Shoku i rinisë sime, Ilmi Ramadani, paska ikur në botën e amshimit!
Pikëllimi është i natyrshëm për mua…
Në këto çaste më rikthehen copëza kujtimesh: ndejat në odën e Malajve, të Hasanit e të Rexhepit me Nijazi Korçën, Fazli Abdullahun e ndonjë tjetër, e rregullisht me Ilmiun te Selku, siç e thërrisnim babain e tij.
Edhe pse ishim fare të rinj, Ilmiu ishte më i riu ndër ne. I heshtur e plot kureshtje, ai i gëlltiste fjalët tona që lidhnin shpresat me diçka të “rrezikshme”: kundërvënien ndaj asaj Jugosllavie që na shkelte kurrizin.
Nuk bisedonim për dashuri, as për “dashuriçka” të rinisë. Ne gatuheshim nga frymëzimet e atdhetarëve të ndjekur e të burgosur politikë. Ata ishin heronjtë që përfliteshin në ndejat tona. Pyetja që na mundonte ishte: si të merrnim mësimet nga bëmat e tyre?
Pastaj erdhën provat e para – Demonstratat e 1968 në Gjilan. Ilmiu nuk reshti së vepruari. Ai u bë i pandashëm me Rexhep Malën. Pasuan ndjekjet e UDB-së, burgosjet. Edhe Ilmiu u burgos, por nuk u ndal kurrë.
Ai vazhdoi veprimin e tij deri në Luftën Çlirimtare të UÇK-së. Në atë luftë të pabarabartë me Serbinë çetnike, Ilmiu dha gjithçka që kishte. Pas çlirimit të Kosovës, ai mbeti i lidhur me çështjen kombëtare e politike, duke e përmbyllur jetën e tij si veteran i idealeve për të cilat kishte sakrifikuar rininë.
Ilmi S. Ramadani pushoftë në dheun e atdheut për të cilin sakrifikoi rininë dhe pranverën e jetës së tij, të mbrujtur me idealet e çlirimit kombëtar!
Shoku im… Kujtimi yt do të mbetet i pashuar në zemrat tona dhe në historinë e Kosovës!
MEHMETALI REXHEPI