Tregim
Pjellë në shemëri
Askush nuk di ta thotë nëse ishte ditë e ngrohtë a e ftohtë, me diell a me shi, e kthjellët a me mjegull. Por se ishte ditë me lot, e kishin parë. Këtë e merrnin me mend edhe ata që kurrë s’u kishte shkelur këmba në atë shtëpi. Në atë shtëpi ku të qarët e parë të një të sapolinduri po shoqërohej me lot. Aso të gëzimit; e natyrshme. Edhe aso të mllefit e pikëllimit; e kuptueshme.
E kuptueshme, se mllefi i dalë nga dhembja e shpirtit nuk duron mëshirë. Ajo foshnjë e sapoardhur në këtë botë nuk ishte shkaktar i dhembjes, ishte ajo që e solli, ishte ajo nga trupi i së cilës doli. Ajo që duke mos ia dalë mbanë t’i bënte ballë jetës së “rregullt”, kishte hyrë në shemëri. Qe shemra e dytë, e e dyta është rrëmbyese, vjedhëse e burrit të një gruaje dhe të një pjese të madhe të babait të fëmijëve të shemrës së parë. Plagët shpirtërore që hap shemëria nuk shemërtohen kurrë. Që prej kohësh rrjedh e thëna: “Në shemëri, veç hasmëri”. Ca thonë se hasmëria, si ndjesi, trashëgohet. Të tjerë thonë se nuk është ashtu. Kush dreqin e di?!
Sidoqoftë, kështu qe ardhja e tij mbi këtë tokë.
Pa u mbushur moti, shemra e dytë ndreqi gabimin e parë. Iku. Dikush thotë se e bëri nga brejtja e ndërgjegjes, ndonjë tjetër thotë se e bëri nga halli, ka që thonë se e bëri nga … Edhe këtë e di vetëm ajo.
Por ai, ai mbeti aty. Njëfarë furacaku. Edhe jetim. Në një kohë ku mënyra e rritjes dhe edukimit të fëmijëve përkufizohej me “bukë e dajak”. Nuk është thënë kot se çdo fëmijë e ka nga një dreq, ndërsa jetimi i ka dhjetë. I ka, ja ku po jua them. Njësia matëse për prapësinë, dreqi. Yshtja e fëmijës së molepsur me dreqër, me dajak. Sa dreqër, aq dajak. Dreqër dhjetë, yshtarë plot.
Trupi përbëhet nga ato që ha, mendja nga ato që mëson, shpirti nga ato që përjeton.
Pak vlen ushqimi, pak vlen mësimi, kur të rënda janë përjetimet. Ato i japin formë karakterit.
Përderisa trupi ha e mendja nuk të lë, shpirti nuk del. U rrit ai. Me trup të brishtë, në fytyrën e të cilit përvijoheshin tipare që shpërfaqin një ndjenjë fajësie për një të keqe të supozuar që jeta ia përplaste në surrat ngado që shkonte. Ashtu i dukej atij, ma ka thënë ai vetë. Me mendje të mësuar goxha keq e me shpirt të lënduar që të çon drejt lëndimi të tjerësh, e vetëlëndimi posaçërisht.
Në të njëzetat pati një rrjedhë shkollimi të lëvduar. Një kokë të mbushur me informacion, një inteligjencë të pohuar nga mësuesit e tij, po edhe nga rrethi. Këtë të fundit e besonte edhe ai vetë; kushedi, ndoshta se ia përkëdhelte sedrën.
Megjithatë, jeta e rrëmujshme, në masë të madhe me fajin e atij vetë, e bëri më në fund ta vërë në pikëpyetje atë inteligjencë të tijën. Pa dyshim diçka nuk ishte në rregull me të. Jeta e tij, mbijetesë e zorshme.
Në të tridhjetat lidhi jetën e tij me një aso që shpirti i gjallon në saje të brejtjes së shpirtit të tjetrit.
Pa vonuar shpërtheu luftë. Mori pjesë në të, në anën e duhur, në mënyrën e vet. Shpëtoi i gjallë, me trup, shpirt e fytyrë. Shpëtoi në saje të një panciri që mbajti gjatë tërë kohës në shpinë, të thurur dendur me fije frike. Gjallë po, pa vurrata jo.
Psikologun, psikiatrin, madje edhe një njohës të psikanalizës takoi. Ua la veten në duar përkatësisht dy javë, tre muaj e një vit. Punë kote. Dëgjoi e mësoi nga ta fjalë e shprehje; psikopati, sociopati, demencë, nekrofili, sadizëm, mazokizëm, inteligjencë emocionale… Po shërim nuk gjeti. E ai nuk po kërkonte mësim, po kërkonte shërim. Kur mjekët nuk të shpijnë te shërimi, do të thotë se nuk je i sëmurë. Të paktën jo i prekur nga sëmundje që mjekojnë ata. Atëherë nuk të mbetet tjetër pos një “doktori”; vetja jote.
Megjithatë, nuk qe pa gjë krejt kjo.
Inteligjenca emocionale, me t’ia mësuar domethënien, zuri t’i bëhet objekt trajtimi. Jo fenomeni, po ajo e tija. Mosfunksionimi gjegjës i saj i doli të ishte fajtor për krejt mynxyrat e jetuara. Ndjenja e pashpjegueshme e fajësisë iu zbeh ca pak. Një përtëritje. Përtëritje që ia bëri me dije detyrën e vështirë; ta ndreqë atë lloj mençurie. Një vetedukim.
Nga përvoja në këtë rropatje të tijën, i rezultoi se vetedukimi është i mundur, por shumë i vështirë dhe se kërkon shumë kohë. Atë që bën një që edukon tjetrin për shtatë-tetë vite, një që vetedukohet s’e bën dot as për pesëfishin e asaj kohe. Është pothuaj sikur ta mbash veten pezull. Është ta bësh veten të vogël e t’i japësh këshilla që vetë s’i përfill dot. Dhe në fund, nga dytëshorë kundërthënës, të njësohesh me atë që edukon.
Një që është vetedukuar është si një pemë që piqet vonë; gjysmë pjekur, gjysmë kalbur.
Sidoqoftë, më mirë gjysmë i pjekur, se krejt i kalbur, i tha mendja atij dhe vazhdoi.
Herën e fundit që pimë kafe bashkë, mu duk bukur i gjallëruar. Më i hareshëm se zakonisht, ndonëse nganjëherë, në të rrallë, shtrëngonte dhëmbët nga do dhembje për të cilat nuk flet më me asnjeri, as me mua.
U çova unë, shtrënguam duart.
– Faleminderit mik!- më tha. Sa fola me ty, mu bë sikur bisedova me vetveten. Hajt përpiqu të më mbash mend kështu si jam sot, jo siç kam qenë! Sa do të doja edhe të tjerët ta bëjnë këtë.
Nuk desha ta gënjeja, prandaj nuk iu përgjigja.
Një harresë që po më forcohet, ndoshta është xhevap. Aso harrese sa nuk po e di më nëse unë ika në punën time e ai mbeti aty, apo qe e kundërta.
Tahir Dalipi