Libri

Autori Naim Kurteshi përuroi dy libra një monografi për Grupin MAK dhe një libër me poezi

Këtë të shtunë, në ambientet e Shkollës së Muzikës në Gjilan janë përuruar dy libra nga autori Naim Kurteshi njëri me titull “Grupi MAK” që njëkohësisht është përkthyer edhe në gjuhën angleze nga profesori Avni Islami me titull “The music band MAK” si dhe një libër tjetër me titull “Gjurmë rinie”, shkruan kryelajmi.com

Në këtë promovim, Xhevdet Gashi, njëri nga anëtarët e Grupit muzikor MAK, ka thënë se rëndësia e monografive është shumë e madhe dhe për këtë e ka përgëzuar autorin Naim Kurteshi, i cili që nga dita e parë e ka përcjellë krijimtarinë e këtij grupi, duke mbledhur dokumente e materiale. Gashi ka thënë se Grupi MAK gjithkah ka patur lidhje me publikun e sidomos me atë të Gjilanit, andaj e ka përgëzuar autorin për këtë libër të çmuar.

Në këtë përurim ka folur edhe motra e Rexhep Xhemail, që kishte qenë baterist në Grupin MAK, e cila tha se ky grup ka lënë një krijimtari të madhe, derisa libri i Naim Kurteshit mbetet një vepër e rëndësishme për historinë e muzikës kosovare.

Tahir Dalipi, recensent i librit, ka thënë se paraqitja e këtij grupi në skenën kosovare bëri një revolucion të pashmangshëm, ngase ai lloj i muzikës që kultivoi ky grup kishte përballë mungesën e traditës për një gjë të tillë. Grupi MAK gjeti nevojën, njerëzit dhe mjetet që rinia e jonë në atë kohë të mos bëhej pjesë e një muzike që nuk ishte e jona dhe që nuk ishte në gjuhën shqipe, por që falë Grupit MAK që kultivoi tekste nga tradita shqiptare dhe që këndoi në gjuhën e bukur shqipe e bëri rininë pr vete.

Dalipi ka theksuar se me këtë libër, autori Naim Kurteshi e theu heshtjen q ka mbretëruar kaherë.

Për librin “Gjurmë rinie”, ka folur recensenti i këtij libri, Sadri Daku, i cili pos për librin foli edhe për krajatat nëpër të cilat ka kaluar familja Kurteshi, kurse për librin “Gjurmë rinie”, ai tha se ky libër përmban poezi, tregime dhe një dramë.

Ky promovim është përcjellë me recitime e deklamime nga Tahir Arifi, Era Hoxha e Meli Halili e këngë të interpretuara mjeshtërisht nën tingujt e kitarës nga Mehmetali Arifi.

Naim Kurteshi, autor i dy librave ka falënderuar të pranishmit, duke theksuar se që kur  ishte dhjetëvjeçar, por ai ishte i dhënë pas muzikës së këtij grupi, të cilin e adhuronte shumë dhe që nga ajo kohë e deri më tashti ai mbetet adhuruesi më i madh i këtij rock grupi. Ai kishte qenë në Gjilan kur në vitin 1976 ky grup po jepte koncert në ish-shtëpinë e armatës.

Viti 1985 shënon një kthesë, kur Naim Kurteshi kishte përpiluar një album me pyetje përgjigje dhe duke qenë adhurues i grupit MAK, Naimi kishte dëshirë që pyetjeve të tij t’i përgjigjen pikërisht anëtarët e këtij grupi dhe në 83 pyetjet e tija i ishte përgjigjur Xhevdet Gashi, që në grupin MAK luante në organo. Naim Kurteshi me fanatizëm i kishte ruajtur ato përgjigje dhe ende adhuronte atë grup muzikor, megjithëse grupi ishte shpërndarë në vitin 1978.

Kurteshi vazhdonte të mbante kontakte me Xhevdet Gashin, kurse gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, tre orë para se të arrihej marrëveshja në Kumanovë, nga banesat e tyre nga forcat serbe ishin nxjerrë dy anëtarë të këtij grupi, solisti Haki Misini dhe Mehmet Tupella, baterist.

Naim Kurteshi e kishte përjetuar rëndë faktin se për fatin e këtyre dy anëtarëve të grupit nuk dihej asgjë. Ai në këtë periudhë shkroi 8 poezi, të cilat i dedikoheshin grupit MAK dhe krahas 20 këngëve të këtij grupi, ai nisi të mbledh artikuj të shkruar për këtë grup, fotografi, kastën që enkas për të ia kishte incizuar Xhevdet Gashi dhe shfrytëzoi shumë materiale në gazeta që ishin shkruar për këtë grup, duke qenë se babai i tij Mehmet Kurteshi – Pozharani me pedanteri kishte ruajtur shtypin e kohës në shtëpinë e tij.

Në vitin 2022 te Naim Kurteshi sërish u ngjall dëshira që të bëjë diç për grupin e tij që e adhuronte aq shumë, që së paku të lë një broshurë apo skripte për këtë grup dhe shtytja më e madhe ishte nga Xhevdet Gashi, që ky projekt të shndërrohej në libër, andaj Naimi nisi edhe më tepër të hulumtojë materiale, të intervistojë anëtarët e mbetur të grupit dhe libri u kompletua në masë dhe u bë gati për botim.

Tashti, ai është shumë i lumtur që ky libër e pa dritën, andaj ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuuar./kryelajmi.com/.

You Might Also Like