Nga debutimi me barazim te gjendje e Tushës dhe derbi – Zekrija Ramadani flet për të gjitha.
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, është i kënaqur me pikën e fituar në ndeshjen baras 1-1 ndaj KuPS. Ai ka theksuar se ekipi i tij kishte mundur të kthehej në Kosovë me pikët e plota, por është i kënaqur me moralin e skuadrës.
Ndeshja u zhvillua në Tempere të Finlandës dhe ishte pjesë e xhiros së parë të fazës së ligës në Ligën e Konferencës.
“Jemi të kënaqur me një pikë. Kjo ndoshta nuk do të vlej për tabelë, por psikologjikisht do të ketë rol të rëndësishëm, sepse po kthehemi të pamposhtur nga ky udhëtim dhe kjo do të thotë shumë për lojtarët në aspektin moral. Por shpresoj të jemi më të mirë në ndeshjet e radhës”, ka thënë Ramadani në konferencën për media.
Ai ka shtuar se karakteri i ekipit është prioritet dhe nuk do të lejojë që lojtarët të mendojnë se janë inferior ndaj kundërshtarëve.
“Me karakterin që kam nuk ia lejoj lojtarëve ta mendojnë se jemi inferior. Nëse luajmë thjesht dhe me guxim, do të jemi më të rrezikshëm për çdo kundërshtar. Nuk e ndjej veten e po ashtu as ekipin tim nuk e lejoj ta ndjej veten inferior ndaj asnjë kundërshtari”
Ramadani ka theksuar gjithashtu se ndeshja ndaj KuPS-it i takon tashmë së kaluarës dhe se tani fokusin e ka tek derbi kundër Gjilanit, që zhvillohet të hënën:
“Për momentin sonte përfundon kjo ndeshje dhe do të kemi përkushtimin maksimalisht në derbin që do ta zhvillojmë të hënën”, është shprehur trajneri.
Ai ka folur edhe për gjendjen shëndetësore të Veton Tushës, i cili u largua me barelë nga fusha pas lëndimit në minutën e 29-të.
“Lëndimi i Vetonit na mërziti shumë. Edhe në janar ishte në spital. Vetoni është dërguar në spital. Kemi një mjek atje, por nga informatat e para që kam, ai është në vetëdije, është në gjendje stabile. Ai flet, nuk ka humbur vetëdijen. Ka dhimbje pak, por presim rezultate dhe do të shkojmë ta vizitojmë në spital sapo të largohemi nga këtu”, ka thënë Ramadani.