Shkruan: Ismajl Kurteshi
Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Institutin e Historisë, ASHAK-un dhe Shoqatën e Historianëve të Kosovë, duhet jo vetëm të reagojnë ndaj teksteve të “Projektit të Historisë së Përbashkët”, por edhe të refuzojnë t’i përdorin në shkollat tona këto tekste me defekte serioze, derisa historia e shqiptarëve të prezantohet drejtë. Institucionet relevante të Republikës së Kosovës duhet t’i dërgojnë Redaksisë së CDRSEE-së vërejtjet e tyre konkrete dhe variantin që duhet të futet në tekstet e këtij projekti të përbashkët ballkanik.
OJQ-ja CDRSEE “Center for Democracy and Reconcilation in Southeast Europe” me seli në Selanik, në vëllimet e saj “Projekti i Historisë së Përbashkët”, titulli origjinal (Joint History Project 1999), mbi historinë e Ballkanit, të financuar nga BE, kishte për qëllim të siguronte tekste shkollore të historisë së Ballkan që përmbajnë perspektiva të ndryshme e të shumta për ngjarjet e njëjta historike, të promovonte diversitetin, vuajtjet dhe arritjet e përbashkëta të popujve ballkanikë.
Për realizimin e këtij Projekt CDRSEE angazhoi historianë nga i gjithë Rajoni, të cilët hartuan tekstet për këtë Projekt në gjashtë vëllime: Perandoria Osmane; Kombet dhe shtetet e Evropës Juglindore; Luftërat Ballkanike; Lufta e Dytë Botërore; Lufta e ftohët; dhe Luftërat Ndarjet dhe Integrimet 1990 – 2008.
Gjatë hartimit të këtyre teksteve, CDRSEE ka mbajtur lidhje të ngushta pune me të gjitha Ministritë e Arsimit të vendeve të Rajonit.
Të gjitha vëllimet janë të përkthyera në dhjetë gjuhë, duke e përfshi këtu edhe gjuhën shqipe. Këto tekste janë promovuar edhe në Prishtinë.
Publikimi i studimit “Të damkosurit e Ballkanit Shqiptarët dhe Kosova”, të autorit Shkelzen Gashi, i vetmi reagim serioz në lidhje me të metat e Projektit të CDRSEE-së, “Projekti i Historisë së Përbashkët” që kishte për qëllim ta vlerësonte sa e kishte arritur CDRSEE qëllimin e Projektit. Gashi në studimin e tij ishte fokusuar sidomos në mënyrën si paraqiten shqiptarët, ngjarjet e rëndësishme historike të shqiptarëve dhe cilat nga ngjarjet e rëndësishme shqiptare nuk janë paraqitur fare në këtë Projekt.
Duke u bazuara në masë të konsiderueshme në publikimin e z. Gashi, në lidhje me këtë projekt, jam munduar që edhe unë të shpreh pikëpamjet e mija rreth këtij Projekti të rëndësishëm.
Gashi me të drejtë konstaton se në këto vëllime të CDRSEE-së shumë ngjarje tejet të rëndësishme të historisë së Kosovës dhe Shqipërisë nuk figurojnë fare. Shumë ngjarje tjera paraqiten në mënyrë sipërfaqësore, jo korrekte, të pasaktë, e të njëanshme. Mënyra si paraqitet historia e Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi, në këto tekste shkollore nuk i kontribuon aspak misionit të pretenduar të CDRSEE-së. Kështu me të drejtë Gashi kërkon që mënyra e prezantimit të historisë së Kosovës në ketë projekt të ndryshohet sa më parë.
Vëllimi i parë «Perandoria Osmane»
Në këtë vëllim nuk përmendet pjesëmarrja e shqiptarëve në Betejën e Kosovës në vitin 1389 dhe as qëndresa heroike e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut 1443 – 1468. Nuk paraqiten
fare as kryengritjet e tjera të shqiptarëve përgjatë pesë shekujve të sundimit të Perandorisë Osmane, në hapësirat e banuara me shqiptarë.
Vëllimi i dytë «Kombet dhe Shtetet në Evropën Juglindore»
As në këtë vëllim nuk paraqitet asnjë kryengritje shqiptare, gjatë tri dekadave të fundit të sundimit të Perandorisë Osmane. Nuk theksohet askund se synimi i shqiptarëve në këtë kohë ishte një shtet që do t’i përfshinte të gjitha hapësirat e banuara prej tyre (katër vilajetet shqiptare), dhe se ishte arritur themelimi i një shtet me më pak se gjysmën e hapësirave të banuara me shqiptarë.
Në këtë vëllim mungojnë edhe të dhënat për dëbimin masiv të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në vitet 1877-1878.
Vëllimi i tretë «Luftërat Ballkanike»
Edhe në këtë vëllim vazhdohet të injorohen përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe shtet formim. Këtu nuk jepen fare ngjarjen më të rëndësishme të shqiptarëve në prag të luftërave ballkanike, si kryengritjet e viteve 1909 – 1912 kundër Perandorisë Osmane.
Pjesa e këtij vëllimi që trajton ushtritë dhe popullatën civile të Ballkanit gjatë luftërave ballkanike, jepet vetëm sipas këndvështrimit serb.
Këtu nuk prezantohen fare krimet e forcave serbe e malazeze ndaj civilëve shqiptarë.
Ndonëse në ketë vëllim, sillen informata për djegien e fshatrave dhe eksodin e popullatës, si dhe të dhëna për të vrarët e të gjitha vendeve gjatë luftërave ballkanike, asnjë e dhënë nuk jepet për eksodin, dëmet materiale dhe viktimat në njerëz te shqiptarët.
Vëllimi i katërt «Lufta e Dytë Botërore»
Ky vëllim nuk përmban asnjë të dhënë për Kosovën dhe as për shqiptarët e tjerë jashtë territorit të Shqipërisë.
Vëllimi i pestë «Lufta e Ftohtë (1944-1990)»
Edhe në këtë vëllim fshihet e vërteta historike, nuk përmendet askund administrimi ushtarak serbo – sllav, dënimet e pushkatimet e shqiptarëve që e kundërshtuan regjimin serbo – sllav, nuk përmendet as dhuna e terrori ndaj popullsisë civile shqiptare, sekuestrimi i dhjetëra mijëra hektarëve tokë, të cilat iu është dhënë kolonëve serbë e malazezë, e as dëbimi i dhjetëra mijëra shqiptarëve nga Jugosllavia për në Turqi.
Sa i takon rezistencës së shqiptarëve të Kosovës, në këtë vëllim, paraqiten vetëm demonstratat e vitit 1968 dhe ato të vitit 1981, të organizuara nga Lëvizja ilegale shqiptare.
Në këtë vëllim nuk përmendet askund Kushtetuta e Kosovës e vitit 1974, me të cilën Kosova bëhet pjesë konstituive e Federatës jugosllave.
Vëllimi i gjashtë «Luftërat, ndarjet, integrimi (1990-2008)»
Në këtë vëllim paraqitet krejt sipërfaqësisht represionin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve ’90, duke u fokusuar vetëm te përjashtimet e shqiptarëve prej vendeve të tyre të punës.
Sa i përket luftës së Kosovës, jo vetëm që nuk përmendet askund se ishin krimet e forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë ato që imponuan luftën, por përkundrazi për luftën fajësohen shqiptarët.
Sa u përket dëbimit me forcë të shqiptarëve, thuhet se mbi 80% e popullsisë kosovare u dëbua nga Kosova gjatë bombardimeve të NATO-s, por nuk thuhet se kush i dëboj shqiptarët nga shtëpitë e tyre. Përmenden shifra për të vrarët, por nuk thuhet kush i kreu vrasjet. Po ashtu, nuk thuhet asnjë fjalë për dëmet materiale të shkaktuara nga ushtria dhe policia serbe.
Në këtë vëllim përmendet krejt telegrafisht se Kosova në shkurt të vitit 2008 shpalli pavarësinë, por askund nuk përmendët vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me këtë shpallje dhe njohja e pavarësisë së Kosovës nga më shumë se 100 shtete.
Krahasim i dy librave
Me qëllim të nxjerrjes në pah të mangësive në këtë projekt sa i përket historisë së shqiptarëve, në vazhdim do t’i vë në dispozicion të lexuesit disa fragmente të nxjerra nga libri “Ballkani – historia dhe qytetërimi” ” e historianit Ferdinand Schevill /Titulli origjinal History of Balkan Peninsula, botuar në vitin 2006 në gjuhën shqipe, në shtëpinë botuese EUGENI.
Në veprën e Schevillit ku prezantohet historia e të gjitha kombeve të Ballkanit, shqiptarët zënë vend shumë të rëndësishëm. Që në fillim të këtij libri Schevill, thotë së Ilirët janë popull autokton i Ballkanit.
Në faqen 14 të librit Schevill e thekson se Perandori i Perandorisë Romake, Konstandini (shekulli i IV) është me prejardhje ilire.
Faqe:156. Schevill nxjerr fakte për pjesëmarrjen e shqiptarëve në Betejën e Kosovës në vitin 1389.
Faqe, 169-170. Në veprën e Schevillit pasqyrohet gjerësisht qëndresa 25 vjeçare shqiptarëve të udhëhequr nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu karshi Perandorisë Osmane.
Faqe: 245- 246. Flitet për sundimin e Vilajetit të Janinës nga Ali Pasha (Tepelena).
Faqe: 377. Flitet për Lidhjen e Prizrenit 1878, kërkesën e shqiptarëve për autonomi dhe kundërshtimin e faljes së trojeve shqiptare Serbisë dhe Malit të Zi.
Faqe: 378. Flitet për Lëvizjen për liri kombëtare të shqiptarëve të vitit 1908. Bëhet fjalë për kërkesën e shqiptarëve, për përcaktimin e drejt të kufijve të Shqipërisë që përbëhej nga katër vilajetet shqiptare të: Shkodrës, Janinës, Manastirit dhe Kosovës.
Faqe: 385. Bëhet fjalë për Shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.
Faqe: 389. Bëhet fjalë për Princ Vidin dhe pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në dhjetor të vitin 1920 etj.
Përkundër faktit se në Projektin e OJQ-së CDRSEE, Kosova ka qenë e përfaqësuar nga një akademik me gradë të doktorit të shkencave (Frashër Demaj), kur e ke parasysh volumin e shtrembërimeve të fakteve historike që shkojnë deri në poshtërim e fyerje të kombit shqiptar në përgjithësi e të gruas shqiptare në veçanti, lexuesit të këtyre teksteve i krijohet përshtypja se shqiptarët nuk kanë qenë fare të përfaqësuar në këtë Projekt të rëndësishëm.
Arsyetimet e z. Frashër Demajt, në një debat televiziv, se ai nuk ka mundur të ndikojë në redaktimin e teksteve të këtij Projekti nuk janë të paqëndrueshme, sepse nëse ai vërtetë nuk ka mund të ndikojë, duke i pas në anën e tij faktet e pakontestueshme historike, ai sigurisht se ka pas mundësi të largohet nga kjo Redaksi, me vërejtjen se Redaksia e ka shtrembëruar historinë tonë kombëtare dhe të kërkonte reagimin institucional të shtetit të Kosovës. Kështu, akademiku do ta kryente obligimin e vet. Një veprim i tillë, e jo arsyetimi i paqëndrueshëm, është obligim i çdo intelektuali të përgjegjshëm.
Për këtë Projekt ka qenë e njoftuar edhe Ministria jonë e Arsimit, e cila ose nuk është marrë fare me Projektin ose edhe ajo e ka zgjedh heshtjen. Si do që të jetë, ky është lëshim serioz i institucionit më të lartë të arsimit në vend, që paguhet për hartimin e politikave të arsimit, e që edhe në këtë rast, si në shumë raste të tjera, ka dështuar.
Reagime në lidhje me këtë skandal nuk ka pas as nga Instituti i Historisë, e I cili assesi nuk guxon të heshtë para falsifikimeve të tilla.
Me këtë Projekt nuk është marrë seriozisht as ASHAK-u, përjashto mospajtimin e kryetarit të ASHAK-ut me përmbajtjen e teksteve në lidhje me historinë e shqiptarëve. Akademia, në rastin të falsifikimeve të tilla, e sidomos kur një anëtar i saj është i implikuar në një skandal të këtyre përmasave, duhet ta shqyrtojë rastin në hollësi, të shprehë pikëpamjet e saj për çështjen në fjalë dhe të shqiptojë masa adekuate ndaj anëtarit të saj të dështuar, deri në largimin e tij nga Akademia.
Tekstet me këtë përmbajtje të shtrembëruar të historisë shqiptare nuk bën të përdoren, jo vetëm nga nxënësit e studentët shqiptarë, por as nga nxënësit dhe studentët e kombeve të tjera.
Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Institutin e Historisë, ASHAK-un dhe Shoqatën e Historianëve të Kosovë, duhet jo vetëm të reagojnë ndaj teksteve të “Projektit të Historisë së Përbashkët”, por edhe të refuzojnë t’i përdorin këto tekste me defekte serioze, në shkollat tona, derisa historia e shqiptarëve të prezantohet drejtë. Institucionet relevante të Republikës së Kosovës duhet t’i dërgojnë Redaksisë së CDRSEE-së vërejtjet e tyre konkrete dhe variantin që duhet të futet në tekstet e këtij projekti të përbashkët ballkanik.
Ismajl Kurteshi, 21. 11. 2020.