Për herë të nëntë, në Grykën e Karadakut, në hapësirërat që përkufizojnë trekufirëshin Kosovë – Serbi – Maqedoni e Veriut, mbahet Manifestimi rajonal i poezisë, nën titullin “Trekëndëshi poetik i paqes”, organizuar nga Asociacioni alternativ i shkrimtarëve të Kosovës, Ars Clubi “Beqir Muysliu”, me seli në Gjilan.
Në ambientet e shkollës së mesme të ulët, “Bajram Curri” të Shurdhanit, si qendër e lokalitetit të kësaj pjese të Grykës së Karadakut, poetë nga ky trekëndësh kufitar por edhe nga mbarë hapësira shqiptare, mblidhen për ta shënuar Ditën e lirisë për Kosovën, 12 Qershorin, që këtë vit bëhen rrafsh 20 pranvera me liri për të gjthë ata që jetojnë brenda kufijve të saj, kufij tashmë të njohur ndërkombëtarisht nga shtetet më të fuqishme të botës.
Si përkushtim për gjithë ato sakrifica, martiirizime e flijime nëpër luftëra të parreshtura,, ky Manig\festim, nga edicioni i saj i parë e këndej, përmes vargjesh, ka përçuar mesazhe paqeje e afrie midis popujve të kësaj pjese të Ballkanit.
Me vite, këtë Manifestim e kemi nisur në pikën kufitare, që tash do t’i bashkojë ata të cilët natyra nuk i ndau kurrë, mes fshatrave Stanqiç e Bellanoc, si një presion artistik për hapjen e një vendkalimi kufitar, me moton,” aty ku kalojnë e s’ndalen zogjtë, të kalojnë edhe vargjet e njerëzit”.
Pas Marrëveshjes së arritur mes dy shteteve, ratifikimit të saj dhe procedurave që tash janë në mbarim e sipër për funksionalizimin e këtij vendkalimi kufitar, Manifestimi “Trekëndëshi poetik..” po mbahet në objektin e ri të shkollës së mesme të ulët “Bajram Curri” të Shurdhanit, anise e kishim mbajtur me vite në Kishën e Shën Anës, në Dunav dhe në restaurantin DUNAVI , po në Dunav.
Ne, megjithatë, nuk heqim dorë për t’u kthyer atje ku e mbajtëm me vite, duke pritur dhe duke kërkuar nga Komuna jonë që, ta asfaltojë rrugën dy kilometërshe e gjysmë dhe t’ua bëj të mundur poetëve të kësaj pjese të Ballkanit ta realizojnë Manifestimin dhe të lexojnë vargje në një vend mbi njëmijë metra lartësi mbidetare, aty ku për decenie e decenie, përmes një Shtëpie të Zotit, motrat e nderit, në krye me gjermanen, Otilia Kramer, shërbyen në një mision bamirës dhe u përkujdesën për popullatën tonë, me barna si dhe veshmbathje e ushqime.
Shpresojmë se në Edicionin e dhjetë, do jemi bashkë atje ku kemi jetuar den baba den, nëpër shekuj . Dhe, nga andej, duke e pasuruar “Trekëndëshin poetik…” edhe me zëra e vargje të popujve tjerë, ta shtrijmë e fuqizojmë paqen në këto hapësira, duke e dëbuar luftën përmes vargjeve….
15 Qershor 2019