OPINION

Pavarësinë e Shqipërisë e njohën nga burgu i Beogradit

 

fitim-rifati-1 Shkruan: Mr. sc. Fitim RIFATI, Instituti i Historisë – Prishtinë

 

Më 28 nëntor të vitit 1912 në Vlorë, përfaqësues nga të gjitha viset shqiptare shpallën Pavarësinë e Shqipërisë, formuan Qeverinë e Përkohshme dhe zgjodhën kryeministër Ismail Qemalin. Mirëpo, në ato momente historike në Vlorë nuk ndodheshin miqtë dhe bashkëpunëtorët e afërt të Ismail Qemalit, patriotët Hasan Prishtina dhe Nexhip Draga. Gjatë Luftës së Parë Ballkanike, në fillim të nëntorit të vitit 1912, forcat ushtarake serbe në rrethinën e Shkupit, pos mijëra shqiptarëve të tjerë, arritën të arrestonin e të burgosnin në Beograd krerët kryesorë politikë shqiptarë: Hasan Prishtina e Nexhip Draga.

beograd

Viti 1912: Shqiptarët në burgun e Beogradit

Qarqet politike dhe ushtarake serbe ishin të mirinformuara për profilin intelektual, politik e diplomatik të patriotëve Hasan Prishtina dhe Nexhip Draga. Ato kishin prova të mjaftueshme për autoritetin e tyre tek shqiptarët e Fuqitë e Mëdha dhe ishin të vetëdijshme se vizioni dhe idealet kombëtare të veprimtarisë së Hasan Prishtinës dhe Nexhip Dragës në thelb kishin Pavarësinë e Shqipërisë. Mbretëria e Serbisë, përkitazi me platformën e saj shoviniste, duke ditur se ata përfaqësonin programin politik dhe kombëtar të shqiptarëve, dëshironte të eliminonte reputacionin e tyre në Shqipëri dhe tek Fuqitë e Mëdha, posaçërisht tek kampi i Aleancës Trepalëshe (Gjermania, Austro-Hungaria dhe Italia). Prandaj, duke i mbajtur të izoluar në burgje, qarqet politike dhe ushtarake serbe tentuan përmes kërcënimeve e torturave të stigmatizonin personalitetin e tyre pikërisht pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Burgosja e liderëve politikë dhe kombëtarë shqiptarë bëri jehonë tek shtresa drejtuese e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe tek qarqet diplomatike të Fuqive të Mëdha. Për fatin e tyre, menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, jashtëzakonisht ishte i interesuar Ismail Qemali dhe monarkia dualiste e Austro-Hungarisë. Në dhjetor të vitit 1912, ndërsa kryeministri i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali, po përgatitej të formonte një Komision zyrtar për të vizituar qendrat vendimmarrëse evropiane për të ardhmen e Shqipërisë, njëkohësisht i kërkonte konsullit austro-hungarez në Vlorë, Wenzel von Lejhanec, “për ta vënë në dijeni se ku ndodhen aktualisht personalitetet shqiptarë Hasan bej Prishtina dhe Nexhip bej Draga”. Kryeministri shqiptar, Ismail Qemali, e ndjente boshllëkun intelektual, politik e diplomatik që paraqiste mungesa e personaliteteve të shquara shqiptare si Hasan Prishtina dhe Nexhip Draga. Ai kishte bashkëpunim të ngushtë me ta veçanërisht nga viti 1908 si deputetë në parlamentin osman, prandaj kultivonte përshtypjen se Shqipërisë i nevojitej jashtëzakonisht prezenca intelektuale dhe autoriteti politik e diplomatik i tyre. Ai besonte se Hasan Prishtina dhe Nexhip Draga do t’i jepnin fuqi diplomatike dhe përfaqësim të denjë interesave politike të Shqipërisë në kuadër të këtij Komisioni shqiptar në shtetet kryesore evropiane.

Austro-Hungaria, si mbështetëse maksimale e çështjes së Pavarësisë së Shqipërisë në kancelaritë diplomatike të Fuqive të Mëdha dhe në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, aktivizoi përfaqësitë e saj diplomatike në Vlorë, Shkup e në Beograd, për të siguruar informacione të besueshme mbi vendndodhjen e Hasan Prishtinës dhe Nexhip Dragës. Në telegramin e konsullit austro-hungarez W. Lejhanec në Vlorë dërguar ministrit të Punëve të Jashtme në Vjenë, Leopold Bertold, më 20 dhjetor 1912, paraqiten dy versione që në këtë kohë qarkullonin në Vlorë mbi vendndodhjen e këtyre personaliteteve. Ai njoftonte Vjenën zyrtare se në organet drejtuese të Qeverisë së Përkohshme shqiptare në Vlorë, besohej se Hasan Prishtina dhe Nexhip Draga ishin dërguar të burgosur në Serbi ose ishin strehuar në konsullatën britanike në Shkup.

Në të njëjtën ditë, më 20 dhjetor 1912, sipas një telegrami nga agjencia konsullore austro-hungareze në Shkup dërguar ministrit të Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, kontit Leopold Bertold, informohej nga burime të sigurta se Hasan Prishtinën dhe Nexhip Dragën “serbët me anë të kërcënimeve duan që t’i shtrëngojnë (detyrojnë, F.R)… për të dhënë nënshkrimet e tyre kundër pavarësisë së Shqipërisë (të shpallur në Vlorë, F.R)”. Duke njohur karakterin e tyre, mbi bazën e burimeve të verifikuara, në telegram nënvizohej se “ata nuk do të nënshtrohen edhe sikur të përdoren tortura”. Pavarësisht presioneve, kërcënimeve e shantazheve të vazhdueshme, Hasan Prishtina e Nexhip Draga u përmbajtën dhe nuk pranuan nënshtrimin para forcave politike dhe ushtarake serbe në burgun e Beogradit. Që të dy e njihnin platformën politike dhe ekspansioniste serbe karshi viseve shqiptare. Ata prej vitesh e ndjenin rrezikun e aspiratave serbe ndaj Shqipërisë, prandaj bënë përpjekje për realizimin e synimeve kombëtare shqiptare. Formimi i tyre si personalitete atdhetare, intelektuale, politike dhe diplomatike, nuk i lejonte denigrimin e rrëshqitjen në vargonjtë e politikës serbe. Pavarësia e Shqipërisë për ta ishte temë e padiskutueshme.

Me sa mund të analizohet dhe konstatohet sipas telegrameve të konsullit austro-hungarez në Shkup, Marian von Hessfeld Heimroth, më 22 dhe 23 dhjetor 1912, për të rritur forcën e presionit ndaj tyre u përdorën edhe tortura, përderisa nga burgu i Beogradit i transferuan në drejtim të Nishit. Këto informacione mbi gjendjen e vendndodhjen e prijësve shqiptarë, kërkohej t’i bëheshin të njohura edhe Ismail Qemalit, i cili ishte i shqetësuar thellësisht për fatin e bashkëpunëtorëve të tij.

Nga burimet informuese të ministrit fuqiplotë austro-hungarez në Beograd, Stefan von Ugron, të datës 23 dhjetor 1912, dërguar ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë, njoftohej për arsyet e arrestimit të Hasan Prishtinës e Nexhip Dragës dhe konfirmohet vendndodhja e tyre. S. Ugron i telegrafonte L. Bertoldit: “Krerët e shqiptarëve Hasan Beu (Prishtina) dhe Nexhip bej Draga, ish deputet në Parlamentin Turk (Osman, F.R), u arrestuan në Shkup, sepse nuk donin të nënshkruanin një shkresë besnikërie ndaj Serbisë. Aktualisht të dy gjenden në kalanë e këtushme (në Beograd, F.R)”. Këtë njoftim të S. Ugron, ministri i Jashtëm L. Bertold, më 24 dhjetor 1912 ia dërgoi nga Vjena konsullit W. Lejhanec në Vlorë, që në mënyrë konfidenciale t’ia transmetonte Ismail Qemalit.

Rreth gjashtë muaj sa i mbajti të burgosur në Beograd, Mbretëria e Serbisë nuk arriti të realizonte pretendimet e saj me anë të personaliteteve shqiptare. Hasan Prishtina e Nexhip Draga, edhe pse të burgosur e përballë presioneve, kërcënimeve dhe torturave, nuk pranuan t’i nënshtroheshin tentativave dhe trysnisë së qarqeve politike dhe ushtarake serbe për të firmosur një deklaratë kundër Pavarësisë së Shqipërisë, për të njohur formalisht pushtimin serb të viseve shqiptare, për të shprehur besnikëri të plotë ndaj Mbretërisë së Serbisë dhe për të aprovuar sendërtimin e doktrinës politike serbe në Kosovë dhe vise të tjera shqiptare. Ata nuk njohën as vendimin e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, të datës 21 mars 1913, sipas të cilit Kosova, që përfshinte një territor prej 32.900 km katrorë, të përkufizuar në hapësirën historike dhe etnografike të saj, i njihej ndërkombëtarisht aneksimit serb e malazez. Si pasojë e agresionit ushtarak serb e malazez në Kosovë, gjatë muajit tetor dhe nëntor të vitit 1912, mbetën të vrarë, të masakruar e të rënë në fronte të luftës rreth 25.000 shqiptarë.

Për shkak të presionit të Fuqive të Mëdha, ndërsa Mbretëria e Serbisë kishte realizuar pjesërisht aspiratën e saj për aneksimin serb të viseve shqiptare, me urdhër të Ministrisë së Luftës, Hasan Prishtina dhe Nexhip Draga u liruan nga burgu i Beogradit në prill të vitit 1913.

 

You Might Also Like