Libri

PËRDORIME TAUTOLOGJIKE E TOGFJALËSHA TË GABUAR NË GJUHËN TONË

dr. Bahtijar Kryeziu

Në ligjërimin e përditshëm, nga njerëz strukturash të ndryshme, si për nga përgatitja e tyre profesionale, ashtu edhe për nga pozitat e detyrat në shoqëri, folës të emisioneve tё radiotelevizioneve tona, ose njerëz të lapsit – në shtypin tonë të përditshëm e atë periodik, gjithnjë e më tepër po pёrdorin disa fjalë e shprehje tautologjike: njëra fjalë, zakonisht e huaj (e përdorur si modë ose nga mosnjohja e gjuhës), e qё mund të hiqet pa dëmtuar fare mendimin e shprehur. Se ёshtё kёshtu, ja disa shembuj mё tё shpeshtё pёrdorimi:
– akterёt dhe aktorёt e kёsaj vjedhjeje duhet tё zbulohen – qё do tё thotё: aktorёt dhe aktorёt e kёsaj vjedhjeje duhet tё zbulohen;
– besueshmëria dhe kredibiliteti = besueshmëria dhe besueshmëria;
– Bordi dhe këshilli i fakultetit… = Këshilli dhe këshilli i fakultetit…;
– dekorime dhe zbukurime = zbukurime dhe zbukurime;
– do të precizojë mënyrën dhe modalitetet = do të precizojë mënyrën dhe mënyrat;
– përkujtim dhe evokim = përkujtimi i një date tё shënuar, i një ngjarjeje me rendësi etj., evokim për një ngjarje tё hershme, tё rëndësishme etj.;
– është arrestuar dhe është ndaluar = është ndaluar dhe është ndaluar;
– fenomenet dhe dukuritë, që do të thotë: dukuritë dhe dukuritë;
– jam fokusuar dhe përqendruar në… = jam përqendruar dhe përqendruar;
– kontradiktat dhe kundërthëniet = kundërthëniet dhe kundërthëniet;
– kuptimet semantike të foljes = kuptimet kuptimore të foljes;
– mendime dhe opinione = mendime dhe mendime;
– miratimi dhe aprovimi i ligjit, që nënkupton: miratimi dhe miratimi i ligjit;
– nga ana kualitative dhe cilësore = nga ana cilësore dhe cilësore;
– nga ana kuantitative dhe sasiore = nga ana sasiore dhe sasiore;
– nga këto përfundime dhe konkluzione… = nga këto përfundime dhe përfundime…;
– Projekt drafti i Statutit të UP-së… = projekt projekti i Statutit të UP-së…;
– propozime dhe mocione të shumta = propozime dhe propozime të shumta etj., etj.
Të papranueshme për shqipen janë edhe gabimet e paraqitura te togfjalëshat e poshtëshënuar, meqë përcaktori i përdorur pranë emrit është i panevojshëm, sepse vetë emri përmban kuptimin e duhur – të përcaktorit:
– të rilindte në ringjallje (gazeta “Fakti”, 27.11.l998, fq. 2) – që do të thotë të rilindte në rilindje etj.;
– vapë e nxehtë – thuajse vapa na qenka ndonjëherë e ftoftë (TVSH, 24.8.2006, në orën 20,00);
– vogëlushi i vogël – si te fjalia: Ngjarja e dhembshme ndodhi pasi vogëlushi i vogël një natë më parë kishte parë në TV…(RTK), ku fjala i vogël është e tepërt, sepse vogëlushi është gjithnjë i vogël;
– Ju pёrshёndes nё emrin tim personal (nё medie por edhe mё shpesh tek ata qё mbajnё fjalё rasti kur i paraqiten audiencёs) – nё vend se: Ju pёrshёndes nё emrin tim, ngase emri i tij ёshtё emёr vetёm i tij – personal;
– Kjo kishë ka një lashtësi të moçme (e dihet se s’ka lashtësi të re) – në vend të: Kjo kishё ёshtё e lashtё; ose kjo kishё ёshtё e moçme;
– Kjo shtëpi në pyll fsheh sekretin më të fshehtë të Jugosllavisë! (titull gazete, “Bota Sot”, 01.10.2014) – për: Kjo shtëpi në pyll fsheh sekretin më të madh (…fshehtësinë më të madhe) të Jugosllavisë.
– rrëshqitje në akull të ftoftë (sikur paska akull të nxehtë) (RTP, 25 janar 1980) etj., etj.
“Formulat automatike” të këtij lloji, që kanë për autorë individë që nuk i njohin mirë kuptimet e fjalëve të huaja të cilat i përdorin, ndodh shpesh që të kalojnë gojë më gojë a “penë më penë” duke u kthyer kështu në klishe alogjikё e të ngatërruar. Këto parregullёsi dëmtojnë jo vetëm shprehësinë, por edhe komunikimin, sidomos kur shfaqen në ligjëratat e njerëzve publikë (mёsimdhёnёs, politikanë, qeveritarë…) dhe kur i kultivojnë e i përhapin mjetet e komunikimit, përkatësisht masmediat.
Sqarim: Disa lexues tё FB-sё, ku nganjëherë po i paraqes mendimet e mia, për gjuhë e kulturë gjuhe, mё kritikuan se për disa probleme gjuhësore po shkruaj paksa gjerësisht. Dakord! Po i përfill e tyre.
Gjilan, 31 tetor 2020

You Might Also Like