Libri

Në UKZ u promovua libri “Arsimi në demokracinë e brishtë” i autorit Prof. Dr. Bardhyl Musai

Në Fakultetin e Edukimit të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, u bë promovimi i veprës “Arsimi në demokracinë e brishtë” i autorit Prof. Dr. Bardhyl Musai. Aktivitetin e këtij promovimi e shpalli të hapur dekani i Fakultetit të Edukimit Prof. Asoc. Dr. Merxhan Avdyli.

Ai e falënderoi autorin e veprës Prof. Dr. Bardhyl Musai për gatishmërinë që ka treguar për të bërë promovimin e veprës së tij në UKZ-së.

Duke folur për librin “Arsimi në demokracinë e brishtë”, Dekani tha se promovimi  nxjerr në pah arritjet e autorit, derisa ka shtuar se vepra në fjalë është një vështrim përmbledhës i ecurisë dhe përvojës së autorit në fushën e arsimit, dëshmi e kontributit dhe rolit modest që ka patur në zhvillimin e tij në këto tri dekadat e fundit. Dekani Merxhan  Avdyli pos tjerash ka thënë se libri është një shkrim me vlera të mëdha shkencore, pedagogjike, metodike e didaktike ku jep edhe detaje dhe sqarime të mirëfillta jo vetëm për politikën arsimore por edhe për shumë tematika dhe çështje të tjera të rëndësishme arsimore që tek lexuesi zgjojnë kureshtje, interes për të mësuar diçka më shumë në këtë drejtim.

Rreth librit ka folur edhe profesori i Fakultetit të Edukimit në UKZ  Mensur Neziri, i cili   tha se teksti i librit është mjaft praktik, dhe mund të ju shërbej studentëve.

Kurse profesori Sabri Tahiri, gjithashtu duke folur për librin, ka thëne se autori ka paraqitur demokracinë e brishte që ka kaluar arsimi në Shqipëri dhe Kosovë. Ai ka thënë se autori ka bërë një evokim të shkëlqyer ngjarjesh dhe procesesh që kryesisht tregojnë për brengën e autorit e që në parim më e rëndësishme është arsimi dhe zhvillimet në lidhje me të në realitetin socio-politik në viset shqiptare, më saktë në Republikën e Shqipërisë por edhe Kosovës.

Për librin ka fulur edhe eksperti i arsimit Halim Hyseni.

Autori i librit Bardhyl Musai në fjalën e tij falënderoi Universitetin Publik “Kadri Zeka” për nderin që i kanë bërë duke shpresuar se ky libër në të ardhmen do t’u shërbejë të gjithë studiuesve. Autori tha se e ka  sjell këtë libër ndryshe nga librat e tjerë që janë shkruar më parë. Në libër autori tha se është që në konceptin e tij, intelektuali në shoqëri është një person që nuk pajtohet gjithmonë me shtetin, me qeverinë.

Këtë libër autori thotë se e  ka shkruar për të nxjerrë në pah periudhat më dinamike të zhvillimit të arsimit pas vendosjes së demokracisë, e cila ende sot është e brishtë.

Brendia e librit strukturohet në mënyrë tematike e kronologjike. Të pranishme në të janë 12 tema, për të cilat autori ka qenë i përfshirë dhe ka kontribuar. Brenda çdo teme ka një rrjedhë kronologjike të ngjarjeve, të cilat ka qenë i prirur t’i përshkruajë me vërtetësi e t’i analizojë, duke sjellë dokumente origjinale të kohës kur janë shkruar. Në fund të çdo kapitulli ka faksimile nga shtypi dhe të botimeve të fushës.

Burim frymëzimi në përgatitjen e këtij libri kanë qenë qindra e mijëra njerëz, shqiptarë dhe ndërkombëtarë, në trojet shqiptare dhe në shumë vende të botës, ka thënë autori Bardhyl Musai.

You Might Also Like