Shkruan: Hasan BUNJAKU, gazetar
Tashti, kur në Gjilan po mbahet “Flaka e Janarit”, nuk duhet harruar kontributin e nismëtarëve të këtij Evenimenti grandioz, për idetë, konceptim dhe fizionominë iniciale, projektuar që para 26 vitesh, e të cilat, dhe mbi të cilat “shtylla” kryesisht edhe është mbajtur e po mbahet sot e asaj dite. Nuk duhet harruar as kontributin e atyre që sakrifikuan jo pak që deri më 1999 ta mbajnë të gjallë këtë flakë, ndonëse përbrenda një kazani të madh okupues të soldateskës serbe, e si sfidë ndaj të cilëve, edhe po mbahej i njëjti. Të mos harrojmë as kontributin e një armate të tërë veprimtarësh e krijuesish, që, edhe pas luftës e në liri, e vazhduan këtë traditë e deri tek ditët e sotme, gjithnjë duke e begatuar me forma të tjera, por, kryesisht, pa i lënduar ato themelet mbi të cilat kjo flakë s’u shua asnjëherë. Ja, që nga sivjet, e me forcimin e edhe të një lëmi të ri kulturorë, Trashëgimia dhe Muzeu Rajonal, edhe kjo formë e re “Foto-Flaka”, që për synim ka ruajtjen e mbrojtjen e një mbamendje, do të thoja, pse jo – historike, e që i ka munguar pak a shumë deri më sot, shumicës së veprimtarive, veçmas artit skenik dhe atij muzikor, sepse ai letrar, që me kohë, me konstituimin e Revistës Kulturore-letrare “Agmia”, lente gjurmë në veprimtaritë e kësaj shtylle, sikundër edhe atij të Artit Pamor, të cilët, kryesisht, ekspozitat e tyre kolektive, i përcollën me katalogje gjegjëse. Do të jetë me vlerë të madhe kjo nismë për këtë formë të re, sepse, nëse kjo nuk është bërë deri më tash, tash e tutje do të grumbullohen materialet e fotot që në një mënyrë e kanë dëshmuar apo dokumentuar rrjedhën e “Flakës së Janarit” nga viti në vit. Kjo, sepse kemi prirje të harrojmë shumë si popull, e pra as ne nuk bëjmë përjashtim nga ky huq. E kemi, por edhe një prirje, që t’i harrojmë edhe ata që nuk do guxonim t’i harrojmë, deri edhe tek ata që e NDEZËN këtë flakë dhe që në “shpatulla të veta e bartën këtë Manifestim”, sepse “çdo gjë nisë nga unë e nga ne” e kush ishte ai gurthemeltari as e çan kush kokën. Që kjo të mos ndodh, madje as “pahiri”, do ishte e udhës që në ato bordet, Këshillat, Stafet e Grupet organizative, për shkak të ruajtjes së një kontinuiteti, të gjenden edhe ndonjë nga ata pak iniciatorë të evenimentit. Prandaj, për ta përligjë atë sentencën latine “Verba volant – Scripta manent”, kjo formë e monumentimit të Manifestimit e të Kujtesës sonë Kolektive për të, për ta fiksua çdo moment, ngjarje e ndodhi e në çdo kohë me dokumente të shkruara, e veçmas fotodokumentacione e madje edhe në forma të sofistikuara tashmë të teknologjisë informative – do të mbahet gjallë kjo Kujtesë, e, ajo çfarë është madje domosdoshmëri kohe, ndonëse vonë tashmë – nga ekspertë të lëmenjve të caktuar të të katër shtyllave, apo sa u bënë tashmë, të shkruhet sa më parë një MONOGRAFI për Manifestimin, siç do e bënte cilado qendër komunale, po ta kishte një perlë çfarë e posedojmë ne, e çfarë do duhej të mbahej ,mbrohej e ruhej nga stërkeqja, sepse do u hynim në hak organizatorëve, sikundër edhe atyre që në mënyrë decidive u dedikohet – viktimave, martirëve, dëshmorëve e heronjve të kombit të të gjitha epokave tona historike.