Anton Nikë BERISHA –
BARDHËSI RRËNJËSH
– Idriz Seferit –
Në çdo lindje mëngjesi –
nga ngrohtësi e qiellit përshkuar –
përtëritet emri yt
me butësinë e buzëqeshjes,
ndërsa valët e dy Drinave
mbajnë gjallë jehonën e zërit tënd:
“Kosovë, ç’mund të jepja më shumë se jetën?”
Me dashurinë e Vatrës
ngarende me etjen e Marathonomakut
dhe i mate pëllëmbë për pëllëmbë
hullitë e Kosovës sate
për të rizgjuar në zemra
zjarrin e dashurisë për të,
që pushtuesi me shekuj
kishte synuar ta mbysë në harrim.
Mbi supe palose guximin e të Parëve,
që frymës flakë i jep,
rrënjët për t’i mbëltuar –
lirinë ta mbjellësh kudo.
Frikën e ndryve në zemrën e gurit
dhe bjeshkën përsipër i vure
për ta mbajtur të ngujuar;
ankthin e mbulove me terrin e mesnatës
në shtresat më të thella të dheut e varrose
dhe fluturove si skifter
pas etjes së shpirtit tënd
lirshëm të frymojnë edhe trojet e tua.
Emri yt prehet në vesën e agut
ngjizur me dëlirësia e blerimit;
se lartësia të pati hije
si yll qielli
në syrin e porsaçelur të dritës.
Shtigjet që i çele me flijime
nuk i përshkuam
me përkushtimin e zotimit tënd
që u bënë plagë e dhimbjes sate.
Kjo ditë e shkëmbtë
që stërgjatët në pafundësi
më trokëllin në ndërgjegje
me furinë e suvalëve
që nuk dinë për mëshirë.
E unë dhembjes i pëshpërit, e pyes:
Pse tek ne vijimisht ka vjeshtë
dhe erë shtrëngate,
pse tani zjarrit vetë i fryjmë?!
Koha jonë
a nuk trembesh kështu nga vetvetja?
Shifra: “Dy Drinat”