ARSIMI

Nxënësit e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” u prezantuan në “Panairin e Dijes”

 

Nxënës të gjitha grupmoshave e të të gjitha shkollave kanë prezantuar punime, eksperimente, lojëra, aftësi nga artet e sportet, në Panairin e Dijes, të mbajtur më 7 mars në Ditën e Mësuesit. Zyrtarë komunalë, udhëheqës të institucioneve arsimore, prindër e nxënës nga afër kanë parë të gjitha këto aktivitete, që janë realizuar nga fëmijët e parashkollorit e deri te ata që po përgatiten për studime.

Një hapësirë të veçantë kanë zënë edhe nxënësit e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, shkollë kjo që gjithmonë ka nxjerrë nxënës të shkëlqyeshëm.

Fillimisht ata kanë prezantuar eksperimentet e tyre nga lënda e fizikës e temë boshte ishte energjia elektrike. Si do të duhej të dukej një lagje moderne urbane, një stadium, rrugë me dy kahje apo edhe si gjenerohet energjia këtë e kanë shpjeguar fizikanët e rinj të Gjimnazit Natyror, punime këto që i kanë përgatitur nën përkujdesjen e profesoreshës Bukurije Sylejmani – Maksuti dhe aktivit të fizikës.

Pak më tutje, nga lënda e informatikës është prezantuar funksionimi i një shtrati special, për nxënësit me nevoja të veçanta e ku janë gërshetuar të gjitha mënyrat se si do të mund të zgjohej nga gjumi një person me nevoja të veçanta, duke përfshirë aty akustikën, efektin e dritës, por edhe spërkatjen me ujë.

Në këtë eksperiment janë gërshetuar shumë veprime, të cilat nisin me efektin e cingërimës së orës për zgjim nga gjumi dhe përfundojnë me zgjimin përfundimtar nga gjumi personit që i dedikohet eksperimenti. Gjithsesi se nxënësit e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” kanë aftësi në informatikë dhe këtë falë aktivit të kësaj lënde, të cilin kësaj radhe e përfaqësoi profesori i ri, por tejet profesional Pajtim Rashiti.

Shkencat Natyrore nuk mund të paramendohen pa lëndën e Kimisë dhe të Biologjisë, kurse në Panairin e Dijes nuk është lënë anash dija nga këto shkenca. Profesoresha Burbuqe Kadriu, bashkë me nxënësit e saj kanë prezantuar procese që ndodhin tek njeriu, prezantim ky që ka ngjallë interesim tek vizitorët.

Pos shkencave të natyrës, nxënësit e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” talentin e tyre e kanë prezantuar dhe në artet pamore dhe për këtë në një pano ata të udhëhequr nga profesoresha Magbule Xhemaili kanë prezantuar punimet e tyre me temë nga Dita e Mësuesit dhe e Nënës.

You Might Also Like