Libri

Një libër me vlera të veçanta historike, shkencore dhe memoaristike

Prof. dr. Irakli Koçollari, Akademia e Shkencave e Shqipërisë

Recension për dorëshkrimin e Fadil Kajtazit “Dosja: Ideologjia serbe e gjenocidit 1844 – 2007 – Analizë bazuar në burimet serbe dhe ndërkombëtare”

Çdokush që do të marrë në duar këtë libër, do të shohë qartë se autori i tij ka bërë një punë të gjatë dhe të lodhshme kërkimore. Ai e ka ndërtuar atë me dashuri të dukshme, evidente, me mall dhe me respekt për të parët e tij, për ata që nuk jetojnë më, për ata që jetojnë dhe për ata që do të jetojnë paskëtaj në këtë tokë të bekuar shqiptare, që quhet – Kosovë. Libri ka disa të veçanta që e bëjnë atë unik në llojin e vet.

Së pari:

Duhet ta them që në fillim se rrëfimi i Fadilit, që në rreshtat hyrës të librit, më ka befasuar me sinqeritetin unik të tij, sinqeritetin ekskluziv, një sinqeritet që rrallë e gjen te dëshmitarë të ngjarjeve apo në kronika historike që kanë lënë gjurmë të thella në fatet e një populli. Ai nuk merr poza dhe as kërkon fjalë të spikatura nën pozicione snobe. Ai do të vërtetën dhe, me fuqinë e përjetimeve vetjake, përpiqet t’i shkojë asaj sa më afër, atje ku ajo pulson pranë zëmrës. Ai do ta thotë atë të vërtetë ashtu sikundër e ka parë dhe e ka përjetuar emocionalisht, me momentet e ankthit – përpara kufomave të masakruara nga serbët, me drithërimat e fëmijës – kur ka parë viktima pa kokë apo pa gjymtyrë, me frikën e fëmijës së pafajshëm – se mos emisionet apo këngët që ai dëgjonte, do t’i dëgjonte dikush përtej dritares, me kërshërinë e të miturit – që dëgjon pleq dhe të rritur në debatet politike për Atdheun amë, përtej kufijve, me ndjeshmërinë përpëlitëse – teksa dëgjonte spikerët e një radioje të largët, Radio Tiranës, aq të dashur për shqiptarët e Kosovës, me revoltën e brendshme – ndërsa shihte demonstratat dhe demonstruesit në sheshet e Prishtinës dhe dhunimin e tyre barbar…

Së dyti:

Jo rrallë, historianit i qëllon të jetë edhe studiues i fondeve arkivore për ngjarje e ndodhi historike, dëshmitar okular dhe pjesëmarrës në to. Gjithçka në tërë kronikën e gjatë të këtij libri lidhet mjaft bukur mes përjetimeve personale dhe hulumtimeve dokumentare, nën rregullat dhe standardet e studimeve shkencore. Ndoshta kjo është karakteristike për autorët që janë edhe aktorë në ngjarjet tronditëse, që përfshijnë atdheun e tyre, por edhe spektatorë që duan të paraqesin tërë dimensionin e skenave që rrokin hapësirat e mëdha gjeografike, politike, ushtarake dhe humane të vendit të tyre.

Së treti:

Rrëfimi i këtij libri ka një dramatikë të rrallë, tronditëse. Ajo është e tillë sepse skenat e vrasjeve, të shpopullimeve, djegieve, përdhunimeve, emigrimeve masive, ndëshkimeve, burgosjeve, janë të pranishme në të gjithë kapitujt e tij. Sepse e tillë, për fat të keq, ka qenë tërë jeta e këtij populli të martirizuar, e tërë qenia e tij, e copëtuar dhe e gjymtuar pa mëshirë prej ksenofobisë, racizmit dhe urrejtjes racore, që serbët kanë ushqyer prej dy-tre shekujsh kundër shqiptarëve … Dhe këtë nuk e kanë bërë në mënyrë rastësore, por, fatkeqësisht, të programuar mirë, nën platforma akademikësh, diplomatësh dhe ushtarakësh, madje, fatkeqësisht, edhe nobelistësh… Ishin këto platforma çnjerëzore, antihumane, që ushqyen, frymëzuan dhe nxitën repartet e formacioneve të rregullta ushtarake, apo njësitë paramilitare, të armatosura gjer në dhëmbë me plumb, barut dhe bajoneta të lëshoheshin kundër këtij populli…

Së katërti:

Pikërisht këtu, tek ideatorët dhe mentorët e platformave fillon kërkimin, hulumtimin dhe studimin e tij Kajtazi, për të shkuar mandej në mënyrë logjike dhe shkencore drejt moralit të deformuar, që përpunuan këto platforma, drejt rrënjëve të urrejtjes që ka një popull (ai serb) për një popull tjetër (atë shqiptar), të pafajshëm, paqësor dhe punëtor, sikundër janë shqiptarët e Kosovës. Sepse i tillë ishte morali që ushqenin gjyshërit shqiptarë te fëmijët e tyre, në Kosovën martire, për luftën, shkaktarët e luftës dhe autorët e krimeve barbare. Kajtazi kujton: “Sa herë që i jepej rasti, gjyshi më thoshte, – Serbët na urrejnë për vdekje, pa u bërë kurrfarë të keqe. Lus Zotin që të mos ndodhë ajo që ka ndodhur më parë. Ne, tradita nuk na lejon të bëjmë krime mbi fëmijët, mbi gratë dhe mbi ata që dorëzohen. Lufta është luftë, ushtari me ushtarë, vret ose të vret, ndërsa serbët kanë traditë të vrasin fëmijë, gra dhe pleq.”

Së pesti:

Me gjithë kalvarin e pafund të vuajtjeve, masakrave, vrasjeve, skenave makabre, që renditen në faqet e këtij libri, autori është i përmbajtur, ai nuk nxit dhe as përcjell ndjenjën e revanshit, as të hakmarrjes ndaj popullit fqinj serb, që mbetet në histori shkaktar i gjakut të derdhur, i vrasjeve, i mëkateve të mëdha. Autori qëndron dinjitoz, përpara historisë, respekton standardet e civilizimit dhe qytetërimit modern, duke vënë gishtin mbi ideatorët, shkaktarët dhe ekzekutorët e vërtetë të krimit, me të cilët merret dhe duhet të merret drejtësia.

Në radhën e frymëzuesve të krimit të madh qëndrojnë platformat raciste dhe antihumane, që në thelbin e tyre predikonin teoritë ultra shoviniste, antishkencore dhe antihistorike, që janë përpjekur të kontestojnë autoktoninë e shqiptarëve në këto anë, me pretendimin se “shqiptarët janë ardhacakë prej Bjeshkëve të Nemuna…”

Për të rrëzuar pretendimet e mbushura me falsitet, autori flet me gjuhën e dokumenteve, duke prezantuar para lexuesit materialin arkivor historik mbi këtë dilemë të shpifur, që ka qenë dhe mbetet kryefjala e tërë debatit mbi popullsinë autoktone shqiptare në këto anë. Ai prezanton si pohimet e historianëve seriozë serbë ashtu edhe “duvazhinjtë” e teorive pseudoshkencore dhe në shërbim të propagandës nacional-shoviniste serbe, duke filluar nga … Çubiloviqi, Andriqi… dhe gjer te Dushan Batakoviqi…

Nën penën e Kajtazit, – pasqyrimi i makabritetit të krimeve serbe në Kosovë kalon çdo dimension dhimbjesh dhe monstruoziteti human, aq sa “do të lemeriste Ana Frankun…, apo “do të kishte një ngjashmëri të përkryer me Guernikën e Pikasos”, thotë ai.

Citimet e studiuesve të huaj, që kaluan në këto anë, që njohën nga afër shqiptarët e këtyre trojeve dhe u morën me historinë, karakterin, tiparet, zakonet, moralin, shpirtin, sjelljet, folklorin, e bëjnë më të plotë studimin shkencor të Kajtazit. Studiuesit, historianët, diplomatët apo analistët realistë, si: George Fred Williams, Mark Milan, Edit Durham, Branisllav Nushiq (i cili pohon qartë se “serbët i gjejnë këtu ilirët, arbanasit, dhe ilirët e latinizuar…”), – Radosllav Grujiq (i cili pohon me kurajë se “ne zbritëm prej Karpateve… dhe gjetëm këtu ilirët…), janë disa nga pohimet domethënëse të historisë së vërtetë të autoktonisë shqiptare në këto anë.

Autori sjell dhe me fakte bindëse trajton virtytet e shqiptarëve që jo rrallë janë deformuar apo janë anatemuar, sikundër besa, respekti për të huajt, respektimi i rendit etj…, ashtu sikundër na sjell qartazi racizmin e akademikëve serbë, si ato të Dobrica Qosiqit – i cili në mënyrë fyese dhe denigruese, me terma që nuk do të bënte të shprehej as një qytetar i rëndomtë dhe jo më një akademik, shkruan: “Populli shqiptar, si një llum social, politik dhe moral i Ballkanit, tribal dhe barbar, merr për aleat Amerikën dhe BE-në… në luftë kundër popullit më të iluminuar – atij serb”. Të tillë renditen edhe Jovan Cvijiq, Grujiq, Qoroviq, Jovan Tomiq etj.

Por, gjuhës së urrejtjes dhe makabritetit antihuman, Kajtazi i kundërvë dokumentacionin historik shkencor, duke filluar kronologjikisht prej antikitetit dhe duke mbërritur në kohët moderne. Kujton dardanët – në Iliadë dhe në burimet e antikitetit të hershëm. Citimet e drejtpërdrejta të Homerit dhe Iliadës librin e bëjnë një dokument konkret studimor për këtë periudhë kaq të hershme, madje na jep nder që populli ynë dhe dardanët të përmenden në dokumentin më të hershëm të historisë së shkruar të shoqërisë njerëzore… si rrallë ndonjë popull tjetër në histori, tek “Iliada” e Homerit. Ai përmend pohimet e heronjve më të mëdhenj të Iliadës, Eneas, Priamit dhe Dardanit, bir i Zeusit, të cilët me krenari pohojnë se janë dardanë dhe se vijnë nga Dardania.

Mandej, ai rendit pohimet e autorëve antikë grekë dhe romakë…, ndërkohë që asnjë fis apo popull lindor sllav nuk përmendet… në këtë hershmëri, në këto anë të Ballkanit, aq më pak të Ilirisë. Të tillë janë, – Justini për luftërat e Filipit II, babait të Aleksandrit të Madh, pohimet e Polibit në shekullin II p.e. së re, referon Varronin dhe veprën e tij – Mbi ekonominë fshatare, Tit Livin (shek. I Para e.r.), Strabonin (shek. I p.e.r. dhe I pas e.r.) i cili, në librin e tij “Gjeografia”, flet për territoret e Ilirisë dhe Dardanisë…, lumin Dril, që vjen nga Dardania… dhe dardanët kufizohen nga fiset e tjera ilire sikundër desaretët etj., Plinin, Vegetin etj.

Mandej zbret në burimet dokumentare mesjetare, që konfirmojnë autoktoninë shqiptare në trojet e Kosovës, sikundër Dokumentet e Vatikanit, ato të Misionarëve katolikë, Bogdanit, dëshmitë e udhëtarëve të huaj, si Evlia Çelebiu etj.

Dhe, për të pasqyruar vazhdimësinë e lidhjeve historike mes ilirëve dardanë dhe shqiptarëve të sotëm, Kajtazi kronologjikisht zbret te historianët e kohëve moderne, të cilët shkruan për këtë subjekt me korrektësi shkencore, të tillë si Milan Shuflaj, Aleksandër Stipçeviq, Branko Horvat, Lubica Shtefan, për të cilën mund të pohojmë se ishte dhe mbetet – zëri i kurajës dhe i së vërtetës historike me botimin e saj “Serbia dhe shqiptarët – rishikim i politikës serbe ndaj shqiptarëve…” etj. Krahas këtij dokumentacioni të pasur, autori nuk lë jashtë fokusit të tij të studimit as rrugën e formimit të etnosit dhe shtetit serb, ekspansionin serb – i pohuar publikisht prej Vasa Çubrilloviqit, kontestimet nga serbët të vazhdimësisë ilire në këto troje… prej ku shihet qartë se kjo e ashtuquajtur shkencë ka qenë në funksion të gjenocidit.

Me interes janë qëmtimet dhe referimet e bëra rreth toponimisë së territoreve gjeografike të Kosovës, në mbështetje të argumenteve shkencore për vazhdimësinë ilire-shqiptare në këto anë… Veglat e punës, instrumentet muzikore, dhe gjetjet e tjera arkeologjike, relievet, tumat, karakteristike të popullsisë ilire, onomastika e lashtë – janë dëshmi të tjera të vazhdimësisë së popullsisë ilire-shqiptare në këto anë.

Sigurisht, një çështje që ka dhe duhet të kishte një vend të veçantë në këtë analizë historike është edhe pretendimi antihistorik serb mbi të ashtuquajturën “Shpërngulja e Madhe”. Të vërtetën historike autori na e sjell përmes informacioneve të Bogdanit, njërit prej aktorëve dhe dëshmitarëve kryesorë të kohë, përmes “Ditarit anonim”, raporteve të gjeneralit austro-hungarez, Pikolomini, duke rrëzuar kështu falsifikimet e shumta dhe retushimet që u del boja në këtë ngjarje, të Vasa Çubrloviqit, Patriarkut të atëhershëm Arsenije dhe gjer të Dushan Batakoviqi.

Duke iu referuar historianit britanik të kohëve tona, Noel Malkolm, në botimin e tij të fundit, ai sqaron se “nuk flitet për shpërngulje sllave nga territoret e Kosovës në kohën e luftërave austro-hungareze as në vitet 1690 dhe as në vitet 1740”. Ajo që predikohet si “Shpërngulja e Madhe” (Velika Seoba Srba) – referuar dokumenteve të arkivave austro-hungareze dhe atyre osmane, bën me dije Malkolm: ata që u larguan nuk ishin sllavë, por shqiptarë, madje tregon vendin ku u vendosën dhe fshatrat që ata krijuan, që ekzistojnë edhe sot, si dëshmi historike.

Librin e tij Kajtazi e ndan metodologjikisht në Katër Pjesë. Pas hyrjes historike, Pjesa e Dytë titullohet “Ideologjia e gjenocidit”, ku ofrohen shumë dëshmi komprometuese për krimin historik serb në Kosovë dhe, mes të tjerave, rendit shkrimet dhe botimet e peshkopit Nikollaj Velimiroviq, i cili hyjnizon Hitlerin, që merr shembull nga ideja e Shën Savës, sjell për lexuesin “Ditarin” e kriminelit Obrad Stojanoviq, platformën e Grashaninit me studimin “Ideja e Serbisë së Madhe” – dhe pretendimin për “daljen në Adriatik” etj. Sjell në vëmendje Vlladan Gjorgjeviqin – me pretendimet tërësisht të pabaza për “mungesa e unitetit gjuhësor shqiptar dhe pretendimin se dy dialektet nuk kuptohen fare…, si argument dhe faktor për mosformimin e një shteti shqiptar”…

Jashtë vëmendjes nuk lihet as Vasa Çubrilloviqi, hartuesi i programit për shfarosjen e shqiptarëve, anëtar i organizatës terroriste “Mllada Bosna”, përkrahës i Hitlerit në holokaustin hebre, si dhe ideator i metodave dhe vrasjeve të shqiptarëve, hartues i platformës “Shpërngulja e arnautëve” – 1937, përmes së cilës nxit përdorimin e dhunës, pasigurinë e jetës, presionin e shtetit, pretendimet territoriale, aksionet diplomatike, racizmin etj. Bashkë me të pasojnë Stefan Moleviq, – me pretendimin “Serbia homogjene”. Nuk lihet jashtë përpjekjeve për dhunë dhe shpërngulje të shqiptarëve nga trojet e Kosovës as Kisha Ortodokse Serbe – institucion i nxitjes së racizmit dhe propagandës së “Serbisë qiellore” – sajesa këto në shërbim të politikës shoviniste serbe.

“Pjesa e tretë”, sqaron me një dokumentacion të bollshëm procesin e “Realizimit të gjenocidit” serb kundër shqiptarëve, duke renditur të gjitha fazat e spastrimeve etnike që kanë kryer serbët në territoret etnike në Kosovë: “Dëbimi i parë i madh”, “Dëbimi i dytë” – luftërat ballkanike, të cilat i denoncojnë edhe vetë studiuesit serbë, mes tyre Dimitrije Tucoviq, Novakoviq, si dhe britanikja Edit Durham, Leon Trocki etj. “Dëbimi i tretë”, rrok periudhën e viteve 1918-1940, kolonizimi me serbë i territoreve shqiptare, Lufta e Dytë Botërore, Shqiptarët dhe çështja hebraike. Ndërsa “Dëbimi i katërt” – është një pasqyrë e masave represive, vrasjeve dhe shpërnguljeve të shqiptarëve nga Kosova, në të ashtuquajturën Jugosllavi socialiste, ku përshkruhet koha e Rankoviqit dhe shpërnguljet e programuara të shqiptarëve nga shteti jugosllav, burgosjet, vrasjet etj. Duke grumbulluar statistika kryesisht serbe, Kajtazi konstaton se gjatë katër fushatave të dëbimeve, serbët vranë dhe dëbuan në mënyrë sistematike  mbi 730.000 shqiptarë.

Ndërsa në: Pjesën e katërt: – renditen Memorandumi 1986, – Demonstratat 1981, dhe çështje të tjera të propagandës zyrtare të ish-Jugosllavisë në përpjekjet e saj për të justifikuar masat shkombëtarizuese ndaj shqiptarëve gjer në përpjekjet për administrim ushtarak apo ndërhyrjet e dhunshme të ushtrisë ndaj demonstratave paqësore në këtë vend etj.

Në përfundim duhet thënë se botimi i Kajtazit është një punë me vlera të veçanta historike, shkencore dhe memoaristike, për tërë rrugën e mundimshme, të sakrificave, me të cilat janë ballafaquar shqiptarët e Kosovës. Ai sjell provat e pakontestueshme të akteve raciste, barbare, kriminale dhe shkombëtarizuese të derdhura mbi njerëzit e gjakut tonë, të paktën 250 vjetët e fundit, prej makinerisë serbe. Por, në të njëjtën kohë punimi është një provë dokumentare e qëndresës dhe e mbijetesës së kësaj popullsie martire, e triumfit dhe e vitalitetit të saj. Ky libër do t’u shërbejë brezave që do të vijnë që të mësojnë se toka dhe liria e saj është mbrojtur me gjakun dhe amanetin e mijëra të rënëve, të vrarëve, të masakruarve, të shpërngulurve me dhunë, të emigruarve, shumë prej të cilëve ne nuk ua dimë as emrat. Por, një poet latin thoshte: “Mund të ndodhë një ditë që brezat të mos i njohin apo t’i harrojnë emrat tuaj. S’ka gjë, ata i mban në gji toka amë, që një ditë pranvere t’i çelë bozhure…”

You Might Also Like