LAJME

Në vend të përkujtimit për bacën Ismajl: Burri që u kalit nëpër dhembje

 Ilmi Musliu

Edhe pse ishte rritur jetim, vetëm në duart e nënës Shahë, ai kishte trashëguar të gjitha tiparet burrërore të babës Sefë.

Këtë burrë malësor, të urtë, të sinqertë, të ditur e të drejtë, nuk e bënte të veçantë e të dashur në çdo rreth ku gjendej, vetëm pamja e jashtme, por edhe humori i tij i lehtë dhe i këndshëm dhe mbi të gjitha kontributi që ai dhe familja e tij kanë dhënë në çështjen kombëtare dhe proceset e tjera nëpër të cilat ka kaluar shoqëria kosovare, si para, ashtu edhe gjatë e pas luftës. Ishte shembull për t`u admiruar.

Edhe pse është rritur jetim, vetëm në duart e nënës, ai kishte trashëguar të gjitha vlerat burrërore të të atit, Sefës, i cili ka rënë në Luftën e Dytë Botërore, në ish-Jugosllavi, gjatë kohës së shërbimit ushtarak. Trupi i Sefës nuk i është kthyer kurrë familjes, por vetëm rrobat dhe një orë gjepi. Lajmin për vdekjen e babait Ismajlit ia kishte dhënë asokohe (viti 1947) kushëriri, Feriz Sejdiu, duke i sjellë edhe rrobat e tij në shtëpi.

Ismajl Sherifi mësimet e para dyvjeçare i mori në shkollën e fshatit, gjatë viteve 1948/1950. Më vonë, duke e parë zgjuarsinë dhe aftësitë oratorike të tij, Komiteti për Arsim, Zyra në Gjilan, e zgjodhi Ismajl Sherifin për kryesues shkolle për katër vite. Falë punës dhe angazhimit të tij, në vitin 1968, zgjidhet përfaqësues i fshatrave Verbicë, Zhegoc dhe Parallovë, për një mandat 4-vjeçar, në mesin e dy kundërkandidatëve të tjerë.

Më vonë, Ismajlit i kërkohet që të kryejë punën e portës, ku qëndroi për 16 vite (1972-1988) kur, për shkak të mospajtimeve të thella ndaj gjykimeve selektive dhe arbitrare ndaj shqiptarëve, ai vendos të tërhiqet nga kjo pozitë, sikur të gjithë nëpunësit e tjerë shqiptarë, të cilët nuk i pranuan masat e dhunshme të pushtetit serb.

Ismajl Sherifi njihet edhe si pajtimtar i gjaqeve, plagëve e ngatërresave në Malësinë e Zhegocit, ku ka ndërmjetësuar në pajtimin e shumë familjeve të kësaj ane.

Me të filluar lufta në Kosovë, Ismajli me familjen e tij, sikurse bashkëfshatarët e tjerë, detyrohet të largohet nga shtëpia. Më 15 prill 1999, ditë e enjte, në ora 6:00, fshati Vërbicë, më saktësisht Alibabët si lagje e parë e fshatit, rrethohen nga forcat policore-ushtarake e paramilitare serbe, të cilat përqendrohen në vendin e quajtur Billa, prej nga fillojnë sulmet e para në drejtim të shtëpisë së tij dhe shtëpive të tjera. Breshëritë e granatimeve nga një pozicion ballor i detyrojnë banorët që të mësyjnë malet dhe të kalojnë natën nën qiellin e hapur. Por as këtu, Ismajli me bashkëfshatarë, nuk lihen të qetë nga pushteti shovinist serb, i cili po i ndiqte hap pas hapi, pasi që vëllai i tij, Sherif Sherifi, i biri Mustafa dhe fqinjët e tij, Shaban e Qerim Beqiri, si dhe nipi Enver Pacolli, po kërkoheshin me emër e mbiemër për t`u ekzekutuar, si pjesëtarë të UÇK-së, e cila e kishte Shtabin në Zhegoc.

Nga kjo përndjekje, në vendin e quajtur Lugu i Mrizit, bien dëshmorë Sherif Sherifi dhe Enver Pacolli, kurse Ismajli plagoset. Me plagë në trup ai mësyu drejt shtabit të UÇK-së, në fshatin Zhegoc, lagjja e poshtme. Nga këtu marrin rrugë drejt fshatrave Plitkoviq, Gadime e Mirashë. Ismajli me familjarë, në Ferizaj i kaloi një muaj, por as aty nuk lihet rehat dhe detyrohet të marrë rrugën në drejtim të Maqedonisë.

Në Maqedoni, Ismajli qëndroi gjashtë javë dhe pas kësaj kohe, me hyrjen e forcave ushtarake të NATO-s në Kosovë, ai kthehet në vendlindje. Sigurisht se ky kthim, sa i ëmbël, ishte po aq i vështirë për Ismajlin. Ishte moment i vështirë, sepse për herë të parë po takohej me kufomën e vëllait, Sherifit, që kishte rënë dëshmor te Lugu i Mrizit dhe, me bashkëvendës të tij kryen ceremoninë e rivarrimit të eshtrave, në vendin e quajtur Drum, ku tani e ka lapidarin.

(Ismajli vdiq të dielen, më 14.10.2018 në orët e mengjesit).

You Might Also Like