Shkruan: Izmi Zeka –
Ju nuk e keni njohur, por vetëm keni dëgjuar për te , por nëse të jepet mundësia, ke dëshirë të mësosh hollësi të tjera për jetën, krijimtarinë, aktivitetin patriotik të tij. Dhe, sa i dëgjon kujtimet e atyre që i kanë njohur më afër, që kanë jetuar, që kanë ndarë gëzimin e hidhërimin së bashku, ato të nguliten thellë në kujtesë dhe pas kësaj nisesh dhe krijon portretin e heroit, se kujtimet trokasin me forcë në mendjen tënde. Në fjalët e gjithë atyre që i kanë njohur, qoftë përmes materialeve të shumta, qoftë në formë ditari të shkruar, ky portret i heroit bëhet gjithnjë më i plotë, më i fuqishëm, dhe vetë ikja e tij e hershme dhe e pa ndriçuar e misterioze plotëson më së miri, portretin e luftëtarit te lirisë Në të kaluarën tonë, të afërt e të largët, shpeshherë hasim figura të cilat, me fajin tonë, kanë mbetur të pa studiuara, dhe të pa hulumtuara në dimensionet e përgjithshme historike dhe në rrafshin e përgjithshëm. Kjo harresë, nëse mund ta quajmë kështu, nuk duhet dhe nuk guxon të ndodhë. Më së paku për ata që nuk e meritojnë harresën. Një figurë e rëndësishme, një veprimtar e një atdhetar i devotshëm, padyshim është edhe njeriu në kujtim të të cilit jemi tubuar ne sot këtu, Xhevat Qerimi. Portretizimi i figurës madhështore të Xhevat Qerimit është shembull unikat i shtyrjes së një procesi që ishte tejet i vështirë. Njeriu mund të krenohet për veprat e tij, por edhe për miqtë e tij. Edhe për mua është një nderë të kujtoj vitet 1985 e tutje kur unë pata nderin që t`a njihja për së afërmi intelektualin e kohës, studentin e shkëlqyeshëm dhe vizionarin Xhevat Qerimin. Aktiviteti i tij në rrafshin ilegal të LPRK-së ka korresponduar në tri dimensione të kohës: – Dimensioni koordinues me komitetin drejtues të kohës – Dimensionin intelektual dhe – Dimensionin e një karakteri të pandalshëm për të sfiduar pushtuesin serb. Këto komponente në mënyra triviale paraqesin figurën triometrike që i kalon kornizat kohore dhe invencionin sa shkencor aq edhe historik. Thellësia e portretizimit të këtij tribuni sfidon hapsirën, momentin dhe rrethanat por në të njëjtën vertikale edhe pushtetin shtypës të Beogradit. Pas 81-tës, për herë të parë, arrihet të organizohet demonstratë e fuqishme në Gjilan në vitet 1989-90, në të cilën demonstratë një rol të padiskutueshëm e kishte Xhevat Qerimi. Kjo ishte vetëm rrumbullakim i filozofisë së veprimit konkret apo të realizuar dhe dizajnuar më herët. Gjilani, Dardana e Vitia, pa angazhimin e tij, nuk do e kishin dinamikën e organizimit dhe të përpjekjeve të pandërprera për liri. Par rënies ne burg te grupit te Gjilanit dhe Llapit ne vitin 1985 fillon rikonsilidimi i radhëve te LPRK-se ku ne krye ta saj ishte tani i përjetësuari ne memorie dhe altarin e lirisë Xhevat Qerimi. Ai padyshim paraqet simbolin e unifikimit dhe strukturimit te radhëve qe ishin te dekonsoliduara pas burgosjes se një numri të madh të ilegales ne Kosove. Dhe jo vetëm kaq Xhevati si udhëheqës i këshillit te rrethit te Gjilanit ,Kamenices dhe Vitisë i jep frymëmarrje lëvizjes dhe shtrirjes se saj anekënd Kosovës e ne veçanti ne këto treva qe i përmenda me sipër. Nuk ishte e rastit shtrirja e LPRK-së dhe se falë atributeve të Xhevatit me shokë rezultatet dhe sukseset shiheshin në të gjitha rrethet e tri komunave. Brenda një ore mbushej i tërë qyteti apo qytetet qoftë me komunikata apo pamflete. Bazë e këtij organizimi të fuqishëm ishte Xhevat Qerimi. Një djalë i ri si Xhevati nuk e dinte çka është frika kur atdheu kërcënohej. Tani kur ikën vitet qenia shpirtërorë ringjall aktivitetin pothuajse 10 vjeçar pa hyrë në detaje kemi portretin e një dëshmori që u rrit me frymën e martirëve më të mëdhenj. Pikëpamjet e këtij nga të dhënat dhe shkrimet autentike janë dimension real e praktik dhe nga ky përkufizim kjo figurë emblematike del si rrjedhim i logjikshëm i vazhdimësisë së përpjekjeve për krijimin e vlerave të platformës për shtetësinë e Kosovës. Prandaj veprimtaria këtij dëshmori duhet të shikohet në kontekstin kohorë. Sot, Xhevati vjen i skalitur në shtatore, i buzëqeshur dhe krahëhapur për të jetuar jetën, ai erdhi sot në vargje, në pllakë, në histori, aty ku përjetësisht e ka vendin. Në kuptimin e vlerësimit kombëtar, filozofia e shtrirjes ilegale dhe luftarake të bashkërenduar nga Xhevat Qerimi paraqet kulmin e zhvillimit të saj, duke krijuar kushte për zhvillim dhe progres të mëtutjeshëm. Xhevati pati ndikim të fuqishëm në rrjedha të lëvizjes ilegale të kohës. Kjo veprimtari e Xhevat Qerimit konceptohej në tri linja: – në angazhimin për përgatitjen dhe njohjen në esencë të qytetarit për shtypjen që bënte Serbia, – për ndërkombëtarizimin e shtypjes dhe – të luftës si pjesë e zgjidhjes përfundimtare të çështjes së Kosovës. Parapërgatitja e tij, potenciali intelektual, njohja e rrethanave kombëtare e ndërkombëtare, ishin komponentë që ndikuan në proceset e mëtutjeshme dhe strukturimin e lëvizjes çlirimtare drejt procesit final… Në këtë aspekt figura e tribunit të kësaj treve konsistonte në artin e luftës. Dhe ky art natyrshëm drejtpeshohet në frymën dhe qartësinë që e përshkonte dëshmorin e kombit dhe personifikimin e luftës çlirimtare si rrugë e vetme dhe e pashmangshme për zgjidhje përfundimtare. Xhevat Qerimi, kjo veç sa për të mbetur në kujtesë, ishte njëri nga pjesëmarrësit e grupit të parë të shqiptarëve të Kosovës, që shkuan për ushtrime ushtarake në Shqipëri, e që në fakt paraqet bërthamën e parë të një përpjekje për një ushtri të organizuar e që më vonë do të ishte e lavdishmja Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Nga ky refleksion Xhevat Qerimi paraqet në mënyrë emblematike historinë më të re të Kosovës, paraqet mendjen,artin e luftës dhe të ardhmen e ndritshme të Kosovës. Po t’i hidhet një sy vetë pamjes së Xhevat Qerimit, përfytyrimi për jetë ka vlerë, sepse jetën e bëri bashkë me vdekjen për të qenë të lirë. Nga kjo pamje që ka kuptimësi, arti i flijimit merr këto dimensione: Dimensionin historik, dimensionin moral e politik, dimensionin e përfaqësimit të unitetit dhe dimensionin e shtetformimit. Çka do që të themi ne të gjallët, sot ose kurdo tjetër, nuk mund të ndikojmë në madhështinë e dëshmorëve, të rënëve, e kontribuuesve të lirisë. Ata, ne me fjalët tona, nuk mund t’i bëjmë as më të mëdhenj e as më të vegjël. Ata e kanë siguruar lavdinë përkundër të gjitha atyre që themi ne. Por, fjalët tona më shumë flasin për neve të gjallëve. Sepse duke i kujtuar dhe ata, të pavdekshmit, ne e fisnikërojmë vetveten dhe e ndërtojmë të ardhmen.