Tanimë dihet rezultati i zgjedhjeve e fundit nacionale, ndonëse ka stërzgjatje të procesit në shpalljen zyrtare të fituesit (ndonëse dihet fituesi). PDK është në opozitë në mandatin e ardhshëm, vendim ky për të shkuar në opozitë, i shpallur publikisht nga kryetari Kadri Veseli, menjëherë pas numërimit të shumicës së votave, që vlen për tu përshëndetur.
Fokusi im kësaj radhe do të jetë në shkaqet dhe arsyet e humbjes së PDK-së në këto zgjedhje, që për shumë kë rezultati paska qenë i pritur (normal jashtë nesh si PDK) edhe pse në tre muajt e fundit e kemi patur një angazhim maksimal në tentim arritjen e fitores, e që në realitet kishte qenë për të mbajtur vendin të tretë.
Një gjë duhet të gjithë ta kenë të qartë (për mue 100% është e qartë) populli asnjëherë, ama bash asnjëherë nuk gabon në vlerësimin e tij për partinë apo individët gjatë procesit të votimit. Prandaj unë besoj dhe vlerësoj që të gjitha partitë janë renditur realisht në këto zgjedhje (përjashto LDK-në e cila disi arriti që t’i ikë penalizmit nga vota edhe pse realisht ka qenë në pushtet gati sa gjithë partitë tjera).
Por le të kthehemi te PDK-ja: cilat ishin shkaqet, arsyet etj., që nuk arriti të del e para edhe pse siç thash më herët patëm një angazhim maksimal të strukturave dhe sidomos të Kryetarit Kadri Veseli?
Përgjigjja e parë padyshim është qeverisja e gjatë, gati mbi dhjetë vite; Skandalet e shumta të qeveritarëve, deputetëve, dhe zyrtarëve që ndërlidheshin direkt me PDK-në, etj. Kjo përgjigje në vete përmban shumë arsye , shkaktarë të mundshëm që kanë rezultuar me humbjen e PDK-së.
Por vlerësimi im për humbjen e PDK-së në këto zgjedhje ishte HUMBJA E KONTAKTIT (komunikimit) ME BËRTHAMËN ELEKTORALE.
Partia Demokratike e Kosovës, bazën e vet elektorale e ka te familjet të cilat ndërlidhen me çlirimin e Republikës së Kosovës (pa i anashkaluar edhe të tjerët). Duke e thënë këtë, vijmë në përfundim se ne si parti do të duhej që fokusin tonë ta kemi në mbajtjen dhe rigjenerimin e kontakteve me këta votues besnik.
PDK është parti e cila është krijuar nga bartësit e luftës çlirimtar të vendit, nga ish luftëtarët e UÇK-së, ish të burgosurit politik, LPK-ja, LKÇK-ja etj. Ne, po shihet se e kemi humbur kontaktin me këtë shtresë të popullit. Tentimi ynë që të jemi të hapur për të tjerët (që në parim nuk ka të keqe asgjë, normal nëse ata sjellin vota të reja, vlera të reja etj.), disi ka krijuar një hendek në mes nesh, e që padyshim rivalët (e sidomos atë që ndërlidhen me krahun e luftës) tanë e kanë shfrytëzuar këtë rast. Prandaj unë mendoj se është koha e fundit që PDK-ja t’i kthehet bazës së saj dhe t’i rivendosë lidhjet e vjetra me votuesit e tyre besnik, në mënyrë që rigjenerimi, ringjallja e partisë të bëhet nga gjenerata e tretë e çlirimtarëve.
PDK-ja në këto dy-tri vitet e fundit ka nisur një reformë të madhe brenda partisë, me ndikim jashtë saj. Padyshim që kjo reformë ka prekur shumë figura eminente të partisë, e që në parim ka ndikuar në rezultat në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ndarja e një pjesë të strukturave tona (NISMA), ka qenë padyshim një goditje e madhe; riciklimi i disa figurave politike; skandalet e njëpasnjëshme të zyrtarëve të partisë; keq-menaxhimi i resurseve humane të partisë; mungesa e meritokracisë etj. Pra, të gjitha këto kanë ndikuar në pakënaqësi kolektive të aktivistëve dhe strukturave e që në fund ka përfunduar me një rezultat jo të kënaqshëm për PDK-në.
Kryetari Veseli, së fundi filloi edhe një nismë që padyshim ishte një ndër nismat më të vështira, jo vetëm për Republikën e Kosovës por edhe për Ballkanin: luftën kundër korrupsionit, nepotizmit, krimit të organizuar etj. Padyshim që kjo nismë e Kryetarit Veseli, fitoi simpati të madhe te një pjesë e madhe e strukturave, e sidomos tek ata aktivistët e ndershëm të PDK-së që kishin shërbyer me aq vullnet për aq shumë vite për partinë dhe vendin, ku shpesh mundi dhe djersa e tyre ishte keqpërdorur fatkeqësisht shumë nga disa përfaqësuese të partisë.
Natyrshëm shtrohet pyetja: pse pra qytetari i Republikës sonë nuk i besoi projektit të Partisë të Demokratike të Kosovës?
Përgjigjja besoj është shumë e thjeshtë, ose ne, strukturat e partisë që jemi të thirrura për të përçuar porosinë e Kryetarit të partisë, nuk kemi ditur, apo nuk kemi mundur të transmetojmë idenë, qasjen, planin, ose në fund elektorati nuk na ka besuar që e kemi njëmend nismën e filluar dhe të proklamuar si luftën ndaj korrupsionit, nepotizmit, krimit të organizuar etj.
Pavarësisht të gjitha këtyre që u thanë në mënyrë të sintetizuar, unë besoj në Kryetarin Veseli si dhe në nismën e tij në vendosjen e një standardi të ri si brenda partisë dhe jashtë partisë, për të mirën e vendit tonë.
Partia Demokratike e Kosovës, Kryetari Veseli, e kemi rastin historik që gjatë periudhës së të qenit në opozitë: të riorganizohemi; të rigjenerohemi; të vet-kritikohemi, dhe krejt në fund të dëgjojmë elektoratin tonë besnik i cili nuk kërkon asgjë ma shumë se respekt, meritokraci dhe trajtim dinjitoz.
Flurim Arifi
Anëtarë i Këshillit Drejtues të PDK-së Dega në Gjilan
Ish kandidat për Kryetar të PDK-së Dega në Gjilan