Flonja Haxhaj
Mbrëmë, në sallën kryesore të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në një atmosferë të ngrohtë dhe përplot emocione, ansambli vokal “Zanat” solli një koncert të veçantë me këngë të vjetra shqipe të përpunuara, duke shënuar kështu një moment historik në rrugëtimin e tij artistik, shkruan KultPlus.
Ky koncert i veçantë si për grupin, ashtu edhe për publikun , u hap me këngën “Motra ime Doruntine”, një këngë kjo e cila përgatiti publikun për një natë që do të pasonte me këngë që ringjallnin memorjen kulturore kolektive. Pas saj, u interpretua “Po vijnë krushqit fushave”, ndërsa kënga “Kënga juaj shpirtin ma rrëmben”, e shoqëruar nga pianistja Pranvera Hoxha, i dha publikut një atmosferë sa gazmore aq edhe nostalgjike.
Koncerti vijoi me “O moj ti me sytë e zi” dhe “O bilbil”, e cila u shoqërua nga instrumentisi Patris Berisha.
Ndërkaq, si një dhuratë për publikun, ‘Zanat’ interpretuan këngën ‘Këngë moj’, një përmbyllje kjo që u pasua me një grumbull duartrokitjesh nga publiku që kishte mbushur çdo cep të sallës, si një dëshmi për lidhjen që ansambli ka krijuar me artdashësit.
Ansambli “Zanat”, përbërë nga Elida Kryeziu, Albana Piperku, Arstina Kadiu -Kelmendi, Diellza Sylejmani, mbrëmë patën edhe një tjetër veçanti me paraqitjen e Elona Sadikut për herë të parë si anëtarja më e re e grupit.
E emocionuar nga përjetimi i saj i parë si pjesë e ansamblit “Zanat”, Elona Sadiku, anëtarja më e re e grupit, tha për KultPlus se ndjehet e lumtur me paraqitjen e saj të parë bashkë me ‘Zanat’, dhe në koncertin e parë të organizuar nga ky ansambël.
“Koncerti shkoi shumë mirë, edhe pse unë kisha shumë emocione, për shkak se ishte hera e parë që unë performoj me ‘Zanat’, aq më tepër kur performoj në një koncert solistik i organizuar për herë të parë nga ky ansambël. Është ndjenjë e veçantë me qenë pjesë e këtyre grave kaq puntore, kaq puntore, muzikante e artiste të shkëlqyera, andaj për mua është nder dhe privilegj të jem pjesë e ansamblit ‘Zanat’. Mund të them që jemi përshtatur mjaft mirë për shkak sepse bashkë me anëtaret e ansamblit jemi pjesë e Filharmonisë së Kosovës dhe kemi një bashkëpunim shumë të mire”, tha Sadiku, duke shtuar mes tjerash se ky koncert ishte rezultat i një pune intezive përgjatë muajit të fundit, për të pasur rezultatin që e arritën në këtë mbrëmje.
Pas koncertit, solistja Elida Kryeziu ndau me KultPlus përjetimet e saj rreth këtij momenti të veçantë, duke theksuar jo vetëm përmbushjen e suksesshme të gjithë planit artistik, por edhe rëndësinë e ruajtjes së këtyre këngëve që ato interpretuan në këtë koncert.
“Koncerti shkoi ashtu siç e kemi paramenduar, gjithçka shkoi sipas planit tonë. Sot po ashtu patëm një paraqitje të re, Elonën e cila është anëtare e re, por është adaptu menjëherë dhe ne jemi adaptuar shumë shpejt me të. Repertuarin zakonisht e zgjedhim vetë, po duke i falënderu edhe kompozitorët tanë, të cilët edhe na ndihmojnë nëpër zgjedhjen e këngëve kur jemi në mëdyshje. Në vitin 2017, kur ne kemi filluar, i kemi nxjerrë disa këngë nga sirtari, këngë që pothuajse janë zhdukur e nuk janë kënduar dhe kemi qenë ne ‘Zanat’ që i kemi marrë edhe i kemi ripërpunuar dhe sot të gjitha këngët kanë filluar të këndohen”, u shpreh Kryeziu për KultPlus.
Pas mbylljes së suksesshme të koncertit, edhe solistja Diellza Sylejmani ndau përshtypjet e saj për KultPlus, duke reflektuar mbi mirëpritjen e publikut dhe rëndësinë e rikthimit të këngëve të vjetra shqiptare në vëmendje.
“Koncerti shkoi shumë mirë, publiku e pëlqeu shumë. Gjithashtu me anëtaren e re, Elonën, normalisht po ndjehemi shumë mirë dhe i ka dhënë një freski shumë të mirë ansamblit. Aranzhues të këngëve kanë qenë Edon Ramadani, Memli Kelmendi, Valton Beqiri edhe Kushtrim Gashi. Unë e pashë që sonte publiku i pëlqeu shumë këngët, për shkak se janë këngë shumë të bukura, të vjetra shqipe, ndoshta që kanë mbetë në harresë në njëfarë mënyre dhe ne po i rikthejmë, e publikut po i pëlqen kjo”, theksoi Sylejmani.
Ndërkaq, ‘Zanat’ paralajmërojnë plane të shumta për të ardhmen, përfshirë koncerte të reja, turne muzikore dhe organizimin e eventeve të tjera kulturore që synojnë promovimin e trashëgimisë muzikore shqiptare./KultPlus.com