Futboll

Në Drenas për mos t’u mposhtur

Gjilani nuk e ka ndërmend të ndalet, përkundër orarit të vështirë që e pati sidomos në tri xhirot e fundit. Tri udhëtime me tri ekipe shumë të forta ishin një mision i vështirë i ekipit bardh e kuq, por dy nga to i kaloi suksesshëm.

Fillimisht Gjilani udhëtoi në Pejë dhe në ballafaqim me Besën ia doli që të shkëpus një pikë, duke luajtur me rezultat të barabartë 1:1. Sfidë edhe më e vështirë ishte ballafaqimi me Trepçën ’89, ekip ky që është i pari në tabelë, por edhe prej këtij ballafaqimi, Gjilani është kthyer kokëlartë, ngase ia doli që edhe nga kjo ndeshje të shkëpus një pikë, duke luajtur sërish me rezultat të barabartë 1:1. Këtë të shtunë, Gjilanin e pret edhe një udhëtim i vështirë, kësaj radhe në Drenas, ku do të përballet me kampionin në fuqi, Feroniklin.

Adhuruesit më të flaktë të Gjilanit, “Skifterat” kanë paralajmëruar se do të jenë të pranishëm edhe në Drenas për të përkrahur ekipin e tyre dhe presin që nga ky ballafaqim të kthehen të pamposhtur.

“Skfiterat on tour” do të bëjnë edhe një spektakël në Drenas”, ky është paralajmërimi i adhuruesve të Gjilanit.

You Might Also Like