Libri

Në prag të Ditës së Flamurit, Dr. Bahtijar Kryeziu nxjerr edhe një vepër

Në prag të Ditës së Flamurit
EDHE NJË VEPËR E RADHËS
Për nder të kësaj dite të shenjtë të kombit shqiptar, të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, sot nxora në dritë veprën e radhës “Gjuha shqipe në praktikë – për të gjithë”, në 330 faqet e së cilës kam pikasur disa mospërfillje e lëshime që po e përcjellin shqipen, sot e gjithë ditën, në (mos)respektimin e kulturës gjuhësore e me mëtim, që të ofroj një ndihmesë në këtë fushë, sado modeste qoftë ajo.
Me gjithë rezultatet e arritura në kodifikimin e normës gjuhësore, si në rrafshin e gjuhës së folur, ashtu edhe në atë të shkruar, edhe pas gjysmë shekulli nga mbajtja e Kongresit të Drejtshkrimit (Tiranë, 1972), pasuar nga Kongresi i Alfabetit (Manastir, 1908), që përfaqësojnë dy ngjarjet më të rëndësishme shkencore për kombin shqiptar, natyrisht, pa anashkaluar edhe Lidhjen e Priz¬renit (Prizren, 1878), si ngjarje me peshë të madhe politike, nuk mund të jemi të kënaqur me shkallën e zbatimit të gjuhës së njësuar letrare e të standardit të saj.
Një shkallë më të lartë përdorimi të normës letrare nuk e ndihmuan, me sa duket, as botimet e një numri të konsiderueshëm veprash gjuhësore e ato shkollore, si: gramatikat e niveleve të ndryshme të shkollave tona, botimet e veçanta në fushë të shqipes: Drejtshkrimi i gjuhës shqipe (1973), Fjalori drejt¬shkrimor (1974), Gjuha letrare shqipe – Elemente të normës së sotme letrare (1984), Për pastërtinë e gjuhës shqipe : fjalor (1998), Rregullat e pikësimit (2002), praktikume të gjuhës, revistat “Studime filolo¬gjike”, Gjuha jonë (Tiranë), “Gjurmime albano¬logjike”, Gjuha shqipe (Prishtinë), e as dhjetëra fjalorë të ndryshëm të gjuhës shqipe, si dhe fjalorë dygjuhësh: gjuhë shqipe – gjuhë e huaj, ose anasjelltas etj. Të gjitha këto vepra dhe shumë të tjera që nuk i zumë në gojë, sikur nuk po mjaftojnë për të vetëdijesuar e tërhequr vëmendjen e njerëzve tanë për një respektim më të madh të normës gjuhësore. Dhe kështu, “derisa nuk do të kemi interes për gjuhën, derisa nuk na pret malli për bukurinë e pastërtinë e saj, shkrimet tona do të hartohen gabueshëm për dëm të madh të gjuhës” (A. Xhuvani), do të hartohen keq, të cilat nuk do t’i kuptojë kush sa e si duhet.
As mosha e madhe e shqipes nuk na inkurajoi mjaft për një gjuhë në shkallë më të lartë përdorimi, kur dihet se shqipja është njëra ndër “3 gjuhët më të vjetra të kontinentit” – të cilin fakt e sjellë edhe gazeta pres¬tigjioze amerikane “New York Times (29 gusht 2914), e më 28 korrik 2023 edhe gazeta “Tema”, e cila, në një artikull të sjellë nga “Science”, dëshmon se, të studiuara me metoda të sofistikuara “origjina e gjuhëve indo-evropiane dhe e gjuhës shqipe, e cila, bashkë me armenishten dhe greqishten, konfirmohet se është një ndër tri gjuhët më të vjetra indo-evropiane që fliten ende, duke vërtetuar përfundimisht dhe në mënyrë të pakundërshtueshme shkencërisht që, si populli shqip-tar, ashtu dhe gjuha shqipe, janë të paktën 6 mijë vjet të vjetër dhe autoktonë në këto troje”.
Gjuha, e folur ose e shkruar, është mjeti më i përsosur për komunikim. Por është e tillë atëherë kur në ligjërimin e lidhur respektohen ligjësitë dhe normat e saj. Ajo që mendohet – thuhet qartë, drejt e pa gabime. Thuhet shqip. Ndërkaq, kur shkelen rregullat gjuhësore: përdorimi i fjalëve dosido, mospërdorimi me vend i presjes (pauzës në të folur) dhe i shenjave të tjera të pikësimit, eko¬nomia e tepërt e fjalëve në fjali, e sidomos mosrespektimi i topikës së njësive gjuhësore, atëherë fjalitë dalin të pakuptimta, të paqarta, steriotipe e të pështjelluara. Nuk thuhet ajo që është menduar të thuhet, por diçka tjetër, e palogjikshme dhe herë-herë çoroditëse. Këso konstrukte fjalish, për fat të keq, i ndeshim pashmangshëm në jetën tonë të përditshme. Me to janë të mbushura faqet e gazetave e të revistave tona. Folësit e radio-televizioneve i shqiptojnë në çdo emision të tyre pa u shkuar mendja se ç’po thonë. Kjo ndodhë nga mungesa e njohurive të sistemit gjuhësor morfo-sintakso-semantik të atyre që i përgatisin gazetat dhe emisionet e tilla ose edhe nga pakujdesia e tyre ndaj fjalës së nyjëtuar apo të shkruar. Cilido qoftë shkaku për këtë, ai është i pafalshëm, sepse me të dalë në gazetë shkrimi, me fjali të tilla ose mendimet e tilla të thëna në radio-televizion, marrin dhen, nuk janë më vetëm pronë individi apo grupi njerëzish, por bëhen pronë e masës, me strukturë heterogjene, si për nga shkalla e përgatitjes së tyre, e profesi¬oneve të ndryshme, po edhe për nga përkatësia etno-kulturore. Prandaj, çdo fjalë e fjali e shprehur publikisht duhet të mendohet e të peshohet mirë e mirë. Të mos “servohet” pa “u përtypur” sa e si duhet.
Se është ky një argument që duhet pasur parasysh gjithherë, po e ilustrojmë me një numër të konsiderueshëm shembujsh të vjelë nga gazetat, revistat, madje edhe nga librat, si dhe radio-televizionet tona, ku fjalët, fjalitë a periudhat e para¬qitura, nuk e kanë aftësinë e shprehësisë së mirëfilltë. Ato, shpeshherë, janë konfuze e të paqarta, saqë mendimi i shprehur del mbrapsht nga ajo që është menduar të thuhet e kjo, besoj unë, është pasojë e mungesës së kulturës gjuhësore, në përgjithësi, në njërën anë, por edhe e pakujdesit të duhur, e mungesës së ndjenjës dhe e përgjegjësisë ndaj saj, në anën tjetër.
Që mesazhi të jetë i kuptueshëm, duhet të karakterizohet së paku nga tre faktorë kryesorë: qartësia, saktësia dhe shprehtësia, e ndër ata faktorë që ka rol të rëndësishëm për një fjali, periudhë a paragraf të qartë, të saktë e që shpreh drejt kuptimin e asaj që duam të shpërfaqim, është topika – radhitja, vendi i fjalëve në fjali, pa anashkaluar edhe shenjat e pikësimit dhe zgjedhjen e fjalëve në fjali. Kur nuk respektohen këta përbërës, mendimet dalin të paqarta, stereotipe dhe nuk shprehin atë që mëtohet të thuhet. Në veprën tonë “Gjuha shqipe në praktikë – për të gjithë”, kemi paraqitur një varg shembujsh të tillë, me të cilët nuk do të pajtoheshin të gjithë ata që e kenë për zemër këtë dhunti, ata që e duan dhe e çmojnë gjuhën shqipe.
Për t’ua bërë më të qartë e më të lehtë lexuesve, veprën e kemi ndarë në dy krerë:
I. Punime nga studiuesit tanë
II. Punime të autorit të veprës
Në kreun e parë.- janë përfshirë artikuj të disa gjuhëtarëve (Mehmet Halimi, Emil Lafe, Rexhep Ismajli, Shaqir Berani, Isa Bajçinca, Mehmet Gjevori, Musa Nushi, Fadil Sulejmani, Zijadin Munishi, Abdulla Zymberi, Gani Hoxha, Qemal Murati, Xhavit Kryeziu etj.), botuar kryesisht në rubrikën “Gjuha në praktikë” te gazeta “Rilindja”, duke filluar menjëherë pas Kongresit të Drejtshkrimit, e deri në ditët kur pushoi së botuari kjo gazetë, për të vazhduar pastaj puna (herë-herë) me ndonjë nga gazetat e tjetra, si: “Bujku”, “Pavarësia”, “Koha Ditore”, “Bota Sot”, “Zëri”, “Kosova Sot”, “Flaka e vëllazërimit”, revista “Shkëndija” etj. Edhe nga këto gazeta (shumë më pak) kemi shkëputur kryesisht ata artikuj që për objekt trajtimi kanë pasur gjuhën në praktikë – se si (nuk)duhet të përdoret ajo, siç edhe do të shihet nga shembujt e vjelë e të paraqitur në veprën tonë “Gjuha shqipe në praktikë – për të gjithë, vepër kjo e cila nuk u dedikohet vetëm gjuhëtarëve, por në radhë të parë masës së gjerë, nivelesh të ndryshme: nxënësve, studentëve, mësimdhënësve, punonjësve të administratës, gazetarëve e dashamirëve të gjuhës shqipe, në kohën kur shqipja po dergjet prore, si dikur kryetrimi ynë – Gjergj Elez Alija në shtratin e tij.
Kreu i dytë.- ngërthen një numër sinonimesh, që nuk janë sinonime, si p.sh: atllas dhe atlas, variant dhe varietet, fjalët synim, qëllim, objektiv; pikët dhe pikat, mbiemrat i mundshëm dhe i mundur etj.; disa fjalë a togfjalësha të përdorur jo me vend, si p.sh: patjetër, ikën dritat, reshje shiu – për riga a rrebesh shiu; disa fjalë për “rifreskimin” e standardit të shqipes, për përdorimin e emrave sllavë, me l, siç thuhet në Drejtshkrim, si: Mladen, Milan, Miroslav…, apo me ll: Mlladen, Millan, Mirosllav…, siç përdoren fjalët: sllav, Jugosllavi etj., jo vetëm nga serbët, por edhe nga ne – në të folur; për fjalët në shumës: drapërij a drapërinj, shkëmbij a shkëmbinj…; Europë apo Evropë… Po ashtu kam vë në pah edhe disa fjalë me përdorime të ngatërruara (në përditëshmërinë tonë): statut – status, zgjedhje – zgjidhje, kontekst – kontest, notar – noter…, duke shpjeguar nuancat dalluese që kanë. Kam zënë në gojë një regjistër fjalësh se si (nuk)duhen shkruar: arkitekt – arqitekt, garazh – garazhë, opium – opijum, bagazh – bagazhë, durrsak – durrësak, digjital – dixhital, transit – tranzit etj. Edhe një duzinë fjalësh të huaja të cilat kanë përgjegjëset e tyre në shqipet kanë gjetur vend trajtimi në vepër, si: abuzim për shpërdorim, glosar – për fjalës (fjalor), mentalitet – për mendësi. Në disa faqe të veprës sime, kam trajtuar edhe probleme sintaksore, duke marrë në syzim: disa konstrukte të palogjikshme në gjuhën tonë; fjali a periudha ku nuk respektohet topika – renditja e fjalëve te njësitë sintaksore; fjali me fjalë të panevojshme, si dhe çështje të tjera që po përdorën duke mos respektuar e shpërfillur normën gjuhësore të shqipes sonë.
Nga të gjitha ato çështje të paraqitura në vepër, del se gjuha si sistem, përmban rregullat e konstituimit të mëvetësishëm, që nuk na lejon të përdorim çfarëdo kombinimesh të njësive ose në shprehjet tona të përdorim çfarëdo jo-njësi, ngase ajo na shtrëngon të flasim sipas rregullave të caktuara të saj. Komunikimi, pra, mund të jetë efikas vetëm atëherë kur porosia, qoftë në planin e shprehjes, qoftë në planin e përmbajtjes, është adekuate me qëllimin që autori synon ta realizojë, të cilën gjë nuk e përligjin (çdoherë) shembujt e paraqitur në këtë vepër.
Për shpërfillësit e kësaj dhuntie, pra, të gjuhës shqipe, nuk ka se si të mos na sillet në mend një thënie e mendjehollit tonë, Faik Konica, kur thotë: “Po sot shoh një turmë të errët prej analfabetësh me diplomë në xhep, që po i vërsulen shqipes dhe duan t’i vënë thikën në kurriz, që ta gdhendin pas formës që u pëlqen atyre; se të gjorët kujtojnë që gjuha është një copë dru pa shpirt. Nuk dinë që është jo vetëm e gjallë, po dhe shumë e hollë, aq sa, po i shtrembërove pakëz një nyjë a një dell, trupi i tërë i tronditet, vuan dhe humb forcën bashkë me bukurinë” – mendim që nuk e luan as topi, do të thoshte çdo shqipfolës e dashamirë i mirëfilltë i gjuhës sonë të bukur.
P. S.
Këtë vepër, me pietet të lartë dhe në shenjë respekti, miradije e falënderimi, ia kushtoj udhëheqësit tim tashmë të ndjerë, Akademik Idriz Ajetit, i cili më udhëhoqi pa përtesë në tri shkallët e studimeve shkencore!
Gjilan, 27 nëntor 2024

You Might Also Like