Libri

PËR DASHURI KURRË S’ËSHTË VONË

Dr. Irena GJONI

 

(Përsiatje mbi vëllimin e ri poetik të Sabit Rrustemit, “Për dashuri kurrë s’është vonë”, botuar me rastin e 40-vjetorit të krijimtarisë së tij, nga Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, dhjetor 2017)

Hyrje

…Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Në dyzetvjetorin e krijimtarisë së tij, Sabit Rrustemi nuk mund të vinte tjetër, veçse me një përmbledhje poetike dedikuar tërësisht Dashurisë, si shenjë nderimi për Familjen, miqtë e lexuesit, duke dhuruar pafund Dashuri. Dhe kjo e ka arsyen e vet. Dashuria për këtë poet merr kuptimin e energjisë jetësore dhe shpirtërore, duke u shndërruar në frymën hyjnore të Muzës, duke u bërë tharmi i ekzistencës së tij poetike, duke e parë Dashurinë në kuptimin më të epërm të kësaj fjale dhe njëherësh shumëdimensionale. Në këtë kontekst, Dashuria shihet si një simbol i përjetësisë, sipas Dauglas Jerold .- Ajo fshin ndjesinë e kohës, duke shkatërruar gjithë kujtimin e një rifillimi dhe gjithë frikën e një fundi.

Struktura dhe bërthamat poetike

Nëse po flasim për strukturën e librit Për dashuri kurrë s’është vonë , mund të themi se është i veçantë. Në këtë vëllim gjenden 118 poezi të strukturuara sipas rendit kronologjik të krijimit të poezive, të cilat datojnë që prej 2 Kallnor 2016, sipas autorit, deri më 5 dhjetor 2017, vetëm pak ditë nga botimi i këtij libri. Pra gati rreth dy vite krijimtari, si të shkruara me një frymë. Kjo nuk është thjesht një kronologji datash, por një kronologji ndjenjash, që fare mirë mund të konsiderohej edhe si një ditar shpirti. Në këtë ditar shpirtëror vargjesh, shpërfaqet gjithë ndjenja e tij në përditshmëri, me gjithë përmasat e saj të dallgta, duke i pasur gjithë oshilacionet e veta prej qiellit në tokë e nëntokë e prej lindjes në perëndim, duke prekur çdo skutë të shpirtit dhe duke u shndërruar në kozmogonike. Nji planet e bana lojë e plojë në timen rrashtë- thotë poeti që në nisje të vëllimit.
Poeti është intuitiv për të përcaktuar saktë dy definicione:
1. Objektin e pagabueshëm, që ka krijuar universin e ndjenjës së tij të të gjitha përmasave.
2. Që pavarësisht kohës së shfaqjes në horizont të Erosit, hyut të dashurisë, ai thekson që për dashurinë kurrë s’është vonë.
Përgjatë gjithë poezive, poeti si në një lejtmotiv, thekson dëshirën për të përjetuar një histori dashurie të pazakontë, që ndodh vetëm një herë në jetë. Por kjo dashuri është përtej dëshirës, përtej pikësynimit, përtej mundësive e pamundësive, përtej racionalitetit. Ajo ndodh se duhet të ndodhë si një destin i Fatit a i Zotit, pavarësisht kohës. Këtu vihet në spikamë, ajo që citohet nga Erich Fromm: Dashuria nuk kërkohet. Ajo vjen atëherë kur nuk mendon për të.
Ajo vjen si dritë e shenjtë, thotë Sabit Rrustemi.
Mjegull nuk ra as qiella nuk u vrejt/ kurdo dhimta mue me m’ mejtë/ u shfaq si dritë e shejtë (Dashuri jete)
Dhe kjo “platformë” poetike, ku gjenden të gjitha bërthamat poetike përbërëse të vëllimit, gjen pasqyrimin te poezia e parë që hap librin, e titulluar në mënyrë sinjifikative, Dashuri jete.

Natyra e ndërlikuar e dashurisë në poezitë e këtij vëllimi

Në çastin kur jepemi pas ndjenjave, bota ndryshohet. – shprehet Emerson. Dhe një ndër atributet e dashurisë në jetë, është që të na frymëzojë. Nuk është e lehtë të shqyrtosh natyrën e ndërlikuar të Dashurisë poetike të Sabit Rrustemit. Sepse poezinë e tij të dashurisë, sipas prof. Anton Nikë Berishës, e cilëson shumësia e qasjeve dhe shumëllojshmëria e shqiptimit të dashurisë; të shprehurit poetik dhe pamjet – tablotë e pasura, që njësohen dhe bëjnë një mozaik tërësor artistik; natyrshmëria e rrëfimit; mëvetësia e përftimit të varianteve; ballafaqimi dhe përplasja e dukurive, e aspekteve dhe e mendimeve; mbrumja dhe gërshetimi i realiteteve të ndryshme, që dashur e padashur, të kujtojnë realitetin e ëndrrës, ku s’ka kufij kohorë, hapësinorë dhe mendorë.
Ka një lloj kontradiksioni në poezinë e Sabit Rrustemit. Nga njëra anë kemi tingëllimën e fuqishme të dashurisë së tij, që e shpërfaq në të gjitha ngjyrat dhe reflekset e mundshme të saj, duke na u shfaqur e ndrishme, madje e qartë dhe në tejdukshmërinë e saj. Ndërsa nga ana tjetër, ka një lloj misticizmi në mënyrën se si e bën të pranishme mes vargjeve femrën e cila ka tronditur themelet e shpirtit të poetit. Është një tendencë për të pikturuar portretin e së dashurës me të gjitha elementet e natyrës, duke na e dhënë sa të ëndërrt (si një ruajtje e identikitit të saj), sa të prekshme dhe të ndieshme në cdo gjë të bukur e të vecantë që na rrethon.
Shpirtëzimin e natyrës që e adhuron, e realizon te femra që dashuron. Sytë e saj kanë marrë gjelbërimin e pyllit të Çepurit. Hapësira e vajzës është një stinë e blertë e po kështu një stinë e blertë si ata sy. Zemra e saj është një bli me aromë, flokët e saj si fije bari, e cilëson flutur e fjetur, mjellma ime, e fshehur nëpër pika shiu, trupin e atij shpendi pikëlon. Ngjyra e syve të saj në petale lulesh është derdhur e në barin e njomë ka lëshuar shtat. Duket sikur nuk ka ngelë element i natyrës pa u parë i pasqyruar në gjithë qenien e së Bukurës, vajzës, femrës, sa janë shkrirë në një simbiozë me njëra – tjetrën: Syblertja ime/ Sa të kërkon lumi/ në gjirin e vet të fsheh mali.( Syblertja ime)
Te poezia Nëpër stinët e shpirtit tënd, vërehet qartë ky fenomen. Poeti shprehet: Pranvera më solli hapësirës sate/ për ta shijuar një stinë të blertë/ (…)ai bli i zemrës sate aromë më mbushi/ te Ana e Kronit/ dardha e kuqe më bishtnoi përmes një dege/ fijet e barit si flokët tua duarsh më mbetën/ (…)zogu strehë kërkoi e treti pas Teje/ udhëve që nuk i ece ende.
Ky element i poezisë së Rrustemit, shërben si një urë lidhëse (mes të tjerash), me poezinë erotike të traditës dhe është shumë i dukshëm Panteizmi. Por në ndryshim nga poetët e mëparshëm që natyrën e shohin në një rrafsh të përgjithshëm, te Sabit Rrustemi natyra është konkrete dhe e identifikueshme me Çepurin e tij. Ai adhurim për Çepurin që dihet që ka poeti, reflektohet me adhurimin e shumëfishuar për femrën e poezisë. Të pranishme janë toponimet konkrete dhe paralelizmat konkrete ndaj në vargje përmend: Ana e Kronit, Hijen e Grihës, Reka Ahit, Rogat e Goclave, Majës Çepurit, Kroni i Shplutë, Lulet e Çepurit, Te Rogat e Goclave, Gur i Keq, shkozë Çepuri, zogjtë e Çepurit, Gurrë Çepuri, kurorat çufrake të Çepurit/ shkund nga gjumë stinësh një Çepur që s’bëzanë.

Platonikja si esencë e poezisë erotike të vëllimit poetik

E kam mërzitur tej mase të shkretën zemër/ së dashuruari njëanshëm – shprehet Sabit Rrustemi te poezia Veç a mundet, duke e bërë të qartë që në fillim që dashuria e unit lirik është një dashuri platonike.
Thuhet se Dashuria që nuk mund ta kemi, është ajo që zgjat më së shumti, dhemb më së thelli, por ndihet më së forti. Kjo ndjesi perceptohet përgjatë gjithë vëllimit poetik Për dashuri kurrë s’është vonë. Larg teje mbeta/ brenda dëshirës sime të marrë/ Ti më shkrumboje sysh pa pikë mëshire/ e një hap kah unë nuk e bëje/ Buzët e mia të etura mbetën/ nën përcëllimat e zjarrit që s’u shua.
Gjysma e flaktë e shpirtit tonë, është një koncept i shfaqur që tek mitologjia greke, ku thuhet se shpirti njerëzor është ndarë fillimisht në dy pjesë dhe pastaj endet nëpër botë derisa të gjejë gjysmën e tij. Kjo mund të jetë gjykuar si një mit shpirtëror, por faktikisht ekziston te njerëzit me një ndjeshmëri tejet të lartë. Gjysma e flaktë e shpirtit nuk është binjaku, por është shpirti ynë. Dhe te pothuajse të gjitha poezitë e Sabitit, ndihet kurba në ngjitje drejt dashurisë sublime të unit lirik. Por ama e njëanshme dhe platonike. Herë shfaqet si një dashuri në heshtje: Kujtesave më shfaqesh/ e shkrihesh heshtazi/ nëpër ndezjen e gjakut tim (Një ditë kur befas do të shihemi); herë si një bërtitmë dhe ulërimë shpirti që e ndien vetëm i zoti: Aq më bën pse mbeta këndej lumit/ e ti tutje në fund të horizontit (Intermeco); herë si një dashuri në vetmi: të gjitha shmangiet e tua/ përfundojnë poreve të mia/ ti ikën me të pathënat (Më ndez e pathëna jote); herë si një dashuri në distancë shpirtërore: Deri tek sytë e saj mund të hyj e të vallëzoj/ vetëm përmes shtegut të ëndrrës (Shtegut të ëndrrës); herë si një pamundësi rrethanash, kodesh, moralesh: Ti ëndrrave të mia/ shkreh flokët (Më ndez e pathëna jote); herë si një dashuri përvëluese malli: Fytyra jote përmes ajrit përndez sytë e mi/ a Ti larg këtyre bjeshkëve rrëzë Malit të Moçëm/ e vetme rri./ Çepuri / me penjëzat e pritjes një Mëngjes të ri end (Ç’stinë është kjo stinë që vjen pa ty)
Në një shkrim timin them se dashuria nuk është te tjetri. Është brenda nesh si një flakë, si një bishëz. Por për ta zgjuar, për ta ndezur, për ta flakëruar, për ta parë, për ta ndier, për ta përjetuar, kemi nevojë për gjysmën tjetër. Dhe kjo gjysma tjetër, pavarësisht që në libër nuk shfaqet e mëvetësishme me ndjenjën e saj, është tronditëse me ekzistencën e saj dhe promotore e gjithçkaje që ndodh në universin shpirtëror të poetit: Nuk njoh portë/ as aortë/ që s’ hapet e s’pulson/ nën ritmin e kësaj dashurie (Nën ritmin e kësaj dashurie).
Lidhja me gjysmën e flaktë të shpirtit është një koncept sa ideal dhe real, por që thekson atë që përmendëm në krye të herës: që kjo dashuri, ndodh vetëm një herë në jetë. Femra që i vjen poetit me energjinë e shpirtit binjak, e ndihmon që të mësojë mbi vlerën e vetes, frikën që ka, universin e ndjenjës, të zhbirojë thellë në skutat e errëta të mendjes, shpirtit, pafajësinë dhe dlirësinë e një dashurie, por mbi të gjitha, vlerën e dashurisë.
Nga ana tjetër, uni lirik shpeshherë shndërrohet në un meditativ duke e glorifikuar dhe ngritur në piedestal figurën femërore, që e dashuron përmes adhurimit, duke e kthyer në një hyj për të cilën ishte gati të vetëflijohej në flakët e dashurisë së tij.
Ndërtimi i një përfytyrimi individual për dashurinë

Siç e përmendëm më lart, dashuria te ky vëllim shfaqet si kozmogonike. Për vetë thelbin e dashurisë së tij, që poeti e konsideron qiellore, ai e bart atë në lëvizjen nga tokë, në botën e qiejve: Nxito drejt meje/ si drejt qiejve/ ku nuk arrijnë retë (Hartë e mjegullt në horizont), duke marrë gjithë atributet e tij, duke na u shfaqur sa fluore, aq edhe enigmatike. Thelbi i madhështisë së Universit, përbën edhe thelbin e madhështisë në këtë dashuri, si një kategori estetike: F’tyra jote prej hëne mbi supin tim; Brenda qiellnajës sate/ mbështjellë stinësh; Qiellin tand me zdritë tuj vallzue; diellnajë jete ktheve syve të mi; Në secilën pikë të këtij globi/ të pret dashuria. (Te poezitë me të njëjtët tituj si vargjet).
Një element shumë i rëndësishëm i poezisë së Sabit Rrustemit në këtë vëllim poetik, është koncepti kohë i pakohë. Pavarësisht që datimi i fillimit dhe përfundimit të poezive është i përcaktuar, koha e dashurisë në to është e papërcaktuar. Koha në të cilën u puqëm/ nuk del të jetë e jona (Ajo thyen vetëm zemra), Edhe përtej ëndrrës brenda meje rri (Përtej ëndrrës) apo Një jetë si kjo/ e shkurtër qenka për të takuar (Në secilën pikë të këtij globi), shprehet autori.
Poeti ka krijuar një kohë të pakohë të vetën të emërtuar Stinë. Kjo stinë nuk përcaktohet kurrë sa zgjat dhe nuk përcaktohet kurrë se çfarë fytyre ka. Kjo është arsyeja që pikërisht e ka përdorur këtë jo vetëm për të dhënë kohën e tij të dashurisë, por për të dhënë edhe portretizimin e vajzës që dashuron.
Sina si kohë: ç’stinë është kjo stinë që vjen pa ty (fq.9); stina e vonuar e jetës zgjon të blertën (fq.20); një stinë veç po ikën/ tjetra pranë buzëve prêt (fq.22); stinës që kthjellë e s’vranë (fq.27); m’u kthye në verë stina ime (fq.42); stina e zjarrtë/ çdo pore të trupit ma pushtoi/ mbështjellë stinësh përpush vetmi (fq.53); unë dridhem stinës që afrohet (fq. 74); stina ime e shpërgjumur pa ty nuk mbet (fq. 79); stina që vjen zgjat ëndrrën (82); me gjelbërim stine moteve me diell e shi (fq. 83); kam harruar në cilën stinë e pashë/ atë ëndërr jete fq. 90); stinët na therën bri më bri (fq. 90); mungesa e stinës që duam (fq.6); ngrin kjo stinë mesnatës së vetmisë, (fq. 7); lis i rilindur stinësh (fq. 35).
Stina si portret fizik e shpirtëror: sytë e tu stina ime fq. 28); nëpër gjurmët e pashlyera të puthjev/ janë sytë e tu stina ime, që e ndezin kohë e pa kohë (fq. 28); nëpër stinët e shpirtit tënd, stina ime je e ëndërrta ime (fq. 28); një stinë të blertë si ata sy (fq. 31); ato buzë si kjo stinë që mugullon (fq. 33); ti lulja e stinës sime (fq. 40).
E në gjithë këtë panoramë, malli (jo si mall i distancës fizike) dhe pritja (që mund të jenë objekt i një studimi më vete), enden kudo në gjithë poezitë, që si përfundim i venë vulën vëllimit Për dashuri kurrë s’është vonë:
Nuk mund ta kuptoj/ o unë jam vonuar tepër/ o ti që herët je nisur/ (fq.60)
Si një i çmendur pres/ e nuk vdes pa ardhur Ti (fq.72).

( Autorja është pjesë e Universitetit të Tiranës, Dega në Sarandë )

You Might Also Like