përveç performancave në fushë, vlerësimi zyrtar erdhi nga Komuna e Gjilanit, e cila e shpalli Mesud Zymberin “Shpresa e Vitit për Sport”. Ky çmim vjen si dëshmi e punës së tij të palodhshme dhe talentit të rrallë që ai zotëron, duke e konfirmuar atë si një nga projektet më premtuese të futbollit kosovar.

Zymberi nisi hapat e tij të parë në fushën e blertë që në moshën 8-vjeçare. Sot, pas shtatë viteve punë intensive, ai shfaq një pjekuri të lartë loje, duke u dalluar për disiplinën dhe përkushtimin e tij të pashoq.

“Me futboll kam filluar nga mosha 8-vjeçare. Për mua futbolli është gjithçka dhe dua të prek majat e këtij sporti,” shprehet Zymberi. Ai nuk harron të vlerësojë rolin e familjes dhe trajnerit të tij: “Për këto suksese meritë të veçantë ka familja ime dhe trajneri Ismet Ramushi, i cili po dëshmon se përpos që ishte futbollist i madh, po bëhet edhe një trajner i shkëlqyer.”

Talenti i Mesudit përkthehet në shifra të frikshme për kundërshtarët. Gjatë sezonit 2023-24, ai shënoi plot 31 gola në vetëm 15 ndeshje, performancë kjo që i siguroi trofeun e “Këpucës së Artë”. Makineria e golave nuk u ndal as në sezonin 2024-25, ku realizoi 30 gola, duke u shndërruar në një “makth” për portierët kundërshtarë.

“Jetoj për të shënuar gol. Gjatë tërë ndeshjes mendja më rrin vetëm te realizimi. Kur nuk shënoj ndihem keq, por meritë kanë edhe bashkëlojtarët e mi të cilët janë të shkëlqyeshëm,” thotë “bomberi” gjilanas.

Paraqitjet e tij nuk kanë kaluar pa u vërejtur nga përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës U15, Ilir Nallbani, i cili e ka ftuar Zymberin të mbrojë ngjyrat e “Dardanëve”. Për Mesudin, kjo është një ëndërr e bërë realitet.

“Është një ndjenjë e papërshkruar të mbrosh ngjyrat e shtetit tënd. Do të jap më të mirën që Kombëtarja U15 të ketë rezultate pozitive,” premton ai.

Në aspektin personal, synimet e tij janë të qarta: ai ëndërron që një ditë të luajë për gjigantin gjerman, Bayern Munich, ndërsa idoli i tij është ylli gjerman, Joshua Kimmich.

Trajneri i tij, Ismet Ramushi, ka vetëm fjalë miradie për kapitenin e skuadrës: “Mesudi është një talent i jashtëzakonshëm. Të kesh një lojtar si ai në ekip është kënaqësi. Është punëtor i madh, ka disiplinë dhe një nuhatje të rrallë për golin. Është një ‘snajperist’ i vërtetë para portës.”

Futbolli gjilanas dhe ai kosovar duket se kanë gjetur një pasuri të re. Mesud Zymberi është një emër që premton shumë, dhe me hapat që po bën, e ardhmja e tij në futbollin evropian duket e sigurt.

You Might Also Like