LAJME

Ramush Haradinaj ka vizituar familjen Shala nga fshati Ponesh i Komunës së Gjilanit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka vizituar sot familjen Shala nga fshati Ponesh i Komunës së Gjilanit, e cila humbi mbrëmë katër anëtarë në një aksident trafiku në fshatin Mramor të Prishtinës.

‘Familjes Shala nga Poneshi i Gjilanit, e cila nga aksidenti i djeshëm humbi katër familjarë, i shpreha ngushëllimet më të thella, në emër të Qeverisë dhe tërë popullit të Kosovës’, ka shkruar Haradinaj në një postim në Facebook.

Ai ka shtuar se Qeveria e vendit do t’i qëndrojë afër kësaj familje për humbjen e tyre të madhe edhe përmes ndihmës financiare.

Ndryshe, mbrëmë rreth orës 17:00 në magjistralen Prishtinë-Gjilan, saktësisht në fshatin Mramor ka  ndodhur aksidenti ku janë përfshirë tri automjete.

Si pasojë e aksidentit, lëndime kanë pësuar gjashtë persona, ku dy prej tyre kanë vdekur në vend, ndërsa dy të tjerë në QKUK.

 

You Might Also Like