LAJME

Në fshatrat e brezit kufitar jeta nuk është e lehtë

 Përveç tkurrjes së territorit, problem paraqet edhe largimi i banorëve, gjë e cila këtu jetën e bënë edhe më të pasigurt, andaj siç shprehen banorët, jeta duhet të kthehet në fshatrat e brezit kufitar, ngase një gjë e tillë është edhe në interes të vendit.

Zahirajt e Sllubicës, Stublina, Llovca, Kokajt, Muçibaba e Stanqiqi janë vetëm disa nga fshatrat e Malësisë së Karadkut, që shtrihen përgjatë vijës kufitare me Serbinë. Në këtë pjesë të Kosovës jeta nuk është e lehtë, ngase për ata pak banorë të mbetur vështirësi paraqet shkollimi i fëmijëve, udhëtimi për në qytet e punësimi, sepse qendra mbetet relativisht larg, ka mosperspektivë dhe mungon ndonjë projekt punësimi e banorët shpesh janë përballur edhe me provokime të xhandarmërisë serbe, siç është rasti me fshatrat Zahiraj e Myçibabë.

Shumë afër fshatit Kokaj të Malësisë së Karadakut, është e vendosur një tabelë që shënon kufirin mes Kosovës e Serbisë dhe ku ngjitas është fshati Renatoc që është pjesë e komunës së Preshevës. Sipas banorëve të këtushëm, kjo tabelë dikur ka qenë 200 metra e vendosur më tutje në thellësi të territorit të Serbisë. Për ata pak banorë të Kokajve, përveç tkurrjes së territorit, problem paraqet edhe largimi i banorëve, gjë e cila këtu jetën e bënë edhe më të pasigurt, andaj siç shprehen ata, jeta duhet të kthehet në fshatrat e brezit kufitar, ngase një gjë e tillë është edhe në interes të vendit.

Nijazi Ramadani, nga fshati Kokaj, thotë se largimi i banorëve nga fshatrat e brezit kufitar kishte nisur me të madhe që prej viteve të 70-ta të shekullit të kaluar, numër ky që sidomos është rritur pas luftës më të fundit, kur ato janë zbrazur gati tërësisht dhe aty tashti kanë ngelur shumë pak familje.

Siç thotë Ramadani, shkolla e Kokajve tash ka ngelur vetëm me katër nxënës e dikur kjo shkollë gumëzhinte nga numri i madh i nxënësve. Nxënës dukshëm më pak ka edhe në paralelet e ndara të Pogragjës në fshatin Llovcë, ku numri i banorëve shkon duke u zvogëluar dhe ku jeta kthehet vetëm gjatë stinës së verës prej banorëve që kthehen në vendlindjen e tyre.

Sidomos më së vështiri e kanë banorët e fshatit Zahiraj, të cilët që nga paslufta e këtej përballen me problemin e kufirit.

Siç ka thënë Rexhep Tahiri, nga lagja e Zahirajve të Sllubicës, numri i banorëve është pakësuar dukshëm e edhe ata pak banorë që kanë mbetur problem të vazhdueshëm e kanë sigurinë e sipas tij shpesh ndodh që pikërisht nëpërmjet kësaj ane të futen mallra kontrabandë, të cilat më pas nëpërmjet Pogragjës e rrugës së asfaltuar drejtohen në tregun e Gjilanit. Rexhepi, thotë se disa herë kishin paraqitur shqetësimet e tyre, ngase ata të gjitha dokumentet i kanë me Kosovë, kurse shpesh provokohen nga forcat serbe të sigurisë, të cilat i legjitimojnë dhe ua bëjnë me dije se fshati i tyre është në territorin e Serbisë.

You Might Also Like