Te ndryshme

PYETJE-PËRGJIGJE PËR TË BURGOSURIN POLITIK MEHMETALI REXHEPI: nga drama e trupit të Teatrit të Gjakovës “BËJE OSE VDIS”

PYETJE-PËRGJIGJE PËR TË BURGOSURIN POLITIK MEHMETALI REXHEPI: nga drama e trupit të Teatrit të Gjakovës “BËJE OSE VDIS”

Edi KASTRATI:

Sonte në shfaqje kemi një mysafir të veçantë, z. Mehmetali REXHEPI nga Gjilani. Ai është ish i burgosur politik dhe ne jemi të nderuar, që ka pranuar, të na bashkohet për një intervistë të shkurtër:

1. Z. Rexhepi a mund të na shpjegoni shkurtimisht: në cilën periudhë keni qenë i burgosur, cila ka qenë aktakuza, cila ka qenë veprimtaria juaj politike dhe në cilin burg keni qëndruar?

2. A keni ndonjë histori nga burgu, ndonjë moment pikëllimi apo gëzimi që dëshironi ta ndani me ne sonte?

3. A keni qarë gjatë kohës kur keni qenë në burg?

4. Si jetoni sot? A keni pension apo ndonjë të ardhur?

5. Cili mendoni se është problemi kryesor, ose sfida kryesore e shoqërisë shqiptare sot në Kosovë?

PËRGJIGJE:

1.

Hera e pare: më kanë burgosur në periudhën e viteve nëntor prill 1979-1980. Më kanë mbajtur katër muaj në qeli.

Hera e dytë: më kanë burgosur pas Demonstratave të Pranverës Studentore të Vitit historik 1981 deri më 1984.

Përndjekjet dhe marrjet në UDB për mua kanë filluar që nga viti 1974, kur u arrestuan dhe u burgosën shokët e mi: Rexhep Malaj, Nijazi Korça, Fazli Abdullahu, Irfan Shaqiri, Fatmir Salihu, Nazmi Hoxha, Jetullah Arifi… Më kanë detyruar të paraqitem herë pas herësh në ato farë “Biseda informative.” Dënimi i llojit tjetër për mua ka qenë moslejimi i punësimit në asnjë veprimtari publike të KSAK-s për plot 15 (pesëmbëdhjetë) vjet, në periudhën më të mirë të jetës!

2.

Aktakuza ndaj meje për ndëshkimin fizik dhe dënimin juridik është ngritur sipas nenit 133 të Kodit Penal të Kosovës për propagandë armiqësore. Gjatë hetuesisë të gjitha sprovimet ishin të ngarkohesha sipas Nenit 136 të KPK-s Bashkim për veprimtari armiqësore, që të shpinte deri në 15 burgim të rëndë. Në rastin tim kjo nuk u arrit të dëshmohet. Në fund të hetimeve shtatë muajsh njëri nga inspektorët më tha: “ti ke shpëtuar çikë!”

3.

Burgosjen e kam kryer në Burgun e Qarkut në Gjilan. Kushtet e burgimit ishin mjaft të rënda. Tetë muaj më kanë vënë në birucën e qelisë. Gjatë hetimeve më patën dërguar edhe në Burgun e Prishtinës për një kohë të shkurt.

4.

Pas daljes nga qelia më vendosën në dhomën numër 16. Aty, gjatë asaj periudhe, në dhomë ishte tepër ngushtë për 10 përkatësisht 14 persona. Me gjithë, trysninë për qetësi dhomën e patëm shndërruar në vatër frymëzimi kombëtar dhe, forcim të qëndresës. Në katin përdhes në dhomën numër 19, ato ditë të hetimeve ndaj meje, nga Burgu Dob i Republikës së Sllovenisë e sollën intelektualin dhe atdhetarin e përmasës së admirueshme Profesor Ukshin Hotin.

Natyrisht çasti më goditës për mua dhe shokët tjerë të burgosur politikë, ishte kumti tragjik-heroik i vrasjes në periferi të Prishtinës, në luftë me dhjeta milicë i Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës! Lajmin nëpërmjet vrimave të çelësit e kumtoi veprimtari Ahmet Isufi, që duke qenë në dhomë rroje, ishte njoftuar nëpërmjet radios. Atëherë kemi qarë të gjithë dhe, mbase e qara me lot nuk është shenj dobësie, por një ndjenjë e dhimbjes njerëzore dhe shkarkimit fiziologjik. Ata që nuk e kanë shprehur dhimbjen me lot e kanë pasur më vështirë.

*

Pas periudhës së pesëmbëdhjetë vjetarëve të papunësisë sime dhe të rënies së Nenit 133 namkeq, vetëm atëherë viteve të nëntëdhjeta më është dhënë mundësia të punoja në profesionin e shenjtë të edukimit dhe arsimimit të brezave. Megjithatë, kjo periudhë pune prej 24 vitesh e gjysmë, për ligjvënësit tanë nuk mjaftoi që të marr pension të plotë?!

Jam gjilanas, jetoi në Gjilan një jetë modeste me pension të paplotë dhe me një qira të vogël. Përkushtimi im i vijueshëm është arti i të lexuarit dhe i të shkruarit. Kam botuar 11 vepra llojesh të ndryshme: poezi, prozë tregimtare, romane, kritika, studime, eseje, trajtesa publicistike.

5.

Shoqëria shqiptare ende vuan për identitetin e vet, që është paradoksale për shekullin njëzet e një! Përpara çështjes jetike të rrumbullakimit kombëtar, shoqërisë sonë po i dalin përparësi të tjera si dhe përkatësia fetare, që duan ta ngufasin identitetin kombëtar?! Një shtresim yni ende nuk mund të shkëputet nga nostalgjia e robit. Plaga tjetër është korrupsioni dhe zbrazja e atdheut nga mosha e re. Si komb ende nuk kemi Një Piemont Përbashkues Programor. Kemi liderë partish, por jo

burrë-shtetas që do të punonin për forcimin e shtetit nëpërmjet forcimit të ekonomisë dhe të ligjshmërisë së plotë dhe efektive.

Dobësinë më të madhe e konsideroj prerjen e degës së Pemës së Lirisë, në humnerën e së cilës mund të biem të gjithë! Mëtimet e ndryshme për përbuzjen e Luftës sonë Çlirimtare si vlera më fondamentale e ekzistencës dhe shtet-bërje e shtetndërtimit të shqiptarëve ende të ndarë, është tejet e dëmshme dhe, madje e palejueshme!

Institucioni i dramës është ndjeshmëria më e thellë e kulturës sublime të një populli.

FLAKA E JANARIT; Gjilan, më 22 kallnor 2025

You Might Also Like