ARSIMI

Musa Ibrahimi, mësuesi që hapi një botë të madhe njohurish për nxënësit

Në ditëlindjen e 87-të

Musa Ibrahimi, mësuesi që hapi një botë të madhe njohurish për nxënësit

Ai pjesën më të madhe të jetës së tij ia kushtoi arsimimit e edukimit të brezave të rinj e kur atdheu e kërkonte u vu edhe në mbrojtje të shkollës shqipe dhe në përkrahje të aktiviteteve sindikale, kulturore e sportive.

Sikurse kur ishte i ri e sikur tashti ai vazhdon të ec me pedanteri e ka ruajtur qëndrimin prej mësuesi e kur flet për arsimin e për nxënësit, të jep përshtypjen se mbase sot pati një orë mësimore që sapo e ka mbaruar suksesshëm me nxënësit e tij. Këtë të martë ai mbushi 87 vite e mësuesit Musa Ibrahimi gjithçka i kujtohet sikurse të kishte ndodhur dje.

Ai pjesën më të madhe të jetës së tij ia kushtoi arsimimit e edukimit të brezave të rinj e kur atdheu e kërkonte u vu edhe në mbrojtje të shkollës shqipe dhe në përkrahje të aktiviteteve sindikale, kulturore e sportive.

Me ditar në dorë që në moshën nëntëmbëdhjetëvjeçare

I lindur më 10 janar 1936 në Përlepnicë, mësuesi Musa (Jakup) Ibrahimi Shkollën fillore e kreu në fshatin e tij të lindjes në vitin 1948 e më pastaj vazhdoi progjimnazin në Gjilan. Në vitin shkollor 1949/1950 mbaroi shkollën e mesme bujqësore në Gjilan e në vitin 1951 gjerë në vitin 1954 vijoi Shkollën e Mesme të Normales në Gjakovë, ndërsa vitin e katërt të normales e kreu në Prishtinë në vitin 1955. Dëshirë e tij e kahershme kishte qenë që të bëhet mësues, andaj gjithnjë në kërkim të njohurive në këtë profesion të shenjtë, pas këtyre shkollimeve dhe kualifikimeve, mësuesi Musa më pas e kreu Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjilan.
Ëndërra e tij u bë realitet në vitin 1955, kur në moshën nëntëmbëdhjetëvjeçare nisi punën me ditar në dorë Në fillim punoi në shkollën e vendlindjes (1955 për disa muaj), pastaj vazhdoi mësimdhënien në fshatin Otle të Kumanovës në vitin 1955/56/57. Ai atje punoi së bashku me Nexhmedin dhe Shefki Sejdiun, babanë dhe mixhën e Prof.dr.Fatmir Sejdiut, ish-president i Kosovës. Prej vitit 1957 deri më 1960 ishte mësues në Pogragjë, për t’u kthyer më pas  mësues në vendlindje – Përlepnicë nga viti 1960 deri më1966.
Në Gjilan nis karrierën prej mësuesi në vitin 1966  e deri më 1973 në shkollën” Musa Zajmi ” dhe nga viti 1973 deri më 1998 ishte mësues në shkollën fillore  “Selami Hallaqi” në Gjilan, ku edhe u pensionua në vitin 2001.
Në procesin edukativo arsimor mësuesi Musa dallohej për pedanteri, komunikim me nxënës, shpjegim të rrjedhshëm dhe oratori, kërkonte disiplinë dhe angazhohej ditë e natë, vetëm e vetëm për të  pasur suksese dhe sa më shumë nxënës të shkëlqyeshëm.

Mësues në klasën që ishte shembull i veçantë tek ne

Teksa flet për nxënësit e tij, mësuesi Musa Ibrahimi veçon një paralele, klasa e I-3 e vitit 1984/1985 ku mësuesi ishte kujdestar klase nga klasa e parë deri në të katërtën, e ku të gjithë nxënësit ishin të shkëlqyeshëm, me notën mesatare 4.96.
Pastaj këta nxënës vazhduan edhe në  klasën e V gjerë në të VIII, të gjithë të shkëlqyeshëm, por edhe në gjimnaz të gjithë ishin të shkëlqyeshëm! Kjo paralele u shpall klasa më e mirë në nivel të Kosovës!
Dhe krejt në fund nga 30 nxënës 17  kanë kryer shkollimin superior – fakultetin, kur ishte koha më e vështirë për shkollim e studime! Ky është shembull i veçantë në historinë e arsimit shqiptar.
Kur flet për nxënësit r tij, mësuesit Musa gjatë bisedës edhe sot i rrjedhin lotët për nxënësit, por këtë paralele e mbanë në mendje dhe zemër.

Mësuesi Musa Ibrahimi jeton në Gjilan dhe është ndër mësuesit më të vjetër të gjallë. Është prind i 4 fëmijëve. Gjatë punës së tij në arsim dallohej edhe në aktivitete të lira, dallohej sidomos në organizimin e të rinjve në sport. Kështu, me rininë përlepnicase e formoi klubin e futbollit, i cili klub bënte gara në organizimet, të cilat mbaheshin në Gjilan për festat e ndryshme. Falë angazhimit të tij të pashoq  për herë të parë në Përlepnicë formoi klubin e futbollit të vogël në vitin 1954. Ai vetë ishte edhe lojtar, por edhe trajner i klubit, klub i cili  në gara ishte i pa konkurrencë në nivelin e Komunës së Gjilanit.
Gjithashtu duhet veçuar edhe formimin e ekipit të volejbollit dhe basketbollit me rininë dhe me disa mësues, të cilët angazhoheshin dhe  ishin pjesë të këtyre ekipeve. Këto ekipe merrnin pjesë në gara komunale të asaj kohe, për festa të ndryshme.

Nismëtar i shumë aktiviteteve sportive

Dikur kushtet ishin të vështira për t’u marrë me sport, shtyllat zakonisht nguleshin në dhe e teksa rrëfen për atë kohë, mësuesi Musa kujton se si në ato kohë për herë të parë për futboll të vogël dhe ekip rregulloi shtyllat lëvizëse, ku kjo ishte një risi jo vetëm për Përlepnicën, por edhe për vet qytetin e Gjilanit. Duhet potencuar se mësuesi vazhdoi të sjelli risi edhe në organizimin e lojës së basketbollit, ku në Përlepnicë rregulloi fushën e basketbollit dhe vendosi dy kosha, e kësaj pune ia panë hairin edhe ekipet  nga  Gjilani, që vinin të stërviteshin në fushën e shkollës në Përlepnicë. Nuk shkoi shumë kohë e mësuesi Musa e vazhdoi punën në organizimin për rregullimin  fushës së  volejbollit. Ky sport u bë shumë i dashur në Përlepnicë dhe më pas gjeneratat e reja vazhduan  punën dhe formuan klubin e volejbollit “Përlepnica” më 1976, klubin e futbollit “Përlepnica ” 1980 e tani në këtë fshat vazhdon të jetë aktiv klubi në futsall “Përlepnica”, në ligën e parë të Republikës së Kosovës. Të gjitha klubet dhe të gjithë lojtarët janë produkt dhe angazhim i  mësuesit dhe mësuesve nga Përlepnica. Vitet do të kalonin e nga ky angazhim i gjithmbarshëm nga Përlepnica e mësuesit Musa dhe kolegëve të tij, do të dilnin futbollistë të njohur, volejbollistë, të cilët përfaqësonin Republikën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në kohën më të vështirë për sportin kosovar, ndonëse në prag të pensionimit, mësuesi Musa u vu në krye të ekipit të ekipit KV Drita – meshkujt, duke qëndruar për një mandat katërvjeçar kryetar i këtij klubi, që pikërisht në këtë periudhë 1998 – 2002, ky ekip u shpall kampion i Kosovës, fitoi kupën e Superkupën e shumë suksese të tjera.

Në mbrojtje të arsimit shqip

Edhe kur arsimi shqip e kishte më së vështiri, kur nxënësit shqiptarë u larguan nga objektet shkollore,  mësuesi fillon aktivitetin politik, edhe pse ishte betuar se nuk do të merrej me politikë, por ja që rrethanat e detyruan mësuesin që në vitin 1992 të jetë nismëtar për formimin e BSPK-së dhe atë  në pozitën e nënkryetarit i parë i Sindikatës së Pavarur për Shkencë e Kulturë në nivel të Kosovës.
Në Kuvendin e tretë ai ishte anëtar i Këshillit  Ekzekutiv të BSPK në vitin 1994/1995. Në këtë vit mësuesi zgjidhet, Kryetar i Komisionit për Arsim, Sindikal e Profesional. Gjatë kësaj kohe të të angazhuarit në çështjet për përfaqësimin e Arsimit Shqiptar të Kosovës,  mësuesi Musa vizitoi dhe përfaqësoi arsimin në shumë shtete Skandinave, Zvicër, në Konferencat e sindikatave e vendeve të  lindjes në Vitusha të Bullgarisë dhe në angazhime të tjera.
Pas lufte mësuesi ishte i angazhuar në ndihmën për arsim me World Vision si menaxher, apo tim lider i kësaj OJQ-je.

Shkollimi e arsimimi është më i lehtë nëse bashkëjeton me sport

Për punën në arsim dhe në lëmi të tjera, mësuesi Musa Ibrahimi është laureuar me shumë mirënjohje. Ai në moshë të re u bë mësues, mësuesi më i ri nga Përlepnica, ku vetëm dy tre mësues nuk i kishte nxënës.
Mësuesi Musa, me bashkëshorten Mevlide Kastrati kanë tri vajza dhe një djalë. Të gjithë janë të arrirë në profesionet e tyre, vajza e madhe Prof. Ass. Dr. Sc e Pedagogjisë Arbona Ibrahimi Xhemajli, vajzën Burbuqe Ibrahimi Kajtazi dhe vajzën Mr. Sc. e Gjuhës angleze Hamide Ibrahimi Ejupi. Djali i tij, Bardhyli, që është më i madhi nga fëmijët, në Gjilan e Kosovë njihet si lojtar dhe trajner  në  KV “Drita”, njëherit ai ishte reprezentues i Kosovës e tani është një biznesmen i njohur.
Mësuesi Musa, me angazhimin e tij ndikoi në familje që gjeneratat e reja, të vazhdojnë traditën e shkollimit.
“Shkollimi e arsimimi është më i lehtë nëse bashkëjeton me sport. Kur këto dy komponentë bashkohen, ke një personalitet, kuadër  tepër të formuar”, thotë mësuesi Musa Ibrahimi, i cili nga  puna dhe përvoja e mësuesit në arsim, dallon dy mësues përlepnicas me të cilët ka bashkëpunuar. Mësuesi Reshat Hoxha (Shaqiri), te i cili mori një veti të tij e ai ishte entuziazmi dhe vullneti që mos të dorëzohet asnjëherë, kurse tek mësuesi Xhavat Qamil Bajrami, mësoi qasjen në komunikim me prindër, qytetarë dhe metodën e punës, të cilat edhe i sollën shumë suksese në jetën e mësimdhënies.

Tashti, kur mësuesi Musa Ibrahimi ka mbushur 87 vite jetë, kur sjellim në kujtesë tërë angazhimin e tij ndër dekada, me gojën plot mund të themi respekt, për mësuesin e mësuesve, për njeriun shumë të nderuar, i cili  dha shumë për shkollim, arsimin dhe edukimin e sportin me gjenerata të e reja.
Mbase mësuesi Musa Ibrahimi ishte i lindur për mësues e kurrsesi për profesion tjetër dhe doli pikërisht se ishte njeriu i duhur në profesionin e duhur.
Në ditëlindjen e tij të 87, këtij luftëtari të madh për dijen, sportin e për vendin i drejtohemi me respekt e ky veteran i arsimit shqiptar është udhërrëfyes për ne, andaj mësuesit Musa Jakup Ibrshimi i dëshirojmë shëndet të plotë e jetë të lumtur afër më të dashurve të tij./kryelajmi.com/.

You Might Also Like