Libri

Një interpretim mbi librin “NCUK” të Besart Selimit

Dr. sc. Avni Rudaku

(Fjala e mbajtur me rastin e përurimit të librit “Ncuk” të Besart Selimit, nga recensenti Avni Rudaku)

Libri “NCUK” përmban një gamë të gjerë temash dhe eksploron thellësisht përvojat dhe refleksionet e Besart Selimit nëpër kohë. Në pjesën e parë, “Bie në mendime”, Selimi shpalos mendimet në lidhje me gjuetinë për të vërtetën, ballafaqimin me realitetin dhe iluzionin, si dhe udhëtimin e brendshëm filozofik për temat si humbja, gjetja dhe përpjekja për ta gjetur. Në pjesën e dytë, “Bie në kujtime”, Selimi shfrytëzon një qasje të ndjeshme ndaj kujtimeve dhe ndjenjave, duke rrëfyer mbi kënaqësisë, dashurinë dhe zhgënjimin, duke ndarë momente të kujtueshme nga jeta e vet djaloshare. Në pjesën e tretë, “Futem në politikë”, Selimi e kthen vëmendjen në sfidat dhe paradokset e botës së politikës. Përmes analogjive të shpikura, definon politikën si një telenovelë dhe prezanton figurat e politikës si kampionë të thirrjeve boshe, duke paraqitur një perspektivë kritike dhe humoristike ndaj realitetit politik. Ndonëse në pushtet, Selimi nuk heziton të kritikojë politikanët dhe kjo është për ta përshëndetur, sidomos në kontekstin e prodhimit të tepërt të servilizmit. Së fundi, në pjesën “Përjetime”, Besarti solli një përfundim poetik me poezi të ndryshme.

Gjatë punës  me librin si redaktor, korrektor e lektor, ka pasur disa sfida, veçmas nevoja për t’i shmangur fjalët e përsëritura të autorit. P.sh., përdorimi i shpeshtë i fjalëve labirint e mozaik. Pse duhet hequr fjalët e përsëritura në një tekst, si të Selimit? Sepse kemi të bëjmë me: variacionin dhe stilin. Përdorimi i fjalëve të përsëritura mund të shkaktojë monotoni në shkrim dhe të reduktojë fondin e pasur të fjalëve në gjuhën shqipe. Përdorimi i alternativave dhe shprehjeve të ndryshme ndihmon në krijimin e një stili më të pasur dhe më tërheqës. Përdorimi i fjalëve të përsëritura mund të bëjë që një tekst të duket më pak profesional dhe më pak kreativ. Përdorimi i fjalëve të ndryshme mund të përmirësojë kuptimin dhe të bëjë shprehjen më të pasur. Përdorimi i vazhdueshëm i një fjale të njëjtë mund të lodhë lexuesin dhe të bëjë ikjen e tij nga teksti e drejt në skrollin e medieve sociale ku bombardohemi me imazhe e video të shkurtra që na godasin kujtesën afatshkurtër e përqendrimin, siç po ndodh veçmas sot, te grupmoshat e reja. Duke përdorur fjalë të ndryshme, mund të mbahet interesimi i lexuesit dhe të shfaqet një kreativitet i cili mund të bëjë tekstin më të dashur për lexuesit. Përdorimi i fjalëve të ndryshme mund të përmirësojë rrjedhshmërinë e shkrimit. Një përdorim i shpeshtë i një fjale të vetme mund të krijojë ndërprerje në rrjedhën e shkrimit. Përdorimi i fjalëve të ndryshme mund të ndihmojë në shprehjen e emocioneve dhe ideve me një set më të gjerë të fjalëve të ndryshme, duke e bërë librin më artistik. Përdorimi i fjalëve të përsëritura në raste të veçanta mund të jetë i domosdoshëm për efekte artistike, stilistike, ose për të rikujtuar një pikë kryesore siç është poezia, por në shumicën e rasteve, shmangja e përsëritjes kontribuon që një libër të jetë më i pasur dhe më tërheqës.

Selimi në aspektin gjuhësor e stilistik, shfrytëzon disa elemente të satirës, veçmas për situatat politike, duke i bërë disa nga paragrafët dhe esetë e tij koncize, satirike-politike. Në tekst, autori përmend se politika është si labirint i ideve, interesave dhe besimeve, ku përdorimi i kësaj metafore përshkruan politikën si një mjedis kompleks dhe të ndërlikuar, ku shumë faktorë ndikojnë në vendimmarrje. Te “Politika si telenovelë”, e shfrytëzon krahasimin, ku e përshkruan politikën si një histori intriguese dhe plot ndryshime, duke krahasuar personazhet politike me personazhet e një telenovele. Te “Kampionët e thirrjeve boshe”, kjo shprehje përshkruan politikanët që përdorin thirrje të përgjithshme dhe premtime pa konkretizime, duke e krahasuar këtë sjellje me një “Kampionat Botëror të Thirrjeve Boshe.” Përdorimi i humorit për të ilustruar kontradiktat në thirrjet e politikanëve dhe për të shfaqur situatën absurde në politikë, dhe përdorimi i stilit të ndryshëm letrar dhe metaforave, e bën librin “Ncuk” më argëtues dhe e lejon autorin Selimi të shprehë pikëpamjen e tij me një dozë të humorit.

Sa i përket përmbajtjes të asaj që shkruan Selimi, në shumicën e rasteve, përfundon në mendim pozitiv. Ka disa teori psikologjike që mund të mbështesin idenë se nuk duhet të dorëzohemi kurrë përballë sfidave dhe pengesave për të arritur sukses në jetë. Shumicën e asaj që e shpreh Selimi, janë të njohura tashmë. Nuk thotë gjëra të reja, por edhe pse nuk thotë gjëra të panjohura, për këto sugjerime të përsëritura, kemi gjithmonë nevojë, veçmas në një kontekst të lexuesit kosovar, që ballafaqohet me shumë sfida, ndërskamca, demotivim, pasiguri për të ardhmen, optimizëm për emigrim e pesimizëm për të qenë i ngulitur në atdhe, gradime pa meritë, dëshirën absurde për t’u rrethuar me njerëz sa më të padijshëm për t’u paraqitur superior para tyre dhe për t’i kontrolluar më lehtë. Mendimet pozitive të Selimit, i gjejmë në shumë teori të stërnjohura psikologjike si: teoria humaniste mbi motivacionin, e përsosmërisë, e besimit në vetvete, e reziliencës etj. Teoritë si Masllou sugjerojnë se nevojat njerëzore janë hierarkike dhe përfshijnë nevojat themelore si ushqimi dhe strehimi, por edhe nevoja më të larta si pavarësia dhe arritja. Njerëzit kanë tendencë të motivohen nga dëshira për të arritur potencialin e tyre maksimal dhe për të larguar sfidat dhe pengesat për të plotësuar këto nevoja. Edhe Selimi, kërkon që të mos ndalemi për të përmbushur potencialet tona, pavarësisht rampave të shumta që na shfaqen në rrugë. Në kontekst të teorisë së perfeksionizmit, përsosmëria nuk është një gjë e caktuar, por një përpjekje e vazhdueshme për të arritur më mirë dhe për të përmirësuar veten. Njerëzit që kanë një orientim të përsosur ndaj vetes kanë tendencë të kenë një përkushtim të lartë ndaj objektivave dhe nuk dorëzohen lehtë përballë sfidave. Edhe Selimi e kërkon kënaqësinë në vetë kërkimin, qoftë edhe kur në fund nuk gjejmë asgjë. Me rëndësi, të përpiqemi për perfekten, edhe kur e dimë se asnjëherë nuk vjen ajo. Besimi në vetvete është një koncept thelbësor në psikologjinë pozitive. Njerëzit që kanë një nivel të lartë të besimit në vetvete kanë më shumë mundësi të kapërcejnë pengesat dhe të vazhdojnë përpara, duke u përqendruar në aftësitë dhe resurset e tyre personale. Edhe Selimi kërkon që të mos dëshpërohemi, por të vazhdojmë tutje, sepse e pamundshme është të mos ketë një derë. Në mos një derë, një dritare të hapur. Vetëm duhet durim e këmbëngulje. Rezilienca është aftësia për t’u përshtatur dhe për të përballuar traumat, pengesat dhe sfidat. Teoria e reziliencës thekson se njerëzit kanë aftësi për të rritur aftësitë e tyre pas përvojave të vështira. Kjo teori mbështet idenë se përpjekja dhe vullneti për të përballuar pengesat janë thelbësore për arritjen e suksesit. Ngjashëm mëton Selimi në librin “Ncuk”, se përkundër përvojave të rënda jetësore, duhet të vazhdojmë tutje, për të shpresuar e punuar, për të mos menduar asnjëherë tentim-zgjidhjen tragjike e të dhimbshme, për te diga e Liqenit të Livoçit. Mesazhi i “Ncuk”-it është që njerëzit t’i ndihmojmë në situata të rënda jetësore, e jo t’i shpotisim. Tragjeditë e tjetrit t’i dëgjojmë dhe të kujdesemi për tjetrin me empati dhe dhembshuri njerëzore e trajtim moral e profesional.

Shumica e pikëpamjeve të Selimit, përfundojnë në atë që njihet tashmë si psikologji pozitive. Ngjashëm me psikologjinë pozitive, libri “Ncuk” ka për qëllim të identifikojë cilësitë pozitive dhe aftësitë që ndihmojnë njerëzit të përmirësojnë mirëqenien e tyre. Aspektet më thelbësore të këtij këndvështrimi të Selimit janë: besimi në vetvete, përkatësisht ruajtja e një besimi të fortë në vetvete, duke përfshirë besimin në aftësitë personale dhe kapacitetet për të arritur qëllimet tona. Aspekt tjetër është lumturia e rigjetur edhe pas dramave jetësore. Kuptimi i elementeve që kontribuojnë në lumturinë dhe mirëqenien personale, përfshirë marrëdhëniet pozitive, kuptimin dhe qëllimin në jetë, janë mesazhi tjetër i “Ncuk”-it.

Mendimi pozitiv i Selimit në librin “NCUK”, është një qasje njohëse dhe emocionale ndaj jetës dhe përvojave, e cila përqendrohet në identifikimin dhe përdorimin e mendimeve pozitive për të krijuar një perspektivë më optimiste dhe më konstruktive. Në thelb, mendimi pozitiv si i Selimit, presupozon një orientim të favorshëm ndaj jetës dhe një qasje pozitive ndaj situatave, ngjarjeve dhe sfidave. Rekomandimet e Selimit, janë optimizmi, mirënjohja, mosdorëzimi, këmbëngulja, durimi dhe kërkimi i vazhdueshëm. Këndvështrimi pozitiv ndaj të ardhmes dhe besimi se gjërat do të shkojnë mirë. Optimizmi i Selimit ndihmon në ndërtimin e një ndjenje të përgjithshme të shpirtit dhe reziliencë ndaj sfidave. Një ndërgjegje e ndjeshme dhe e përditshme për vlerat dhe dhuratat e jetës. Përshëndetja për aspektet pozitive të jetës mund të krijojë një atmosferë më të lumtur dhe më të kënaqur. Aftësia për të parë mundësi, ndërkohë që shtohen sfidat. Mendimi pozitiv i Selimit, përfshin aftësinë për të identifikuar dhe shfrytëzuar mundësitë edhe në mes të sfidave. Përqendrimi në zgjidhjet potenciale dhe alternative, e jo dëshpërimi, trauma, zhgënjimi, i shtojnë mundësitë për reziliencë, janë sugjerimi i Selimit. Ky aspekt i përshtatshmërisë emocionale është i rëndësishëm për të kapërcyer pengesat. Por siç ndodh rëndom, shpesh keqkuptohet edhe mendimi pozitiv i teorive të shumta psikologjike dhe thirrjeve të Selimit, sepse mendimi pozitiv nuk nënkupton një optimizëm të verbër, të shpresosh pa u angazhuar, duke i mohuar sfidat. Përkundrazi, Selimi kërkon njohjen realiste të sfidave, por shikon mundësi dhe zgjidhje aty ku është e mundur. Praktikimi i mendimit pozitiv mund të ndikojë në mirëqenien dhe shëndetin emocional të një individi, duke e bërë atë më të aftë për të përballuar sfidat dhe për të ndërtuar një jetë më të lumtur. Kjo do të thotë se, sipas “Ncuk”-it, duhet të kemi gjithmonë “dëshirë për të bërë diçka”, pasi ky disponim pozitiv për të angazhuar veten në një veprim ose aktivitet, tregon një vullnet ose gatishmëri për të marrë pjesë në një situatë, dhe mund të referohet edhe në një nivel më të gjerë, si gatishmëria për të pranuar sfida, për të mësuar nga eksperienca, ose për të përmirësuar veten.

Selimi mendoi për kohë të gjatë të botonte diçka, por nuk guxonte si shumë autorë të rinj që e kanë sfidën e madhe me librin e parë. Kishte një hezitim dhe kjo është gjë e dobishme, pasi jetojmë në epokën kur shkruajmë me lehtësinë më të padurueshme për gjithçka, qoftë edhe kur jemi amatorë. Këtë hezitim të Selimit, e shoshita si redaktor, lektor, korrektor e recensent, dhe ia thashë atij: Redaktori është si një kasap, ku ndan shprehjen e shkruar nga fjalët e tepërta, duke iu përqasur tekstit si një kasap që nxjerr me precizitet mishin nga eshtrat. Ai zbaton mjete të ndryshme të redaktimit për të siguruar që teksti të jetë sa më i konsumueshëm për lexuesit, po ashtu si kasapi i kafshëve që ndan pjesët cilësore të mishit nga ato jo të nevojshme, si dhjami. Vetë autori e ka të vështirë, sepse po e hoqi një pjesë nga teksti i vet, i duket sikur po e heq një pjesë të shpirtit të tij, prandaj ekziston redaktimi.

Libri “Ncuk” është të dish të thuash jo, në mënyrë më të butë, “jo bre çfarti, ik atje”, sepse jo-ja strikte, krijon sidomos në kontekstin tonë, ndjeshmëri të lartë ndaj refuzimit. Ky është një reaksion emocional që njerëzit mund ta përjetojnë kur iu refuzohet një kërkesë apo dëshirë, duke krijuar ndjenjat e zhgënjimit, hidhërimit, apo zemërimit. Kjo lloj ndjeshmërie është një pjesë e natyrës njerëzore dhe mund të ndryshojë ndjeshëm nga një individ në tjetrin, varësisht nga konteksti kulturor, shoqëror dhe emocional i secilit. Prandaj, libri “Ncuk” është jo, refuzim, mospranim, anulim, mospajtim, kundërshtim, rebelim, por në një mënyrë më diplomatike dhe empatike, për të pasur konsideratat sa më njerëzore sociale për të tjerët.

Dhe për fund, Selimi ka thënë gjëra që tashmë janë stërthënë nga librat e psikologjisë pozitive, por janë pozitive për njeriun dhe libri “NCUK” mund të quhet “rishpërndarje e mesazheve pozitive” ose “rithënia e mesazheve pozitive.” Kjo është një praktikë e zakonshme, sidomos në fusha si motivimi, zhvillimi personal dhe psikologjia pozitive. Nuk ka një term specifik për këtë fenomen në literaturën shkencore, por disa terma që mund të përdoren për të përshkruar një situatë kur një autor sjell ide ose mesazhe pozitive që janë njohur më herët mund të jenë “riafirmimi i vlerave” apo “ri-përvetësimi i njohurive pozitive”. Selimi me librin “Ncuk”, ka për qëllim të rikonfirmojë dhe të forcojë vlerat apo motivimin e lexuesit duke përdorur ide të njohura më parë, por duke i paraqitur ato në një mënyrë të re ose duke shtuar një perspektivë personale. Kjo është një praktikë e zakonshme në literaturën motivuese, librat e zhvillimit personal dhe fushat kur autori synon të inkurajojë dhe të ndërtojë një perceptim pozitiv ndaj jetës dhe sfidave të saj.

You Might Also Like