OPINION

Politikanë, dilni e matnu

Valentina Bunjaku-Rexhepi, deputete

Politika është art, sfidë dhe dalje për t’u matur në zgjedhje demokratike, ku nuk veprohet me emërime, por me besim direkt të qytetarëve. Politika është thënë shpesh se nuk ka moral, por më shumë i kam besuar dhe do t’i besoj mënyrës së të vepruarit korrekt, të drejtë dhe të mençur në politikë. Me politikë mund të merret gjithkush, por vetëm qytetarët e përcaktojnë vendin e një politikani. Ju mund të dëshironi dhe të synoni të ngjiteni në maje, por kjo do të ngelet vetëm ëndërr, nëse ngjitja nuk ofron besim te qytetarët. Në Kosovë, shpesh afër politikës, ofrohen individë pa poseduar vlera as profesionale, as me traditë familjare, as me bagazh të nevojshëm. Politika si një nga aktivitetet më të ndjeshme, duhet të jetë në duart e njerëzve të mirë, me integritet profesional dhe me vullnetin pozitiv për ta ndryshuar vendin.

Politika është degraduar sot në Kosovë prej njerëzve që mbahen si të dijshëm, si të pazëvendësueshëm dhe si të pagabueshëm. Në politikë nuk do të duhej të kishte dhurata, sepse mandej nuk ia dini vlerën asnjë gjëje! Më ka tërhequr gjithmonë ideja që në politikë duhet të matesh, të garosh, të konkurrosh, të dalësh në sipërfaqe dhe të ofrosh vlera, program, ofertë, e më pas, ta presësh besimin dhe vlerësimin e qytetarëve. Vendin e përcaktojnë qytetarët. Pozitën e përcaktojnë qytetarët. Ulësen e përcaktojnë qytetarët. Jemi me fat që jetojmë në demokraci!

Ka individë që jetojnë me porosi, veprojnë me porosi dhe e kanë mënyrën e jetesës me porosi, me direktiva, me thurje lavdesh dhe me tendencat për të krijuar atmosferë paraprake se “ne jemi më të mirët”, “ne jemi më të duhurit”, “neve po na kërkon populli”, “neve po na kërkojnë të gjithë”. Demokracia e ka vetëm një porosi për të gjithë politikanët, duke më përfshirë edhe mua: Matnu!

Politika nuk është fontanë dëshirash, ambiciesh dhe ëndrrash. Politika është art i matjes dhe daljes në kutitë e votimeve. Me qenë politikan stabil, duhet një traditë e shkëlqyeshme familjare, profesionale, njerëzore dhe shpirtërore. Njerëzit e mëdhenj dhe politikanët me vlera, dalin e u drejtohen qytetarëve me ofertat e veta dhe të kenë durim vetëm sa të vlerësohen nga qytetarët. Aty jepet mundësia për të qenë politikanë të suksesshëm dhe të vyeshëm. Në politikë, ka lloje të ndryshme njerëzish, e disa mbesin pas hijes së dikujt tjetër. Në politikë dhe në jetë janë disa që joshen me lehtësi, përnguten dhe tundohen. Kjo situatë është afatshkurtër. Politikanët e mëdhenj nuk fyejnë, nuk pengojnë të tjerët, nuk shantazhojnë, nuk joshin nga pozita, por e gjithë fuqia e tyre është në ofertë programore, për një Kosovë të mirë, të dinjitetshme.

Unë jam një politikane që besoj se ngjitesh në maje vetëm me besimin e njerëzve. Emërimet vetëm kur janë të domosdoshme dhe në përputhje me ligjin, përndryshe e synoj vetëm një gjë: matjen! Dua të matem, të di sa kilogramë i kam dhe më pas, të shoh çfarë diete më duhet, çfarë ushqimi të ha dhe çfarë aktiviteti fizik të zhvilloj. E unë jam matur disa herë, kam guxim gjithmonë të matem dhe krejt peshën time e përcakton besimi i qytetarëve! Po ashtu, e synoj edhe një diçka tjetër: të ngjitem ngadalshëm por sigurt. As nuk dua të ngjitem direkt në maje, por sikur alpinistët në mënyrë zigzage, sepse kursehet energjia e nuk lodhemi shpejt për ta ndërprerë ngjitjen. Ngjitja është e mrekullueshme kur është hap pas hapi, e kalitur dhe e sprovuar.

You Might Also Like