Nderim Mustafa, afarist i njohur në Zvicër është kryetar i ri i Klubit të Volejbollit Drita nga Gjilani, në konkurrencën e meshkujve. Atij i është dhënë besimi për të qenë në krye të KV Drita, ngase siç është thënë ai edhe në të kaluarin ka ndihmuar sportin gjilanas dhe edhe tashti ka shfaqur vullnet të jashtëzakonshëm për të kontribuar në zhvillimin e sportit në vendin tonë.
Fillimisht, Besnik Veseli, drejtor gjeneral në KV Drita, ka thënë se kryetari i ri ka shprehur vullnetin dhe dëshirën për të bashkëpunuar me KV Drita për të arritur qëllimet dhe objektivat e klubit.
Enver Sadiku, një nga udhëheqësit e dikurshëm në KV Drita, ka theksuar se Klubi i Volejbollit Drita me një traditë të gjatë në volejbollin kosovar, po organizohet dhe riorganizohet, duke u shndërruar në një klub të mirëfilltë, me synime që sukseset e tij t’i arrijë edhe në arenën ndërkombëtare.
Në vazhdën e këtyre sukseseve, në KV Drita po bëhen edhe ndryshime në kryesi, kurse është nder për këtë klub që në pozitën e presidentit do të jetë Nderim Mustafa, afarist i njohur në Zvicër, i cili besojmë se me vizionin dhe angazhimin e tij do të bëjë që klubi ynë të arrijë suksese edhe më të mëdha.
“Nderim Mustafa, nga sot do të jetë kryetar i ri i KV Drita, derisa Besnik Veseli do të jetë drejtor ekzekutiv në klubin tonë. Ardhja e një fryme të re në klub, do të bëjë që ekipit tonë t’i afrohen edhe donatorë të tjerë. Me organizim, lojëra të pëlqyeshme e rritje të sukseseve do të mbushim palestrën dhe krahas ekipit të vajzave, që tashmë janë të dëshmuara jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë, do t’a bëjmë Gjilanin qendër të volejbollit në Kosovë”, ka thënë Sadiku.
Kryetari i ri i KV Drita – meshkujt, Nderim Mustafa ka thënë se është krenarë që po merr këtë pozitë pasi siç tha edhe vetë është një adhurues i madh i sportit dhe ka shprehur se s bashku do të arrijnë qëllimet e klubit.
KV Drita këtë fundjavë do të udhëtojë në Shqipëri, ku në kuadër të Ligës Unike “Gjergj Kastrioti” do të përballet me kampionin dhe nënkampionin e Shqipërisë e aty do të jetë edhe kampioni i Kosovës KV Peja. Trajner i KV Drita do të vazhdojë të jetë Idriz Berisha. /kryelajmi.com/.