Xhevat Latifi
Prush n’gji
(Sërish me nanën)
Nana, vonë binte me fjetë
mbulonte fëmijte e më pas babës, i vinte dhe xhup.
Te e vona shkrifte flokët
E para fytyrë në mëngjes që shihja ishte nana:
-Zgjohu me shkue n’shkollë, mos vono!
Kështu kaluen shumë vjet
Nana mbulonte çdo zhurmë, çdo mungesë, mbulonte fëmijët edhe nga frika
Dhe nga nji shtet që vriste e hahej me botën se ishte i drejtë.
Nji ditë në gjykatën e Gjilanit,
nana përgjigjej për armën që kurrë s’e pamë,
ishte sajesë regjimi!
Nanë,- a frigohesh i thashë,
për me mund frikën time!
Nuk frikohet Nana!-dhe mbylli butë derën e gjykatës së pakuptimtë!
Çfarë arme ishte mbulesa e nanës
sall flakrat e nositit- gji i thellë…
*
Pas luftës nanës i ra nuri i paqes,
sërish binte vonë duke mbuluar fëmijët,
tash në katër anët e botës!
Pa shkuar kurrë në shkollë dinte përmendsh kohën
si matet në meridiane kohore
E ndante pensionin e pleqërisë me nipa dhe mbesa
luante lojën “një ty, një mua”
Gjersa një ditë drita ju ndal në qerpik!
*
Nanën kurrë s’e kam kuptuar pse aq shpejt ndizte zjarrin,
Nji ffyyyyy dhe zjarri bëhej murlan
Prushi i zjarrit t’nans m’vjen tash n’gji
Kur unë mbuloj fëmijët në dhomë,
a nga larg, nëpër qoshet e botës.
Zjarri i nanës gjithmonë rri ndezur!
XL @ fundvit, 2020