Libri

PËR PENDIMIN QË S’E THE KURRË

Sadete TËRNAVA OSMANI
 
PËR PENDIMIN QË S’E THE KURRË
 
( Cikël poezish nga libri në dorëshkrim, “Thuaj s’thashë” )
 
FLOKËVE TË PRILLIT
 
Kur bie shi e putrat te mbesin përmbi
Me dëfto çfarë ndjen
Pse s’flet ndërsa gjëmën ta dëgjoj
Mos po thua durim kam se përmbajtja gjakftohtë luftë është
Kot e ke ta kthej unë
Gaforret të kalërojnë e ti s’bëzan
Kur lule me gjemba të mbjellim si s’të dhemb
Shkëmb me shpirt ku ke parë ti
 
Ndoshta mirë je e unë s’kuptoj
Tek livadhet gjerësisht i palos rrëzë lumenjve
Vjollcat e ndrojtura mbi supe kah të rrinë
Mimozat luleverdha njomake t’ fluturojnë
Flokëve të prillit farfuritëstë fshihen
Përkëdhelesh këtij maji si bariu fyellit
Ti tokë e dashur e kësaj bote beton
Sa shume duron
Pak e hiç s’vajton
 
PAS DASHURISË QË S’E PREKA KURRË
 
Për shpirtrat e padëshiruar
Me shumë për të përvuajturit në këtë tokë
Buzë botës tjetër tash kur jam sa më vjen keq
Për zotërinë alter ego dhe historinë time të zhuritur
Tregimin ngarendës pas dashurisë qe s’e preka kurrë
Dhe tash kur po rrëfehem plakur nga refuzimi
S’di pse po e them por shpirti s’po më del
Pa e krijuar erën time për të fala e një porosi
E kam dashur
 
Djegur jam pa ditur se s’është mëkat të duash
Kundërshtimin e së mirës pse s’e kam dënuar
Nga hera e parë kur sytë i hodha në të
Veten vrava por parajsën pashë
Dhe tash po i lutem Zotit te ai të më dërgojë
Si dikur veç edhe njëherë të ngazëllehem
Ta shoh përsëri atë parajsë ngjyrë-plote
Në botën e premtuar
Shpleksur flokët e gjata veç edhe njëherë t’ia shoh
 
NË NJË GDHENDJE MBULUAR ME GJETHE
 
Si ngaherë po e shpalos qiellin
Dua të të dërgoj ku kurrë s’ke menduar
Në një gdhendje mbuluar me gjethe
Të pushosh e diellin ta ngrohësh
Ta mbash ne gji atë jehonë zemre
Këtë aureolë po ta fal
Bëje muze të dashurisë
 
Qetësinë e ëmbël si buzëqeshja jote
Mik jete e kam bërë
Roje dhe hije pushimi
Ngarendur fishkëllimave të jetës
E ktheva në melodi për ty
Se pasionin si askush tjetër
As unë nuk e ndryshova
Te tillë po ta lë si atëherë
 
Merre edhe këtë parcelë kopshti
T’lutem bulëzoje e ujite me vesën e mëngjesit
Nxirrja inatin djerrinës jetë
Kurrë mos të braktiset nga ëndja
Nga qejfi yt në horizont
Dritë e hije edhe kur s’je të të bëj
 
MËSIMI I REVOLUCIONIT ILIRIK
 
Shpirti im i pabindur
S’pati kohë të urrente
Madje as këtë zhurmë të paqes mashtruese
Mbeti veta e parë dhe mënyra thirrore
Kështu jam unë
Bindje e mësimeve të vatrës
Rrnesë e parim se kur jeta s’të lëmon
Atë duaje ti
 
Ky shpirt bulëzon hovshëm e ngadalshëm
S’i bëhet vonë pse falë e flet
Bindur nga predikimi se jeta zgjat shkurt
Mësimi i revolucionit ilirik
Krejt shkurt e shqip
S’ka kohë për hak
Ka vend për miq
 
Mos u inatos qe rrudhat t’i kanë vizatuar sytë
Autor shpirti yt fisnik
Kah qan e qesh mbi qesënditë
As të keqes s’di t’i bëj padi
Veç bubullimat t’i ndjek e shigjetojë
Si Kupidi dashuritë
Pranverave t’ju këndojë
 
SILOGJIZËM FUTURIST
 
Brof m’u ngjite me dorën mbi supe
Thekshëm më dëftove se lakenjtë po kthehen
Mos gabo t’i ndalësh
A i sheh se si himnin po e krehin
Shtirjen rreth cepave të flamurit
Me dhëmbë të zverdhur po e tundojnë fatin
“A po i vëren” më thua
Buzësh, duarsh e sysh po mbyten për dashurinë e tij
Tek vringëllijmë bashkë
Ata gojës e ne shpatës
 
Nëpër dhëmbë vazhdon
“Për zotin dëftuesit edhe djersën e agonisë na e marrin”
Cinizëm do ta quaje ti po të t’thosha se s’kuptoj
Çështja është ta pranosh se ata po kthehen
Këmbëkryq këngën tonë po e këndojnë
Mbi parullën se secili ka të drejtë
Se patriotizmi s’përbën lajm
 
E heq vështrimin nga flamuri
Ti përsëri më cyt
“Hë pra do t’rrish, ikësh a fluturosh”
Më mirë po rri them buzësh
Një ditë edhe ne mund të lartësohemi në gurë të bardhë
A i sheh përmasat kallëp për të gjithë
Flamurin e demokracisë Marksi e paskabërë
Të mbështjellë palë-palë
Dhuratë këtyre shpirtrave futuristë
 
Krahu tashmë m’u mavijos e ti s’hesht
Tatjeta të them dhe tek ndahemi pa pajtim
Mërmëris se çastin modern s’e dua
As imperatorët fitimtarë
Trutë mjaft m’u thartuan
Mendimin frazor se zemërimi është emocion negativ
S’e duroj
Dhe, edhe pse me vonesë po them
Po bërtas
E drejta në emër të futurizmit është marrëzi
Po aq çmenduri sikur të zgjoheshe në të kaluarën
 
ME BALTËN E VJESHTËS
 
Mjafton ta dish se jeta shpesh është tempull lutjesh
Një vend ku qahet për trupin e shpirtin
Për bregoret pa emër dhe për dashurinë e djegur si llambë
Mund të falesh për këngët dhe heshtjet e mia
Askush përveç teje nuk do t’i dëgjojë krahët e pëllumbit
Kur të lutesh për letrën me degë ulliri
Ulu gjunjësh e nxiti detet ta nxjerrin frymën me hov
Lutu bora ta shkrijë e fryjë Drinin
Mëkatet të t’i lajë
 
Nga malet që digjen natën sytë e mi ke për t’i parë
Fjalët s’ke pse i peshon tani
Gjithçka ka ikur me baltën e vjeshtës
Bërtit dhe fitoje davanë me veten
Kujtohu se edhe dashuria si lufta ka kushtrim
Të ndjek pas për pendimin që s’e the kurrë
As si djalë e as si burrë
Tash nga ky tempull flake zemërimin
Atë ego prej t‘padituri vëre në kapistër
Kur mësuar të kesh se pjerrtësitë s’janë për të gjithë
Alpinistët e dashurisë një maje mund edhe të ta falin
Ik atje dhe mbaje vath në vesh
Mëkatarin e fodullin unë s’e honeps

You Might Also Like