OPINION

Premtimet galopante të qeverisjes lokale në Gjilan

Ismet Rashiti

 

Komuna e Gjilanit është lënë pasdore, karshi komunave tjera të Kosovës. Kjo për arsye të shumta, por ajo që duhet vequar  është fakti se qeveritë e deritashme lokale më tepër kanë qenë servil ndaj udhëheqësve të tyre në Prishtinë, se sa në fakt janë interesuar për zhvillimin ekonomik të Gjilanit. Thënë ndyshe, Gjilani ka pasur fatin e keq që të qeveriset nga kryetarë të cilët më shumë janë marrë me karierën e tyre politike se sa me problemet e shumta që ka kjo komunë. Dikush mund të thotë se këta udhëheqës janë zgjedhur me votat e qytetarëve. Po, kjo është e vërtetë, ama mashtrimi dhe premtimet e tyre në të gjitha mandatet e deritashme, kanë qenë tepër të madha, sa, sot duket se edhe gënjeshtrat janë bërë nërmale dhe të pranueshme nga një numër jo i vogël i qytetarëve. Nga ana tjetër menagjimi i dobët i bugjetit, gjithsesi ka ndikuar që të investohet vend e pa vend  para fushatave dhe  sidomos gjatë fushatave elektorale. Një praktikë e tillë mashtruese është parë edhe gjatë zgjedhjeve lokale të këti viti. Në shumë fshatra, rrugë e rrugica, u bënë disa fasada, me asfalt të djegur dhe aspak cilësor, u mbjellën lule të vjeshtës, u shpërndanë aparate të ndryshme bujqësore dhe u punësuan njerëz me kontrata në vepër sa për sy e faqe, thjeshtë për mbledhjen e votave nga nevojtarët e të papunët.

Më së shumti u manipulua me ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan, e cila nuk është kompetencë e komunës. Premtimet e kota lidhur me (mos)ndërtimin e autostradës nuk ishin gjë tjetër përveq se një mashtrim i radhës nga qeverisja aktuale e Gjilanit.

Fakti që komuna e Gjilanit është ngulfatur nga borgjet të cilat u bartën nga njëra qeverisje te tjetra, është edhe një dëshmi se autoritetet komunale nuk kanë mundësi të mëdha për realizimin e të gjitha premtimeve megalomane. Sipas të dhënave zyrtare komuna e Gjilanit me aktvendime të gjykatave ka mëse 6.800000 euro borgj, ndaj është e habitëshme, madje krejtësisht e pabesueshme se kryetari i tanishëm, Lutfi Haziri do të ket mundësi reale të ndërtoi një fabrikë për pastrimin e ujrave të zeza në Uglar në vlerë pre 32 milon eurosh dhe një fushë të futbollit në shumë prej 3.2 milon eurosh. Kur t’i shtohen kësaj edhe premtimet tjera për ndërtimin e rrugëve  kanalizimeve, qerdheve për fëmijë, shkollave, e premtimeve tjera, delë se të gjitha këto janë një fontanë dëshirash, plotësisht në shpërputhje me buxhetin dhe mundësitë tjera reale për investime kaq të mëdha brenda një mandati katërvjeçar.

Një problem tjetër që në njëfarë mënyre po anashkalohet në komunën e Gjilanit është edhe decentralizimi ose marrja pa të drejtë e 12.500 hektarë ose 125 km tokë nga komuna e Artanës dhe Parteshit. Kjo mënyrë e decentralizimit, ka rrudhur në masë të madhe teritorin e komunës së Gjilanit dhe rrjedhimisht ka ndryshuar planin zhvillimor dhe urbanistik të qytetit. Aktualisht shumë nga fshatrat dhe vet qyteti i Gjilanit ka problem me sigurimin e tokës për varreza dhe sidomos për rregullimin e një zone industriale, ku do të vendoseshin investitorët e huaj dhe vendas.

Sa të pavërteta janë premtimet e kota në fushatat elektorale, tregon më së miri fakti se mrekulli të tilla nuk janë bërë edhe atëherë kur premtuesit e autostradës  kanë qenë në majat më të larta të Qeverisë së Kosovës si zëvendës kryeministra e ministra të digastereve përkatëse dhe nuk e kanë qelur gojën për ndërtimin e autostradës aq të nevojshme.

Premtimet e kota, nuk i bëjnë nderë asnjë pretendenti për kryetar, e aq më tepër atyre që deri tani kanë premtuar shumë, e pothuaj nuk kanë bërë asgjë të mirë dhe serioze në komunën e Gjilanit. Nytrisht se viktimë e këtyre premtimeve të kota tash e sa vite janë qytetarët e Gjilanit të cilët gjithsesi nuk e meritojnë një trajtim të tillë.

 

 

 

 

 

 

You Might Also Like