Libri

PARA POETIT QENKA VETËM NJERIU

Prend BUZHALA
PARA POETIT QENKA VETËM NJERIU
(LEXIM LETRAR I POEZISË SË SHERAFEDIN KADRIUT “METONIMI E FISNIKËRUAR”: mikut tim të vlerë, Sabit Rrustemit. në gjashtëdhjetepesë vjetorin e lindjes. Një bashkëbisedim eseistik: Njeriu dhe Poeti)
Në letërsi ekziston edhe miqësia krijuese si thelb i një lidhjeje të fortë dhe të frytshme midis krijuesve, ku bashkëpunimi nuk është vetëm teknik, por një proces i ndarjes së ideve, shkëmbimit të përvojave dhe zhvillimit të bashkëpunimeve të reja. Krijuesit që ndajnë një lidhje të tillë janë të hapur ndaj njëri-tjetrit dhe janë të gatshëm të punojnë së bashku për të arritur qëllimet e tyre krijuese e intelektuale e, në rastin e Kosovës, gjithsesi edhe për qëllime nacionale.
“Miqësia krijuese është si një pemë e ndritur, që rritet nëpër shpirtin tonë duke na dhënë frymëzim dhe ndihmë në udhën tonë drejt kreativitetit”, thotë Jane Smith.
Poezinë e Sherafedin KADRIUT “METONIMI E FISNIKËRUAR” (Mikut tim të vlerë, Sabit Rrustemit, në gjashtëdhjetepesë vjetorin e lindjes), po e lexojmë si një tribut poetik.
1. MIQËSIA KRIJUESE DHE FORMA E TRIBUTIT POETIK)
Kjo formë e poezisë përdoret për të shprehur admirimin, nderin, si dhe respektin për subjektin që nderohet. Në tributin e tillë poetik, poezia përshkruan cilësitë pozitive, duke i përshkruar veprat, ndikimin ose personalitetin për të tërhequr vëmendjen për vlerat dhe kontributet e përbashkëta. Është një formë lirike për të festuar jetën e një personi të rëndësishëm, për të reflektuar mbi një ngjarje historike, për të ndërmarrë një udhëtim emocional nëpër kujtime, ose për të ndjekur një ide që ka ndikime të ndjeshme. Është një akt i respektit, që përdor fuqinë e poezisë për t’i shprehur reflektimet e ndjesitë dhe për ta ndriçuar rëndësinë e personalitetit e të figurës së krijuesit letrar.
Kjo poezi e Sherafedinit e nxit lexuesin të kuptojë se tributi poetik nuk është thjesht një formë e shkrimit, por është një shprehje e thellë e ndjenjave dhe përvojave personale të shkrimtarit lidhur me subjektin e nderuar. Me këtë thirrje të vogël të shpirtit, shkrimtari shpreh dëshirën e tij, në mënyrë kreative ndjenjat dhe mendimet e tij ndaj subjektit të nderuar. Kjo dëshirë për të përjetuar emocionet që subjekti sjell, është një element kyç i procesit të krijimit të tributit poetik, duke e bërë atë një shfaqje të thellë dhe të ndjeshme të zemrës së autorit.
E, pra, tributi poetik është një formë e shkrimit poetik që ka një ndikim të madh emocional dhe intelektual tek lexuesit. Ai shërben si një dëftim për të shprehur ndjenjat, mendimet, dhe përvojat e pasura. Nëpërmjet tributit poetik, shkrimtari ka mundësinë të përshkruajë një histori të paharrueshme, të festojë jetën dhe trashëgiminë e një njeriu të rëndësishëm dhe të krijojë një përshtypje të thellë dhe të qëndrueshme në mendjet e lexuesve. Në një botë ku lidhjet njerëzore janë tërheqëse dhe shkëlqyese, miqësia krijuese përfaqëson një dimension të veçantë të miqësisë që shkon përtej thjesht njohjeve dhe lidhjeve sociale. Ky lloj i miqësisë lind në kontekste të përbashkëta krijuese, siç janë shkrimi, arti, ose projekte të ndryshme që inkurajojnë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e ideve.
Miqësia krijuese është një formë e afrisë që përparon në një nivel më të thellë, duke gërshetuar lidhjen emocionale me një ndarje të përbashkët për krijimin dhe shkëmbimin e ideve. Në shkrim dhe art, miqësia krijuese ndihmon në nxitjen e një ambienti të përkrahjes, inkurajimit dhe kritikës konstruktive mes krijuesve. Kjo miqësi shpesh iu jep krijuesve një sens të rëndësishëm të përkushtimit dhe motivimit për të qenë të ndritur e të dalluar në pasionin e tyre. Në një ambient miqësor dhe inkurajues, ata ndihen të lirë të krijojnë, të sjellin frymë të re dhe të ndajnë kreativitetin e tyre me miqtë e tjerë. Kjo krijon një mjedis frymëzues që nxit krijuesit të dalin jashtë zonës së tyre të rehatshme dhe të qëmtojnë e zbulojnë hapësira të reja në shkrim dhe art.
Në një botë të tllë pasionante artstike, miqësia krijuese shpërthen si një flakë frymëzimi dhe inkurajimi. Kjo formë e miqësisë nuk është thjesht një lidhje shoqërore, por një lidhje thelbësore që nxit krijuesit të shkëmbejnë ide, të inkurajojnë njëri-tjetrin dhe të përparojnë së bashku në fushën për të cilën veçse janë përcaktuar.
2. RETORIKA REFLEKSIVE E METONIMISË
Titulli “Metonimi e Fisnikëruar” sugjeron një tip transmetimi apo përfaqësimi të një ideje fisnike nëpërmjet figurës së retorikës së metonimisë. Fisnikërimi si metaforë për krijuesin S. Rrustemi , nëpërmes “metonimisë”, është një aspekt kundrimi për ta theksuar rëndësinë dhe lavdërimin në mënyrë poetike dhe simbolike. Kjo zgjedhje e titullit të tillë (me një si metafigurë), dikton edhe interpretimin e thellësisë së nderimit dhe vlerës që Sh. Kadriu i jep mikut të tij krijues. Përdorimi i metonimisë si një figurë retorike për ta përshkruar këtë lidhje, është veçanërisht e fuqishme, pasi metonimia është një mënyrë e thënies poetike, e jashtëzakonshme për ta transmetuar thelbin e një koncepti nëpërmjet një elementi tjetër që ka një lidhje të ngushtë me të. Në këtë kontekst, “fisnikërimi” i personit të nderuar nëpërmjet metonimisë, është një procedim poetik dhe simbolik për ta theksuar rëndësinë dhe vlerën që i japin poetit në ditëlindjen e tij. Metonimia është një figurë retorike, gjerësisht e përdorur në letërsi dhe në gjuhën e përditshme për ta përshkruar një gjësend, një ide ose një koncept, duke përdorur një term tjetër që është lidhur ngushtë me të në mënyrë që ta përfaqësojë atë. Kjo figurë retorike përdoret për të krijuar imazhe të pasura e thellësi emocionale dhe për ta bërë tekstin sa më poetik dhe sa më të frymëzueshëm për lexuesin.
Një aspekt i rëndësishëm i metonimisë është dhe aftësia për të krijuar thellësi dhe kompleksitet në tekstin poetik. Përdorimi i metonimisë e bën tekstin më tërheqës dhe më të frymëzuar për lexuesin, duke shtuar një përmasë tjetër në interpretimin e tyre. Kjo figurë retorike nxit ndjesi të ndryshme, duke e bërë lexuesin të qëndrojë më afër tekstit dhe të ndihet më i lidhur emocionalisht me atë. Duke përdorur një figurë të tillë retorike, autori shfaq një respekt të lartë dhe një nderim, duke e prezantuar atë në një mënyrë të veçantë dhe të lartësuar. Kështu, titulli “Metonimi e fisnikëruar” nënkupton një transmetim të ndjenjave të thella dhe të lavdishme për personin e nderuar, duke e vlerësuar atë në një nivel të lartë poetik dhe simbolik.
3. STRUKTURA ARTISTIKE E KËSAJ POEZIE
Urimi poetik i SHERAFEDIN KADRIUT, poet e kritik letrar, fillon me një skenë intime ku ata takohen pas shumë vitesh, duke sjellë nostalgji për të kaluarën e tyre të përbashkët kur ishin gjimnazistë: “Më ktheve dyzet vite pas”, shpërfaq një ndjenjë të thellë nostalgjie dhe kujtimesh të bukura. Kjo skenë intime dëfton një takim të dy vetjeve, një bashkëbisedim intelektual ose emocional, ose një përjetim të përbashkët të shkëmbimit të ndjenjave dhe të kujtimeve të kaluara. Në këtë mënyrë, poeti hap poezinë duke u fokusuar në lidhjen e ngushtë dhe në ndjenjat e thella që ndajnë ata në këtë poezi.
Në këtë urim, që të dy bëjnë një udhëtim të përbashkët nëpër kujtime dhe ngjarje të ndryshme, duke e shfaqur personalitetin e poetit Rrustemi si një figurë fisnike dhe të rëndësishme në historinë dhe kulturën tonë. Poezia vë në pah ndjenjën e ndarjes dhe bashkë-udhëtimit, duke e theksuar rëndësinë e miqësisë dhe lidhjes së thellë që ata kanë ndërmjet tyre. Kjo lirikë është një shprehje e bukur e vlerave njerëzore dhe një nderim i thellë.
Më ktheve dyzet vite pas
kur shpërndave Fjalën qosh më qosh
e buxhak më buxhak
Këto vargje përbëjnë një shqiptim që ngjet në shprehje epike për një kohë të largët në të kaluarën, kur poeti që po nderohet, kishte shpërndarë fjalën, jo vetëm si pjesë e një veprimtarie krijuese, a si një lëvizje letrare, por edhe si një angazhim tjetër shoqëror-kulturor. “Kur shpërndave Fjalën qosh më qosh/, e buxhak më buxhak” : përdor një tip imazh për ta përshkruar intensitetin dhe ndikimin e fjalës. “Qosh më qosh” dhe “buxhak më buxhak” sugjerojnë një përhapje të përpiktë dhe të vazhdueshme të fjalës së tij, si një fluks i pandalshëm i shprehjeve dhe ideve, duke u shprehur me pasion dhe intensitet në përhapjen e fjalës së tij.
Sa njeriu të përshëndeti nga anekënd Kosovës
dhe qiellit lehtë iu bë
kur ua ktheve shpinën atyre grilave
që ta përcëlluan atë moshë të njomë
e buzët që ende qumështonin
Atëbotë
u turr ajo lukuni xhadeve të bardha
pis i bëri me të zezën
Në mëngjesin e hershëm të atij fillim prilli
njëmijë-e-nëntëqind-e-tetëdhjete-një
ua hoqe maskën mysafirëve
Këto vargje shpalosin një tjetër pamje të thellë emocionale për mikun e burgosur dhe për përjetimet e tij në burg. “Sa njeriu të përshëndeti /nga anekënd Kosovës” tregon për solidarësinë dhe për një ndjenjë të përbashkësisë, kur ai ishte jashtë burgut dhe përjetonte “lirinë” e tij. Kjo ndjenjë e përbashkësisë është e ndjeshme në vargun “dhe qiellit lehtë iu bë”, ku autori Kadriu paraqet ndryshimin në mjedisin natyror si një reflektim i ndryshimeve të brendshme dhe të jashtme të mikut të burgosur. Megjithatë, poezia “ngutet” ta përcaktojë një atmosferë të zymtë dhe të mbyllur, duke u fokusuar në burgosjen e mikut krijues e atdhetar në përjetimet e tij atje. “Atyre grilave” përfaqëson burgun dhe vuajtjet e përjetuara, ndërsa “ua ktheve shpinën” shpreh një ndarje të dhimbshme dhe një moment të pakënaqësisë ose dëshpërimit për rikthimin në këtë realitet të rëndë. “Pis i bëri me të zezën” është një shprehje e fuqishme për ta paraqitur ndjenjën e izolimit dhe humbjes së shpresës, ndërsa “ua hoqe maskën mysafirëve”, është një asociacion lirik a biografemë lirike (Sabiti qe burgosur për tregimin e botuar te revista “Fjala” me titull “Nën maskën e mysafirëve”):
Karadakun e larë me gjak
me të kalltë
e me të djegur
në Iseukaj
e ringjalle
sapo u ktheve për së dyti
në botën e letrave
Këto vargje tashmë shqiptojnë një rilindje dhe një përshtatje të personazhit lirik pas periudhës së vuajtjes dhe burgut. “Karadakun e larë me gjak, .me të kalltë/ e me të djegur/ në Iseukaj” dëfton një rrugë të vështirë dhe të ndërlikuar të përjetimeve në burg, ku krijuesi i burgosur qe përballur me dhimbjet dhe vuajtjet e mëdha. Por kur lexojmë leksemën foljore “e ringjalle”, shpreh një rilindje dhe rinisje, një ndjesi të ecjes përpara dhe shpresës pas një periudhe të errët. Kjo rilindje shfaqet si një kthim në botën e letrave dhe të jetës, një mjedis ku ai ndjehet i lirë dhe i realizuar… Është një rrugë e vështirë dhe e dhimbshme, por edhe një shpresë dhe një mundësi për ringjallje dhe përballje me sfidat e ardhshme, zbardhjen e masakrave sllavo-komuniste në Karadak e Gollak, në fund të luftës së dytë botërore, nisur nga fshati Iseukaj (Preshev) e, deri te kaspahanja e Gjilanit, në fund të dhjetorit 1944, ku poeti, në cilësinë e publicistit – gazetarit, solli mjaft fakte, qoftë përmes gazetës “Rilindja” – “Bujku”, revistës “Kosovarja”, po edhe prozës dokumentare, “Jetëshkrimi i Sylë Kopernicës” ( 1991 – 1994).
Më pas, që të dy i gjejmë në lëvizjen gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci … ku kalojnë një udhëtim emocional dhe intelektual të përbashkët, fryt i së cilës është një rilindje e shpirtit dhe e mendjes pas periudhës së vuajtjes në burgut dhe p♪7rpjekja për përmbushjen e viizionit në marritjen e lirisë dhe shtetit të pavarur e demokratik:
Dhe
kur po mbyllnim shekullin e vjetër
një shtet i ri lindi në Dardani
si poezia jote
Iu gëzuam pa hile
si fëmija lodrës së falur
Këto vargje paraqesin moment historik të rëndësishëm dhe një lloj rilindjeje për një shtet të ri. “Kur po mbyllnim shekullin e vjetër, një shtet i ri lindi në Dardani” përshkruan një kthesë vendimtare në historinë e Kosovës, një tjetër fillim i ri dhe një tjetër shpresë e re për të ardhmen. Krahasimi i lindjes së një shteti të ri me poezinë e poetit, është një imazh i fuqishëm i rinisjes dhe rilindjes. “Iu gëzuam pa hile si fëmija lodrës së falur”: një ndjenjë euforie dhe lirie, një ndjesi e pafajësisë dhe e lumturisë së papërmbajtshme. Ky çast i gëzimit dhe i përmbushjes së shpresave për një të ardhme më të mirë, shfaqet si një kthim në kohën e fëmijërisë, një kohë e pastër dhe e lirë nga ngarkesa e jetës. Kjo është një shprehje e bukur e një momenti historik dhe një fillimi të ri për një popull dhe për Dardaninë, një rilindje e shpresës dhe e lirisë.
Identifikimi i autorit Kadriu me folësin e tij lirik (dy subjekte: folës poetik është Sh. Kadriu, kurse folës lirik është poeti S. Rrustemi), shfaqet i plotë në identifikimin e ringjalljes së Dardanisë.
Miku im i vlerë,
i ke bërë vetit vend në Odën e Atdheut
mu në sofrën e parë
ulur këmbëkryq si burrat e Motit
Ta them
se e njoh mirë veprën tënde
Kritikët
do të flasin për ty edhe kur të mos jesh
se do t’i djegë dashuria për poezinë biblike
Po sonte,
metonimia ime u ndal te ditëlindja e fisnikut
Vijnë këto vargje si një tjetër nderim dhe një tjetër vlerësim i lartë për poetin në ditëlindjen e tij. Vetvetiu, në historinë e letrave, ditëlindjet e poetëve janë shënime të rëndësishme që shënjojnë momente të veçanta për letërsinë dhe lexuesit. Këto ditë festash nxisin reflektimin mbi kontributin dhe trashëgiminë e tyre në botën e letërsisë. Kurse poezia, si formë e shprehjes së thellë dhe të ndjeshme, ka qenë një element që shtron lidhje thelbësore mes krijuesit dhe publikut të tij.
Edhe te kjo poezi shqiptohen raportet e Poezisë dhe Ditëlindjes së Poetit. Ditëlindja e një poeti është më shumë se një festë personale. Ajo përfaqëson një rast për ta vlerësuar kontributin e tij në botën e letërsisë dhe për të reflektuar mbi ndikimin e tij në shoqërinë tonë. Është një kohë për të shprehur mirënjohje për krijimtarinë e tij dhe për ta kujtuar veprën e tij përmes leximit dhe analizës së poezisë së tyre. Një këndvështrim i tillë, krahas kësaj poezie, erdhi me veprën kritiko-letrare monografike “Qasje poezisë së Sabit Rrustemit” autorit Timo Mërkuri. Kësisoj, lidhja mes ditëlindjes së poetit dhe kësaj poezie ka një thellësi të veçantë.
Kur Sh. Kadriu shqipton vargjet “Miku im i vlerë, /ke bërë vend në Odën e Atdheut”, shpreh respekt dhe një lartësim si një figurë e rëndësishme dhe të nderuar në kulturën dhe historinë tonë. “Mu në sofrën e parë, ulur këmbëkryq si burrat e Motit”, është një asociacion i Vendit të Parë në Krye, si Prijës në fushën e tij. Ky imazh poetik i Njeriut të ulur në sofrën e parë, e krahasuar me burrat e Motit, ka një ndjenjë të fuqishme të autoritetit dhe të trashëgimisë. Aty ku thuhet “Kritikët do të flasin për ty/ edhe kur të mos jesh,/ se do t’i djegë dashuria për poezinë biblike” tregon për vlerën e veprës poetike edhe në të ardhmen, për ndikimin dhe përjetësinë e saj në kulturën dhe letërsinë tonë.
“Po sonte, metonimia ime u nda/l te ditëlindja e fisnikut” është ai moment i veçantë i një lidhjeje të ngushtë midis autorit Kadriu (si folës poetik) dhe poetit Rrustem (si folës a personazh lirik). Këto vargje janë një përfundim i tejshkëlqyer për urimin poetik, duke treguar për një lidhje të thellë dhe të vazhdueshme midis tyre.
4. NJERIU DHE POETI
Në vargun e fundit:
ngase para poetit qenka vetëm Njeriu
poeti thekson një përqasje të thellë midis njeriut dhe figurës së poetit. Ky varg ka një shkëlqim të veçantë, pasi dëfton dy subjekte: Artistin dhe Njeriun. Në këtë kontekst, “Njeriu” përfaqëson një të vërtetë më të gjerë, një gjendje të përgjithshme të njerëzimit, kurse kapaciteti krijues dhe shprehja artistike janë një pjesë e rëndësishme e kësaj qenie sublime të krijuar nga Hyji, por që janë tërësisht të lidhura me realitetin dhe përvojat e jetës njerëzore. Me këtë varg, poeti na sjell në vëmendje një lloj modestie dhe një përqëndrim të thellë në thelbin e qenies së njeriut. Ai thotë që, përballë poetit, ka vetëm njeriun, duke e bërë kështu shkëlqimin e kësaj figure të lartë të krijimit të mendimit njerëzor.
Jo kot, poeti spanjoll Frederiko García Lorka thotë në një rast: “Poeti është interpretuesi i gjërave të mëdha, ndërsa njeriu është kreatori i tyre.”
Në historinë e letërsisë botërore, poetët janë perceptuar si mediume të frymëzimit dhe interpretimit të realitetit. Lorka sugjeron një ndarje të qartë midis dy roleve: atij të poetit si interpretues dhe atij të njeriut si krijues, duke na dëftuar se poetët kanë një aftësi të veçantë për ta kuptuar dhe për ta shprehur thelbin e asaj që na rrethon, ndërsa njerëzit e zakonshëm kanë fuqinë për të krijuar dhe për të ndërtuar realitete të reja. Në letërsi poetët përceptohen si udhëheqës të lirisë së shprehjes. Kjo ide reflektohet në citatin e famshëm të Sylvia Plath: “Një poet është një njeri që ndjehet i lirë për të shprehur ashtu siç ndjehet.” Ajo sugjeron se poetët kanë një liri të veçantë për të shprehur ndjenjat dhe mendimet e tyre në mënyrë të hapur dhe autentike. Kjo liri e shprehjes është e rëndësishme për krijimin e poezisë, pasi lejon poetët të shfaqin zemrat dhe mendimet e tyre pa kufizime apo pengesa.
Megjithatë, liria e shprehjes nuk është gjithmonë e lehtë për t’u arritur. Në shoqëri ku ideja e lirisë së shprehjes është e kufizuar nga rregullat dhe normat sociale, përballja me sfida në paraqitjen e mendimeve dhe ndjenjave të tyre në mënyrë të hapur dhe autentike është e pashmangshme. Kjo i kishte ndodhur Sabitt dhe këtë e sugjeron e tërë poezia e Sherafedinit.
Poetët kanë aftësinë për ta parë potencialin e bukurisë edhe në situatat më të zakonshme dhe të mundshme. Kjo është një ide e rëndësishme në letërsinë moderne, ku poetët shpesh shfaqin një përceptim të thellë dhe të ndryshëm të realitetit. Poeti është ai që e sheh shqetësimin si një burim potencial për ta krijuar të bukurën. Në poezinë moderne, shqetësimet dhe konfliktet janë shpesh burim i inspirimit për poetët. Ata shfaqin aftësinë për ta përceptuar të bukurën edhe në momente të mundimshme dhe të vështira, duke e bërë poezinë një mjet për ta kuptuar dhe për ta përballuar realutetin e rëndë. Ndërkaq, – W. H. Auden nënvizon se “Poeti është zëri i ndërgjegjshëm i shoqërisë.” Në historinë e letrave poetët janë perceptuar si zëra të rëndësishëm në shprehjen dhe ndikimin e mendimeve dhe ndjenjave të shoqërisë. Citati i W. H. Auden dëfton rolin dhe ndikimin e poetit në përfaqësimin dhe interpretimin e ndjenjave dhe vlerave kolektive të një komuniteti. W. H. Auden sugjeron se poetët kanë një përgjegjësi të veçantë për t’i shfaqur dhe për t’i reflektuar vlerat dhe sfidat që i përballon një shoqëri. Poetët janë të ndërgjegjshëm për realitetin dhe përvojat e njerëzve rreth tyre, dhe ata e shfrytëzojnë këtë vetëdije artistike e etike për të krijuar vepra që prekin dhe frymëzojnë lexuesit e tyre. Krijuest shfaqin prirjen për t’i ndihmuar njerëzit të kuptojnë dhe të reflektojnë mbi çështje të rëndësishme shoqërore dhe njerëzore, duke e bërë poezinë një mjet të fuqishëm për të nxitur debatin dhe për të nxitur ndryshime sociale.
Megjithatë, kjo detyrë e poetit për të qenë zëri i ndërgjegjshëm i shoqërisë, nuk është lehtë për t’u realizuar. Poetët ndodh të përballen, si në të kaluarën, me politikën, për t’i ballafaquar pikëpamjet e tyre, por ata gjithmonë duhet të mbeten të besueshëm ndaj vlerave dhe bindjeve të tyre, duke përdorur poezinë si një mjet për ta përhapur vetëdijësimin dhe për të ndikuar në ndryshimet që duhen bërë. Poetët janë ndërmjetësues të veçantë të shprehjes së ndjenjave dhe përvojave njerëzore, duke e bërë poezinë një mjet të fuqishëm për ta shprehur atë që ndoshta nuk mund ta shprehin fjalët e thjeshta. Kjo prirje e tyre për të shprehur emocione dhe mendime të thella, e bën poezinë një formë të veçantë të komunikimit dhe frymëzimit në botën tonë. Shfaqet e dëftohet edhe perceptimi për poetët si shpirtra, të cilët ndiejnë një përgjegjësi të veçantë për të shkruar atë që njeriu tjetër nuk mund ta shprehë. Në këtë kontekst, poezia shpesh shërben si një mjet për të shprehur përvojat njerëzore në procedime artistike, të cilat janë të pamundura për ta shprehur me fjalë të thjeshta. Poezia, si kjo e Sherafedinit, shpalos thelbin e aftësisë së poetëve për të shprehur ndjesi dhe mendime që janë jashtë domethënies së zakonshme.
E pra, sa herë është thënë se poetët kanë një aftësi të veçantë për ta parë dhe për të menduar për botën në një mënyrë të ndryshme nga të tjerët, për faktin se krijuesit kanë një përceptim të veçantë të realitetit dhe që mund të shohin shumë më shumë se sa thjeshtë pamjet e jashtme. Kjo prirje e tyre për të shprehur mendime dhe ndjenja të thella, e bën poezinë një formë të veçantë të komunikimit dhe të frymëzimit. Virginia Woolf thekson se poetët janë individë që shpërndajnë fjalët e tyre në botën e jashtme nëpërmjet poezisë dhe pastaj shikojnë me vëmendje për të parë se si ato do të ndikojnë dhe do të përjetohen nga të tjerët. Ky perceptim na e krijon mundësinë t’i shohim poetët si udhëheqës të procesit të krijimit dhe të interpretimit të realitetit në mënyra të veçanta dhe të frymëzuara.
(5 prill 2024)
——————————
SHERAFEDIN KADRIU
METONIMI E FISNIKËRUAR
(Mikut tim të vlerë, Sabit Rrustemit.
Në gjashtëdhjetepesë vjetorin e lindjes).
U takuam në Muzeun e Qytetit
si miq Gjimnazi
se moti kohë s’ishim parë
Më ktheve dyzet vite pas
kur shpërndave Fjalën qosh më qosh
e buxhak më buxhak
Sa njeriu të përshëndeti nga anekënd Kosovës
Dhe qiellit lehtë iu bë
Kur ua ktheve shpinën atyre grilave
Që ta përcëlluan atë moshë të njomë
E buzët që ende qumështonin
Atëbotë
U turr ajo lukuni xhadeve të bardha
pis i bëri me të zezën
Në mëngjesin e hershëm të atij fillim prilli
njëmijë-e-nëntëqind-e-tetëdhjete-një
ua hoqe maskën mysafirëve
***
Karadakun e larë me gjak
me të kalltë
e me të djegur
në Iseukaj
e ringjalle
sapou ktheve për së dyti
në botën e letrave
***
Dhe
kur po mbyllnim shekullin e vjetër
një shtet i ri lindi në Dardani
si poezia jote
Iu gëzuam pa hile
si fëmija lodrës së falur
***
Miku im i vlerë,
ke bërë vetit vend në Odën e Atdheut
mu në sofrën e parë
ulur këmbëkryq si burrat e Motit
Ta them
se e njoh mirë veprën tënde
Kritikët
do të flasin për ty edhe kur të mos jesh
se do t’i djegë dashuria për poezinë biblike
Po sonte,
metonimia ime u ndal te ditëlindja e fisnikut
ngase para poetit qenka vetëm Njeriu
( Gjilan, 3 prill 2024 )

You Might Also Like