Në një kohë kur rrjetet sociale shërbejnë si një dritare për të shfaqur të përditshmen, për gjilanasin Onur Dauti, ato janë shndërruar në një tribunë të satirës dhe kritikës konstruktive. Prej 15 vitesh, 35-vjeçari nga Gjilani përdor zgjuarsinë dhe metaforën për të nxitur reflektim mbi çështjet shoqërore, duke u bërë një zë i dashur për mijëra ndjekës anembanë Kosovës.
Onuri nuk është një emër i panjohur për ata që ndjekin dinamikat sociale në rrjet. Fillimet e tij datojnë që nga mosha 20-vjeçare, kur nisi të vëzhgonte realitetin me një sy ndryshe. Sot, si një Zhvillues Tregu në kompaninë e ujit “DEA”, ai arrin të gjejë ekuilibrin mes jetës profesionale, përkushtimit ndaj fesë dhe pasionit për shkrimin.
“Me satirë kam filluar të merrem seriozisht nga mosha 20-vjeçare. Shkrimet e mia janë të momentit, si për anën negative ashtu edhe për atë pozitive. Satira është një shkallë më e lartë se ironia; ajo denoncon, por edhe demaskon,” tregon Dauti, duke shtuar se reagimi i njerëzve ka qenë gjithmonë shtysa kryesore për të mos u ndalur.
Përtej profilit të tij si satirist, Onuri njihet si një prind i devotshëm dhe një punëtor i dalluar në ekipin e kompanisë “DEA”. Ai është gjithashtu një praktikues i rregullt i fesë islame, duke e konsideruar besimin si një shtyllë të rëndësishme të jetës së tij. Kur bëhet fjalë për frymëzimin letrar, ai nuk fsheh adhurimin për kolosin e letërsisë shqipe, Ismail Kadare.
“Orari im është i ngarkuar. Jam i nderuar që jam pjesë e një ekipi shembullor në ‘DEA’. Satira, nga ana tjetër, është kapitull më vete. Shumë herë, qoftë nga gjumi apo duke ngarë makinën, më vjen një mendim për një ngjarje të freskët dhe mundohem ta kthej në satirë,” shprehet ai.
Si çdo gjilanas i vërtetë, sporti zë një vend të veçantë në zemrën e tij. Onuri është tifoz i flaktë i klubit të qytetit të tij, FC Drita, si dhe i gjigandit turk të Galatasaray. Të dielat e tij shpesh kalojnë nën emocionet e ndeshjeve, duke përjetuar me pasion çdo fitore apo humbje.

Pas 15 viteve krijimtari në sferën digjitale, Onur Dauti po mendon seriozisht për hapin e radhës: botimin e një libri. Me mijëra thënie dhe vëzhgime të mbledhura ndër vite, ai shpreson që së shpejti t’i përmbledhë ato në një format fizik për lexuesit e tij besnikë.

Për t’i dhënë lexuesit një shije të stilit të tij unik, po shkëpusim disa nga vëzhgimet më interesante të Onurit që kanë bërë xhiron e rrjetit: “Nesër mos harroni pak ma herët ejani në xhuma, se vijnë kandidatët për deputetë.”
“Herën e fundit e patën premtu autostradën deri te Dheu i Bardhë, sivjet nashta e çojnë deri te Molla e Kuqe.”
“Pluhuri duhet të jetë simbol zyrtar i Gjilanit.”
“Jam në gjendje me i hargju 3 euro benzinë tu kqyr me i pshtu 1 euro të parkingut.”
“Kalon ambulanca me sirenë të lëshume, na thojmë: ‘hajt be se veç mi ik kolones e ka’.
Me një stil që shëron përmes buzëqeshjes,
Onur Dauti mbetet një nga satiristët e paktë në Kosovë që di ta kthejë rutinën e lodhshme në një moment relaksi për të gjithë.





